E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi zyrtarisht kampion

Me fitoren 4-3 përballë Atalantës, Interi feston titullin e 17-të kampion. Zikaltërit e kishin fituar kampionatin disa javë përpara mbylljes, por dje në stadiumin "Meaca" u formalizua edhe dorëzimi i trofeut për ekipin më të fortë të sezonit në Serinë A. Festa, e cila u karakterizua nga tërheqja e Luis Figos, nuk ka qenë e plotë. Çështja mbetet gjithmonë ai: Zlatan Ibrahimoviç. Edhe pse është i lidhur me Interin deri në vitin 2013 dhe përfiton 12 milionë euro në vit (duke qenë lojtari më i paguar në botë), për t‘i qëndruar besnik klubit, suedezi pretendon më shumë para nga Masimo Morati. Kjo u bë e ditur nga menaxheri i sulmuesit, Mino Raiola, i cili dje ndodhej në Apiano për të diskutuar rreth rinovimit të kontratës së Maksuell. Përfaqësuesi i lojtarit tha: "Ibra? Do të qëndrojë tek Interi me 99.99%. Duke qenë se kjo përqindje rezultoi pozitive për Murinjon, duam ta kopjojmë. A lidhet 0,01% me çështjen e rritjes së rrogës? Unë kurrë nuk kam kërkuar asgjë, ashtu si edhe Zlatan. Por, duke qenë se Murinjos i solli fat… ". Një kërkesë që pritet t‘i shkaktojë Moratit dhimbje të tjera koke. "Dorëzimi" përballë teknikut luzitan nxiti garën në skuadër për rritje rrogash. Pas Ibrahimoviç radhën do ta ketë Maikon, i cili kërkohet nga Florentino Perez te Reali. Ndërsa nga Spanja shtohen zërat për transferimin e tij te Barcelona. "El Mundo Deportivo" shkruante se kampionët e rinj të Evropës janë paraqitur me një superofertë tek Interi: kartonin e Samuel Eto‘o, plus 50-55 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›