E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhurata dhe surpriza pa fund sonte në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”



Njerëz në nevojë që kërkonin të bënin një apel, falënderime të përzemërta, pasqyrim i vlerave të traditave shqiptare e shkëputje kontaktesh mes personave dhe familjeve të tyre, ishte tabloja e së shtunës së kaluar në programin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” ,në Vizion Plus. Muhamet Doka largohet drejt Italisë para 18 vitesh duke mbajtur kontakte shumë të rralla me familjen e tij në Shqipëri. Pasi strehohet fillimisht në një kamp emigrantësh në Palermo, djali beratas zhvendoset në Raguza të Siçilisë ku punonte në një serë domatesh. Informacionet që merrte familja ishin të pakta dhe nga ana tjetër kjo gjë nuk i qetësonte aspak ata. Ndërprerja e kontakteve në 2004-n shënoi dhe dilemën e madhe për vendndodhjen e tij më të fundit. Ka qenë prezantimi i historisë javën e kaluar, verifikimet paraprake të gazetarëve, të cilat bënë që të vinin informacione të sakta nga të njëjtat koordinata, duke iu referuar dhe kontaktit të fundit të tij. Muhameti 34-vjeçar punonte ende në Siçili, merrej me po të njëjtën punë, ndërronte shumë shpesh numrat e telefonit dhe numri i fundit që programi arriti të merrte i përkiste pikërisht atij. E sikundër ndodh në një rast të këtillë, nga ana tjetër e receptorit stafi nuk ka marrë asnjë përgjigje, duke ngritur një pikëpyetje të madhe të arsyeve të shumta që mund të kenë këta persona teksa s`mbajnë asnjë kontakt me të afërmit e tyre. ”Rruga më e shkurtër për të arritur suksesin është dija”, - ishte kjo motoja e 20-vjeçares nga Rrësheni Arjola Nikolli inspiruar nga profesori i saj i shkollës së mesme, Gjon Dedaj. Prej dy vitesh në funksionin e kryetarit të Bashkisë së Rrëshenit, Gjoni ka mbetur i surprizuar nga ftesa që i kishte bërë Arjola përmes programit “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”. Kjo e fundit shprehu të gjithë mirënjohjen e saj ndaj profesorit, ndikimit të tij për të mos u dorëzuar kurrë dhe këmbënguljes së përbashkët që Arjola të vazhdonte shkollën e lartë dhe falë kësaj përpjekjeje Arjola sot është studente në vitin e parë në Fakultetin e Gazetarisë në Shkodër. Nga programi social, profesorit iu dhurua korpusi prej 10 volumesh me tregime, novela, romane e poezi të shkrimtarit të tij të preferuar Ismail Kadare, si dhe romani më i fundit i shkrimtarit “Darka e gabuar”, botime të shtëpisë “Onufri”. Të jetosh 10 vjet i vdekur mes të gjallëve e herë-herë të shpresosh teksa pret dita-ditës vdekjen. 34-vjeçari nga Librazhdi, Ismail Gërduqi, ka 10 vjet që ndodhet në koma. Historia e rrallë nis me emigrimin e djalit në Itali në vitin 1997. Deri në 1998-n gjithçka do të shkonte mirë për të. Gjatë kohës që jetonte në Milano, ai aksidentohet për të mos u çuar më kurrë prej shtratit. Që prej asaj kohe, nëna, babai dhe motra e tij kujdesen çdo ditë të vitit për të: e pastrojnë, e ushqejnë përmes shiringave e një tubi që dërgon ushqim në stomakun e tij. Prej 10 vitesh, Ismaili merr frymë prej tyre, por dhe jeta e tij varet prej tyre. Të pranishëm në trajtimin e kësaj ngjarjeje ishte regjisori Piro Milkani, i cili vite më parë kishte kaluar të njëjtën gjendje si Ismaili, si dhe neurokirurgu Mentor Petrela, i cili ka asistuar sistematikisht në gjendjen e 34-vjeçarit. Krahas vështirësive të jetës së përditshme, fatkeqësisë së rëndë që u duhet të mbajnë mbi shpinë, familjarët Gërduqi kanë nevojë për ilaçe dhe medikamente të tjera të domosdoshme për djalin e tyre. Pas interesimeve të Magjistarit, programi “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” falë bashkëpunimit me distributorin e prodhimeve farmaceutike “Jona Farma”, me presidente Mirjona Kalacin, i mundësoi për 1 vit furnizimin me Liorestal, një nga ilaçet më të rëndësishme në ecurinë normale të gjendjes së Ismailit. Ndërkohë, dy ilaçet e tjera, Tegretol dhe Ciprinol, do të rimbursohen nga shteti. Për nevojat e tjera të Ismailit, si krevati apo dhe ushqimet, falë z. Nikolla Zulla, drejtor i spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, si dhe z. Gjon Dervishi, familjes i dhuruan përmes programit një krevat të lëvizshëm, një dyshek me ajër si dhe 5 muaj falas ushqim Plasmon (makarona) dhe Samulino di Grano (muhalebi) nga përfaqësuesi i distribuimit të Plasmon në Shqipëri, z. Anesti Nano. Të qash për dhimbjen e të shkruash për të, Kadri Kuka nga Berati i ka materializuar këto ndjenja njerëzore në një libër kushtuar bashkëshortes së tij, e ndarë nga jeta një vit më parë nga sëmundja e kancerit. Në bisedë me Rudinën, Kadriu ka rrëfyer dashurinë, por dhe forcën që i është dashur të gjejë brenda vetes pas kësaj fatkeqësie të ndodhur pak kohë më parë. E ftuara surprizë në këtë pjesë ka qenë mjekja onkologe Adelina Mazreku, e cila ka qenë prezente në të gjitha etapat e sëmundjes së bashkëshortes së Kadriut. Prezenca e znj. Mazreku e ka nderuar pa masë atë jo vetëm për fjalët e përzemërta, por edhe për respektin e madh që ajo gëzonte për këtë familje. Një homazh video me momentet më të bukura që kishin kaluar bashkë dhe një fotografi e printuar në kanavacë e bashkëshortes së Kadriut iu dhuruan atij nga programi social për guximin për të thënë hapur atë që ai ndiente në shpirt. E veshur me kostumin popullor të Shqipërisë së Mesme, Rudina Magjistari ka shpalosur në një material filmik traditat, mikpritjen, vlerat dhe zakonet e hershme të një fshati pak kilometra larg Tiranës. Në Prezë gjeje çdo gjë, fëmijë të vegjël që mësonin të qëndisnin, gra që endnin pëlhura, të tjera që prodhonin vaj ulliri në mënyrë artizanale apo dhe raki, një traditë që ende vazhdon të ruhet në këtë zonë. E përmbi krye qëndrontë kalaja, një simbol i hershëm i këtij fshati me të cilin krenohet çdokush që është banor i saj. Por jo vetëm. Olta Boka, këngëtarja që ka përfaqësuar Shqipërinë vitin e kaluar në Eurovizion, është mbesë Preze dhe për këtë gjë ajo ndihet krenare. E rrethuar nga banorët e Prezës në studion e Vizion Plus, ajo ka performuar një këngë duke shënuar edhe fundin e natës së dhjetë të programit social. Sonte, “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” ka përgatituar një natë speciale, ku protagonistë do të jenë njerëz të zakonshëm, por që bartin në vetvete histori që u shkojnë për shtat festave të fundvitit. Një natë e mbushur me shumë ndjenjë, origjinalitet e vërtetësi ajo për të cilën njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë e të ndihen vetvetja.

27 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›