E Diel, 1 Nëntor 2026

Stoltenberg, Berishës: Jemi të impresionuar, asnjë vend evropian s’ka patur rritje ekonomike më të lartë se Shqipëria

14-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Kryeministrin norvegjez, z. Jens Stoltenberg. Dy kompanitë "Statkraft" dhe "Statoil" shfaqin interes për të investuar në Shqipëri, përkatësisht në kaskadën e Devollit si dhe avancimin e projektit të gazsjellësin Trans – Adriatik (TAP), i cili kalon nëpër Shqipëri 


“Ne kemi parë një përformancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka patur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria”. Kështu u shpreh sot kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg në takimin e zhvilluar në Oslo me kryeministrin Sali Berisha. Berisha pati një drekë pune me homologun e tij, Stoltenberg. Kryeministri norvegjez vlerësoi progresin ekonomik të Shqipërisë, duke e cilësuar atë një shembull për vendet e Evropës, të cilat s’arritën të kenë rritjen ekonomike të vendit të vogël ballkanik


Kryeministri Stoltenberg: Patëm një takim të shkëlqyer, ku zhvilluam diskutime për marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe Norvegjisë. Ne jemi dy vende që kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale. Ne shqyrtuam mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit, veçanërisht, në fushën e energjisë, në sektorin hidro-energjtik ku kompanitë norvegjeze dhe një kompani e quajtur Statkraft po marrin pjesë në zhvillimin e një projekti të madh të hidrocentraleve në Shqipëri, në Devoll. Gjithashtu, diskutuam potencialin e zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha format e energjisë, të energjisë se gjelbër, energjisë diellore, por, gjithashtu, edhe gazit, projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili është në plan për të kaluar përmes Shqipërisë.


Si i vlerësoni iniciativat e qeverisë shqiptare për të inkurajuar bizneset dhe investimet e huaja në vend?


Jemi shumë të impresionuar nga Shqipëria. Ne kemi parë një përformancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka patur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria. Në shohim potencialin, shohim sa e rëndësishme po bëhet Shqipëria, fal rritjes së fuqishme ekonomike. Prandaj besojmë se ka një potencial shumë të madh për bashkëpunimin në fushën e biznesit, për investimet, për tregtinë dhe për zhvillimin e potencialit tregtar midis dy vendeve.


E mbështesni Shqipërinë në procesin e integrimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat?


Ne e mbështesim idenë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se është e rëndësishme për Evropën, është e rëndësishme për Shqipërinë. Ne e kemi mbështetur fuqimisht Shqipërinë kur dëshironte të bëhej anëtare e NATO-s. Norvegjia është anëtare e NATO-s, prandaj kishim mundësinë ta mbështesnim Shqipërinë kur donte të bëhej anëtare e NATO-s. Ne nuk jemi anëtar të Bashkimit Evropian dhe nuk mund vendosim. Janë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët në dialog me Shqipërinë do të vendosin se sa shpejt do të lëviz integrimi në BE për Shqipërinë.


- Kryeministër Berisha, cili ishte fokusi i këtij takimi?


Së pari, dua ta falënderoj Kryeministrin Stoltenberg për këtë mikpritje të madhe, për drekën shumë të shijshme, si dhe për bisedat shumë frutdhënëse që patëm së bashku. Kryeministrin Stoltenberg e kam takuar disa herë dhe tani patëm rastin të ulemi e të flasim për mundësitë reale të vendeve tona dhe për të forcuar bashkëpunimin. Pa dyshim çështja më madhore ishte energjia. Dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri. Edhe kompani të tjera po punojnë. Kryeministri më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia. Folëm, gjithashtu, për investimet në turizëm. Unë e  informova, gjithashtu, Kryeministrin për dëshirën time për t’u bërë të gjelbër në çështjet e energjisë, gjithashtu, edhe në pyllëzim. Norvegjia po ndihmon shumë vende në programet e pyllëzimit në kuadër të përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike. Kemi shpresë se Kryeministri dhe qeveria e Norvegjisë do të ndihmojnë Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe për pyllëzim të mirë, politikave të pyllëzimit nëpërmjet pemëve frutore. E ftova Kryeministrin të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi ftesën. Do të jem shumë i kënaqur ta pres sa më shpejtë.


Berisha takohet me drejtues të lartë të kompanive Statkraft dhe Statoil, në Norvegji  


Dy kompanitë Statkraft dhe Statoil kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri, përkatësisht në kaskadën e Devollit dhe gazsjellësin Trans – Adriatik (TAP)


Në vijim në vizitës së tij në Oslo, pas punimeve të Forumit Ekonomik Shqipëri – Norvegji, Kryeministri Berisha u takua sot me drejtues të lartë të kompanive Statkraft dhe Statoil. Fillimisht, Kryeministri Berisha vizitoi zyrat qendrore dhe Pikën e Komandës së Prodhimit dhe Shpërndarjes së Energjisë në kompaninë Statkraft. Kjo zyrë koordinon punën për Finlandën, Suedinë dhe Norvegjinë dhe monitoron ecurinë mbi projektin e kaskadës së Devollit, në Shqipëri. Kryeministri Berisha zhvilloi gjithashtu, një takim me Zv/Presidentin Ekzekutiv të kompanisë Statkraft, zotin Øistein Andersen, ku u diskutua mbi ecurinë e projektit të kaskadës së Devollit. Zv/presidenti i kompanisë Statkraft, z. Andersen, e informoi Kryeministrin Berisha mbi përfundimin e studimit të fizibilitetit të projektit, sikurse shprehu kënaqësinë për përmbylljen në kohë të procesit të marrjes së lejes mjedisore. Ai e falënderoi Kryeministrin për gatishmërinë e administratës në përmbushjen e kësaj faze të rëndësishme për vazhdimin e mëtejshëm të projektit. Përsa i përket infrastrukturës që do të preket nga ndërtimi i hidrocentralit në rrethin e Gramshit, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të fillojë punën për ndërtimin e aksit rrugor prej 18 kilometrash, përkundrejt zhdëmtimit që kompania Statkraft do të bëjë për shtetin shqiptar. Z. Andersen e informoi Kryeministrin edhe mbi hapjen, së shpejti, të tenderit për fillimin e punimeve civile për hidrocentralin e Banjës. Më tej, kryeministri Berisha pati një takim edhe me drejtues të lartë të Kompanisë Statoil, të kryesuar nga z. Eldar Saetre, zv/president Ekzekutiv për Marketingun, Përpunimin dhe Energjinë e Rinovueshme, i Kompanisë Statoil. Kjo kompani është një nga kompanitë kryesore të projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili synon transportin e gazit nga fusha gazmbajtëse e Shah Deniz-it, në Azerbajxhan, në tregjet e Europës Perëndimore. Në këtë takim, drejtuesit e Statoil i prezantuan Kryeministrit zhvillimet në lidhje me projektin, si dhe u diskutuan çështje me rëndësi për çuarjen përpara të tij. Berisha vlerësoi projektin TAP si projektin me fizibël dhe më të shpejtë për transportimin e gazit, në krahasim me projekte të tjera konkurrente. Kryeministri i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të bëjë pjesën e saj për konkretizimin me sukses të këtij projekti. Projekti TAP paraqitet nga një konsorcium kompanish që përfshin përveç kompanisë norvegjeze Statoil, edhe EGL të Zvicrës dhe E.ON Ruhragaz të Gjermanisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›