E Diel, 1 Nëntor 2026

Buna pranë daljes nga shtrati, drejt pikës kritike

Autori i Lajmit: Redaksia
Rritet drejt pikës kritike niveli i ujit në Komunën e Dajçit në Shkodër. Sipas informacioneve nga shtabi i emergjencës, prurjet e ujit janë shtuar ndjeshëm në orët e fundit duke rritur nivelin e ujit drejt pikës së rrezikut të mbytjes. Sipas burimeve zyrtare uji rrezikon të kalojë argjinaturat e lumit të Bunës në Samrisht. Autoritetet në terren, por edhe Kryeministri Berisha në një konferencë shtypi, u kanë bërë thirrje banorëve të zonës të largohen. Për shkak të rritjes së numrit të personave që po evakuuohen nga zona, Qeveria ka vendosur në dispozicion të tyre Kavaleshencën për strehim të përkohshëm. Sipas të dhënave të deritanishme mëse 100 dhoma të Kavaleshencës në Durrës janë vendosur në dispozicion të banorëve të zonës së Shkodrës, që po largohen të detyruar nga vendbanimet e tyre. Ndërkohë që uji ka vërshuar, duke mbuluar shpejt gjithçka dhe duke bllokuar rrugën nacionale dhe të gjitha rrugët që të çojnë në zonat e përmbytura. Përmbytjet kanë izoluar Shkodrën dhe kanë ndërprerë qarkullimin mes kësaj zone dhe pjesës tjetër të vendit. Në kthesën e Velipojës vetëm makinat e larta mund të kalojnë me vështirësi, ndërsa automjetet e vogla do të mbeteshin nën ujë pa mundur të lëvizin.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›