E Diel, 1 Nëntor 2026

Stivi Frashëri: E vështirë me Rusinë, por do të bëjmë më të mirën

Nga ERJON HAMITAJ

Gardiani 20-vjeçar i portës së U-21 ka disa pasiguri për sa i përket ndeshjes kundër kryesuesëve të Grupit 6, por mendon se skuadra ka fuqi që tia dalë sepse ka talente rë reja në gjirin e saj

Në ekipin tonë Shpresa, që do të luajë sot kundër kryesueses së Grupit 6-të Rusisë, janë bërë disa ndryshime, por sa i përket portës gardiani i Bylisit në Superligë do të jetë sërish në vendin e tij, ashtu si në ndeshjet e kaluara. Frashëri vjen në këtë takim pas disa ndeshjeve në stol me skuadrën e tij, por mendon se do të bëjë më të mirën. Për Sportin Shqiptar ai tregon gjithçka në lidhje me të dhe me ndryshimet që kanë ndodhur në kombëtare.

Rusia dhe Portugalia Ndeshja me Rusinë është mjaft e vështirë për ne, pasi ky kundërshtar është në krye të grupit me pikë të plota. Do të luajmë fortë dhe për fitore, tamam si një finale, pasi nuk duhet të ndihemi inferiorë përballë kundërshtarëve me emër. Kam shumë besim se do tia dalim, sepse kemi një trajner të ri dhe disa futbollistë të rinj të grumbulluar për herë të parë, që e kanë përforcuar shumë skuadrën.

Ata janë me shumë përvojë dhe do ti vijnë më shumë në ndihmë skuadrës. Kam pësuar disa gola në ndeshjet e kaluara, por nuk ka qenë vetëm faji im, pasi edhe mbrojtja ka gabimet e veta. Sa u përket të rinjve që kanë ardhur nga U-19, mund të them se kanë fituar përvojën e duhur në ndeshjet ndërkombëtare. Disa prej tyre luajnë në Zvicër, janë cilësorë, por u duhet pak kohë për tu ambientuar plotësisht. Gjithashtu, edhe me trajnerin është pak vështirë, sepse nuk njihemi mirë.

Gega na ka sjellë disiplinë më të rreptë, metoda të reja në stërvitje si dhe na kërkon të mbajmë regjim pas stërvitjes apo para saj. Këto lidhen me ushqimin dhe fjetjen. Vlerësoj më shumë masat strikte që po vendos në këtë ekip. Kemi dy ndeshje brenda, të cilat duhet ti marrim një e nga një.

Të shikojmë sesi do të shkojë ndeshja e parë me Rusinë, më pas të mendojmë për Portugalinë, që është kundërshtare gjithashtu shumë e fortë. Takim i parë është dyfish më i vështirë, pasi jemi në një moment kur po bëhen rinovime, si në stafin e trajnerëve dhe atë të lojtarëve.

Bylisi: Po kaloj një moment disi të vështirë me Bylisin, sepse jam aktivizuar pak dhe nuk po gjej vendin që më takon. Unë kam qenë shumë kohë titullar në radhët e Bylisit dhe tashmë po luftoj për ta marrë atë vend. Kjo ka ndikuar në gjendjen time, pasi nuk kam atë siguri që kam pasur më parë.

Në këto ndeshje mendoj se ndryshon diçka, sepse provon të tjera emocione krahasuar me takimet e Bylisit. Kam më shumë emocione, por që për mua ndikojnë pozitivisht, sepse më ndihmojnë të kthehem në formën time më të mirë, përmbyll Frashëri, i cili nuk po kalon një moment të mirë si zëvendësues i portierit Egbo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›