Stonestreet:Zgjedhjet të bëhen për popullin.Nisni reformën

Shefi i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR Jonathan Stonestreet ka kërkuar nisje të shpejtë të reformës zgjedhore dhe gjithpërfshirje. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto, Stonestreet ka deklaruar se është më e rëndësishme që zgjedhjet të bëhen për popullin sesa beteja politike.
“Është me rëndësi që zgjedhjet të bëhen për popullin, në mnëyrë që ata kenë të zgjedhurit e tyre dhe kjo është më e rëndësishme sesa beteja e forcave politike dhe për këtë nevojitet edhe vullneti i forcave politike” ka theksuar Stonestreet.
Më tej duke e cilësuar ndryshimet në reformën zgjedhore si një proces tërësisht shqiptar ka shtuar se OSBE/ODIHR është e gatshme të bashkëpunojë për këtë proces.
“Reforma është një proces shqiptar ne do të jemi të kënaqur nëse do të duhet të ndihmojmë, jemi të gëzuar vlerësojmë iniciativën për të ndjekur rekomandimet e dhëna nga ne. Ne shpresojmë që reforma të nisë së shpejti, nuk ka nevojë të nxitohet dhe të përfundojë në kohë të mjaftueshme para zgjedhje të ardhshme”.
Sipas tij, reforma duhet te jetë gjithpërfshirëse, nga partitë politike, autoritetet që merren me zgjedhjet dhe shoqëria civile.
“Ne nuk kemi arritur në një përfundim total u arritën apo jo standardet, por ky është proces dhe duhet që raporti të lexohet si një i tërë dhe të përcaktohen nga ju fushat ku duhet të ndërhyni” theksoi Stonestreet.
Nga ana e tij ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto theksoi se është e domosodhsme që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse duke marrë në konsideratë edhe inputet e forcave politike dhe shoqërisë civile. Sipas tij kjo do të bënte që kodi zgjedhor të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike dhe të bëjë të mundur edhe realizimin e standarteve më të larta për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme.