E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop “importit” të sëmundjeve, kontroll shëndetësor në kufij



Shtim të masave dhe kontrolleve sanitare në të gjitha pikat kufitare të vendit. Asnjë person nuk kalon kufirin pa kryer kontrollin shëndetësor nga inspektorët sanitarë. Për rastet e dyshimta apo mbartëse të ndonjë sëmundjeje infektive inspektorët do të mbajnë raport paraprak për të njoftuar më pas institucionet shëndetësore. Kjo masë përcaktohet në projektligjin “Për shëndetin publik”, i cili pritet të kalojë për miratim në Parlament.

Kontrollet

Pikërisht neni 26 i këtij projektligji përcakton në mënyrë të qartë se inspektimi sanitar kryhet me qëllimin për të ruajtur shëndetin e qytetarëve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë. Në këtë nen përcaktohet gjithashtu se inspektimi është sistematikisht, pa njoftim paraprak, veç sinjaleve të marra nga vetë qytetarët. Në bazë të inspektimit, strukturat rajonale të shëndetit publik do të mbledhin dhe përpunojnë informacionit shëndetësor për të përcaktuar në fund në bazë të një analize gjendjen shëndetësore të popullatës dhe faktorët e riskut. Ligji përcakton se kontrolli dhe parandalimi i sëmundjeve do të bëhet nëpërmjet programeve specifike të shëndetit publik.

Projektligji

Drafti i projektligjit "Për shëndetin publik" është prezantuar dje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky ligj është cilësuar si një ndër ligjet më të rëndësishme të sistemit shëndetësor, i cili është aktualisht në proces për miratim.

“Ky është një ligj, i cili paraqitet për herë të parë në Shqipëri dhe synon të rregullojë dhe të harmonizojë të gjitha problemet e shëndetit publik”, - vuri në dukje zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, duke shtuar se “shëndetësia shqiptare në sfidën e madhe të ruajtjes dhe përmirësimit të shëndetit të popullatës, mund t’i përballojë ato duke qëndruar në një themel të qëndrueshëm ligjor”. Ky ligj është përgatitur me asistencën teknike të OBSH dhe synon mbrojtjen e shëndetit dhe promovimin e jetesës së shëndetshme të popullatës në Shqipëri, përmes veprimtarive të organizuara, ndikimi i të cilave shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjitha grupet e popullatës. Ivanaj tha se "ligji rregullon marrëdhëniet e shtetit me të gjithë aktorët e ndryshëm që prodhojnë shëndet, apo përfitojnë shëndet në favor të mirëqenies fizike, mendore dhe sociale të gjithë individëve, që jetojnë në lagje, qytet, fshat, apo lokalitet në Shqipëri".

Ndërkohë, sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, ligji do të ofrojë një paketë bazë shërbimesh për të gjithë njerëzit, pavarësisht përfshirjes së tyre ose jo në skemën e sigurimeve. Një ndër risitë që sjell ligji në fushën e shëndetit publik do të jetë krijimi i një këshilli kombëtar, i cili do të jetë organ këshillimor për Ministrinë e Shëndetësisë për çështje shumë të rëndësishme të fushës. Anëtarët e tij, të cilët do të përzgjidhen me vendim të Këshillit të Ministrave, duhet të paraqesin çdo katër vjet një raport për shëndetin publik në Kuvendin e Shqipërisë.

OBSH

Shkëmbimet tregtare, aeroportet dhe kufijtë tokësorë janë ndër pikat kryesore që ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve dhe deri të epidemive. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ajo ka vlerësuar këto vende tejet të rrezikshme për përhapjen e sëmundjeve, si dhe u ka kërkuar shumë vendeve që të shtojnë kontrollet në këto pika. Ndërkohë që në rast evidentimin e ndonjë sëmundjeje infektive apo epidemie të japin alarmin.

Inspektorët sanitarë

-Kanë të drejtë të kenë akses në mjedise, produkte, mallra, aktivitete dhe persona;

-Të kenë akses në informacionin dhe dokumentet, objekt i kontrollit, si dhe të sigurojnë kopje të tyre;

-Të marrin mostra për analiza laboratorike në sasitë e nevojshme;

-Të kërkojnë ekzaminime dhe teste për vlerësimin e gjendjes sanitare të personave në detyra të caktuara;

-Të kërkojnë largimin nga puna të personave që përbëjnë kërcënimin për shëndetin e të tjerëve si pasojë e bartjes së një infeksioni;

-Të urdhërojnë masa të detyrueshme higjienike dhe antiepidemike duke caktuar afate për zbatimin e tyre;

-Të urdhërojnë vendosjen e shenjave paralajmëruese sanitare;

-Të vendosin gjoba në rast shkeljeje të normave dhe ligjeve në fuqi.

Sëmundjet infektive

Ndërsa për sa i takon parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve infektive përcaktohet me një nen të veçantë, në të cilin thuhet se parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve infektive përfshin survejancën e sëmundjeve infektive dhe faktorëve të rrezikut, si dhe tërësinë e masave që synojnë parandalimin e zhvillimit të agjentëve infektivë, minimizimin e ekspozimit ndaj infeksioneve, reduktimin e ndjeshmërisë së individëve dhe popullatës ndaj sëmundjeve infektive, parandalimin e zhvillimit të shenjave biologjike dhe klinike të sëmundjeve infektive, diagnozën e hershme dhe trajtimin e bazuar në evidencë të sëmundjeve infektive dhe parandalimin apo minimizimin e ndërlikimeve të sëmundjeve infektive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›