E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Kthimi i opozitës në Kuvend, me rëndësi

Topi vlerësoi mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në momente të rëndësishme e historike për zhvillimin dhe reformimin e vendit.

“Realizimi i reformave kyçe që garantojnë finalizimin me sukses të punës dhe aspiratës disavjeçare të shtetit dhe të popullit shqiptar për integrimin në BE, janë një prioritet i veprimtarisë dhe angazhimit të të gjitha institucioneve tona”, tha Topi. Në vijim të bisedës, Kryetari i Shtetit Shqiptar ritheksoi domosdoshmërinë e rivendosjes së komunikimit për çështje madhore mes klasës politike shqiptare, për të cilën shprehu besimin se “mbart përgjegjësinë dhe vetëdijen politike, po ashtu dhe maturinë për të kuptuar e realizuar që integrimi në Bashkimin Evropian kërkon bashkimin e përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve dhe një përkushtim e angazhim tepër serioz për përmbushjen e kritereve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga synimi i qartë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.”

Në këtë këndvështrim, Presidenti i Republikës vlerësoi se pjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ishte një tregues pozitiv e domethënës në këtë drejtim, ndërsa shprehu bindjen se me përpjekje serioze, dinjitoze dhe me ndihmën e partnerëve tanë evropianë, Shqipëria shumë shpejt do të marrë statusin e vendit kandidat.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Fratini dhe ai i Greqisë, Lambrinidis rikonfirmuan mbështetjen e pakursyer jo vetëm të dy vendeve që ata përfaqësojnë, por edhe të Bashkimit Evropian për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, por theksuan se procesi integrues evropian i Shqipërisë do të varet nga plotësimi i standardeve dhe nga bashkëpunimi i klasës politike shqiptare, e cila duhet të vendosë interesat madhore të vendit mbi gjithçka duke u ndërgjegjësuar maksimalisht për këtë. “Mbi të gjitha, duhet një bashkëpunim për të bërë të mundur përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues”, theksuan dy ministrat e Jashtëm e vendeve fqinje. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-12 17:17
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›