Lushnja, stafi synon të ruajë formën dhe mendësinë
Verdhejeshilët kanë garantuar shpërblimet për 3 fitoret radhazi, por edhe donacione në bazë materiale nga dashamirës të ndryshëm
Lushnjarët, në formë shumë të mirë javët e fundit, janë të përqendruar te përgatitjet për ndeshjet në vazhdim, edhe pse kjo e shtunë do të jetë pushim. Për ta është e rëndësishme të ruhet forma fizike, por edhe mendësia e fituesit. Pas disa fitoreve radhazi (3), futbollistët kanë të garantuar shpërblimin, me vendim të këshillit bashkiak të qytetit.
Megjithatë, nuk ka qenë asnjëherë në plan të parë pagesa, sepse janë po ata futbollistë që e nisën keq kampionatin, që tani, nën drejtimin e trajnerit Malko, kanë bërë autokritikë. Tri fitore radhazi, e fundit jashtë fushe, nuk janë pak. Nëse do të kishte pasur më shumë drejtësi në transfertën e Gjirokastrës, lushnjarët mund të kishin një pikë më shumë. Gjithsesi, puna vijon në kampin verdhejeshil për arritjen e objektivit, pasi janë edhe shumë javë përpara.
Donatorët Një tjetër donator këto ditë ka sjellë të tjera veshje për skuadrën, me ngjyrat e verdha dhe jeshile. Janë bizneset lushnjare dhe dashamirësit e futbollit që po tregojnë dëshirë për ta parë skuadrën në futbollit elitar shqiptar, ndaj dhe po sponsorizojnë. Sponsori i fundit, që preferon të mbetet anonim, ka sjellë nga dy komplete sportive me të gjithë aksesorët për çdo futbollist.
2-2 në miqësoren me Albetrolin
Dje skuadra verdhejeshile ka kaluar me dy seanca. Paradite janë stërvitur futbollistët e formacionit bazë, kurse në mesditë është luajtur një miqësore me Albpetrolin. Asnjë nga futbollistët titullarë nuk është aktivizuar. Ka rënë në sy në këtë ndeshje testuese aktivizimi i Allkanjarit në mbrojtje, ndërsa në sulm ka luajtur i vetëm Përnezha. Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 2-2. Për Lushnjën shënuan Përnezha dhe Gjoni, kurse për Albpetrolin Kopaçe dhe Mici.
