Stockholm, Tadic dorëzoi sot aplikimin për në BE
STOCKHOLM- Presidenti serb, Boris Tadic, dorëzoi sot aplikimin e vendit të tij për anëtarësim në BE tek presidenca suedeze e BE-së. Pavarësisht nga përmirësimi së fundmi i marrëdhënieve mes Beogradit e BE-së, ka ende pengesa në rrugën e saj drejt anëtarësimit. BE këmbëngul se Serbia, para se të nisë negociatat, duhet të arrestojë të kërkuarit për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Mes tyre është ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladic, i cili mendohet se fshihet në Serbi. Serbia mendon se ka arritur në një moment të përshtatshëm në rrugën drejt BE-së. Tani ka hyrë në fuqi një marrëveshje e rëndësishme tregtare me bllokun dhe serbëve së fundmi iu ofrua mundësia e udhëtimit pa viza në shumicën e vendeve të BE-së. Por qeveria holandeze thotë se Serbia nuk mund të bëjë hapa të tjerë përpara drejt negociatave të anëtarësimit deri në kapjen e dy të arratisurve që janë paditur nga Haga për krime lufte. Beogradi nga ana e tij i ka varur shpresa tek raporti i rradhës i Kryeprokurorit të Gjykatës së Hagës, i cili pritet në muajin qershor. Nëse vlerësimi i tij për punën e autoriteteve Beogradit në kërkim të tyre do të jetë pozitiv, qeveria holandeze mund të bindet ta zbusë qëndrimin dhe të lejojë nisjen e fazës tjetër të procesit të aplikimit.(m.a/News24/BalkanWeb)