E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baku: Naftëtari, brenda objektivit

Nga Arben Çepani

Me fitoren ndaj Memaliajt kuçovarët janë rifutur në pretendimet për kategorinë e parë. Duke përfituar nga rezultatet e rivalëve, ata janë ngjitur më lart në renditje dhe shpresojnë se do të fitojnë më shumë terren në ndeshjet e mbetura të fazës së parë. Naftëtari luajti mirë në ndeshjen e fundit, pavarësisht fitores minimale. Problemi i vetëm ishte finalizimi i aksioneve, pasi u krijuan raste të panumërta, sidomos në pjesën e dytë. E rëndësishme është që në kampin kuçovar është rikthyer qetësia dhe besimi për të ardhmen.

Mbrojtësi Klodian Baku, një nga pikat më të forta të skuadrës, mendon se Naftëtari e meritoi fitoren me Memaliajn dhe se do të jetë një rival i fortë në vazhdim: ”Fitorja ishte plotësisht e merituar, megjithëse shënuam vetëm një gol. Naftëtari kishte epërsi të padiskutueshme ndaj Memaliajt, sidomos në pjesën e dytë. Në fillim hasëm vështirësi, sepse kundërshtari ishte i ngjeshur në mbrojtje.

Në ndeshjet brenda, për shkak të lojës mbrojtëse të kundërshtarëve, gjithmonë e kemi pasur të vështirë të shënojmë. Me Memaliajn ndeshja u zgjidh nga pika e penalltisë, por patëm edhe shumë raste të tjera. Memaliotët ishin me fat, që nuk pësuan një humbje më të thellë. Ishte një fitore e rëndësishme, që do të ketë ndikim mjaft pozitiv për të ardhmen.

Tani le të përqendrohemi në ndeshjet e mbetura të fazës së parë, që duhen marrë një nga një. Objektivi ynë mbetet ngjitja në kategorinë e parë dhe mendoj se jemi brenda këtij objektivi. Jam i bindur që Naftëtari do të jetë një rival i fortë për çdo kundërshtar dhe pretendent serioz për në kategorinë e parë, ka thënë Baku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›