E Diel, 1 Nëntor 2026

Stiv Brus: Cana, shembull për t’u ndjekur

Kosovari 26-vjeçar mbërriti te Sandërlendi gjatë kësaj merkatoje vere si një nga përforcimet më të rëndësishme të trajnerit Brus dhe është një nga blerjet më të shtrenjta të klubit anglez (6.5 milion euro).

Cana njihet për ndërhyrjet e tij të ashpra dhe lojën e fortë si dhe për faktin se asnjëherë nuk dorëzohet gjatë ndeshjes. Mesfushori kuqezi është shndërruar në një lider për “Macet e zeza”.

Rrallëherë ai luan më pak se 90 minuta të plota, madje edhe kur e ka dorën e thyer. Këtë e tregoi në ndeshjen ndaj Çelsit e në vazhdim. Kapiteni i sapoemëruar erdhi te Sandërlendi si një nga përforcimet më të shumëkërkuara nga trajneri anglez Stiv Brus gjatë merkatos së verës, që prej emërimit të tij si teknik në “Stadiumin e dritave”.

Marrëveshja midis Lorik Canës dhe ekipit anglez u arrit vetëm pak para miqësores që Sandërlendi do të luante kundër Atletikos së Madridit në Amsterdam, ku “Macet e zeza” ishin duke zhvilluar fazën përgatitore para sezonit të ri. Në fakt, për trajnerin Brus, përgjigja pozitive e Canës ishte surprizë. Ai la Olompikun e Marsejës, për të nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me Sandërlendin.

Trajneri i skuadrës angleze është plotësisht i sigurt në vendimin e tij për t’ia dhënë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar. Në një deklaratë për faqen në internet të klubit "safc.com”, Stiv Brus u shpreh: “Tashmë e kam marrë vendimin. Lorik Cana do të jetë kapiteni i ri i ekipit.”

“Cana ka qenë edhe më parë kapiten i ekipit prej nga erdhi, Marseja – theksoi tekniku anglez -. Disa mund të ngelen të habitur dhe të mos jenë dakord me këtë, pasi mund të mendojnë se ai është një lojtar i huaj. Por Loriku e flet anglishten në mënyrë të përsosur, ka moshën dhe përvojën e nevojshme për këtë rol, është kapiten i kombëtares së vendit të tij (kjo nuk është plotësisht e vërtetë, pasi Cana ka qenë zëvendëskapiten në kohën e Ari Han) dhe gjithashtu ka qenë edhe kapiten i Marsejës.”

Brus shton më tej se kushdo që e ka parë me vëmendje lojën e Canës, do të arrijë të kuptojë arsyet e vendimit të tij për ta caktuar 26-vjeçarin kapiten të skuadrës. Sipas tij, Loriku është një shembull për t’u ndjekur. Cana zëvendësoi Din Uithed në rolin e kapitenit, pasi ky i fundit u largua për te Stok Siti gjatë merkatos së verës.

Gjatë kësaj jave, kapiteni i ri i Sandërlendit është grumbulluar me kombëtaren kuqezi për të zhvilluar përgatitjet në kuadër të ndeshjes kundër Danimarkës.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›