E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia e plotë e Sokol Bizhgës: E vërteta e masakrës në Qafë-Gjashtë



Sokol Bizhga, ish-shef i Krimeve në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, dëshmon për herë të parë para togave të zeza dhe përballë të pandehurve të akuzuar për masakrën e Qafë-Gjashtës, pse u nis për në Sarandë, cili ishte misioni, kush e urdhëroi apo nëse ia kërkoi dikush nga eprorët miqësisht, me kë u takua në qytetin bregdetar të Vlorës, a mundi ta përmbushë misionin dhe çfarë ndodhi në Qafë-Gjatë pasditen e 4 marsit të vitit 1997. Dëshmia e tij zgjati 2 orë, pasi nga prokurori iu dha mundësia të rrëfejë para, gjatë dhe pas ngjarjen, për t’u përballuar më pas me disa nga pyetjet e avokatëve dhe të pandehurve. Pas Bizhgës, për gati pesë orë të tjera, radhën e kanë pasur për të dëshmuar disa nga personat me të cilët është përballur ish-shefi i Krimeve në Sarandë, apo dhe disa nga personat që kanë qenë ditën e ngjarjes në karburantin ku ndodhi masakra. Por, ajo që ra në sy gjatë tre dëshmive të para ishin kundërshtitë mes njëra-tjetrës. Ajo që thoshte Bizhga nuk korrespondonte fare me variantin e dhënë nga dëshmitari Fatos Mahmutaj apo dhe dëshmitari tjetër, Armando Hysa. Por, kundërshtitë më të mëdha ishin ato mes dëshmisë së Mahmutaj dhe Hysës për të njëjtën rrjedhë ngjarjeje. Deklarimet e tyre, ndonëse në kundërshti me njëra-tjetrën, janë kontestuar pjesërisht edhe nga prokurori, i cili paraqiti detaje të ndryshme që hedhin dritë mbi ngjarjen dhe rrethanat e saj.

Dëshmia

“Quhem Sokol Bizhga, i biri i Selamit dhe i Sahos, datëlindja 4 prill 1962, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë. Kam qenë me detyrën e shefit të Policisë Kriminale në rrethin e Vlorës deri më 1 prill 1997. Në fund të muajit shkurt, kur situata kriminale ishte shumë e rënduar dhe ishin hapur depot e armëve, në Komisariatin e Policisë Vlorë shkonim në punë pak oficerë dhe policë. Mundoheshim të bënim organizimin e tyre, por kjo ishte e pamundur. Megjithatë, shërbimet për ruajtjen e komisariatit kryheshin në rregull. Në datën 2 mars 1997, në kohën që po i raportoja zv.ministrit të Brendshëm, Agim Shehu, për situatën në Vlorë, ai më tha miqësisht, jo me urdhër, se do ishte mirë të dërgonim ndonjë njeri edhe në Sarandë, për të parë se si po zhvilloheshin ngjarjet, pasi nuk kishte asnjë informacion. Unë i thashë se nuk kam shumë oficerë dhe biseda u mbyll. Në datën 4 mars 1997, rreth orës 09:00, pasi raportova përsëri për situatën në Vlorë, ma përsëriti edhe njëherë të njëjtën kërkesë, duke më thënë që duhet të shkojë njeri në Sarandë dhe të mundohet të ngrejë komisariatet, të mbledhë policinë siç po veproni ju aty. Atëherë, unë i thashë që po shkoj vetë, me qëllim që pas përfundimit të detyrës të shkoja në Gjirokastër për të takuar prindërit. Thërrita inspektorin e Rendit, Myzafer Blushi, i cili kishte një makinë private dhe i thashë të shkonim bashkë në Sarandë dhe ai m’u përgjigj se “jam gati të vij me ty”. Ndërkohë, takojmë edhe policin Eduard Alia dhe në koefidencë i thamë që të vinte me ne dhe ai pranoi. Kur po merrnim karburant dhe po bëheshim gati për t’u nisur, vjen oficeri Gjergji Mehmeti dhe më thotë se ku do shkoja dhe unë i shpjegova se për ku. Ai më tha që do të vij edhe unë dhe kur të mbarojmë punë kthehemi nga Gjirokastra në Tepelenë dhe pastaj në Mallakastër, për t’u takuar me njerëzit e tij, dhe pastaj për t’u kthyer në Vlorë. Nuk i ramë nga Tepelena për në Sarandë, pasi kishim të dhëna se dilnin maska dhe nuk ofronte siguri. U nisëm pa i thënë njeriu, për të ruajtur fshehtësinë e lëvizjes dhe rreth orës 13 kemi mbërritur në Sarandë, duke përshkruar rrugën Vlorë-Orikum-Himarë-Borsh. Gjatë rrugës ndaluam në Llogora dhe hëngrëm drekë, madje morëm edhe bukë me vete. Aty takuam edhe dy persona, të njohurit tanë, të cilët do shkonin me makinë në Gjirokastër. Mbërritëm në Sarandë dhe shkuam drejt e në komisariatin e policisë së këtij qyteti, ku vumë re se nga godina dilte flakë e tym. Dukej sikur sapo ishte djegur. Zbritëm nga makina dhe pamë përreth se mos kishte ndonjë punonjës policie. Nuk pamë asnjë polic pranë. Aty pranë nesh pamë një grumbull me 7-8 persona, te sheshi në qendër të qytetit, të cilët nuk reaguan as pozitivisht dhe as negativisht për vajtjen tonë. Bëmë një xhiro nëpër Sarandë dhe shkuam deri tek porti, ku vumë re se shumë njerëz po lëviznin aty. Prej andej u larguam dhe sa shkuam te këndi i lojërave, unë u thashë shokëve se duhet të bëjmë një telefon për të lajmëruar sa konstatuam. Pyetëm ku mund të gjenim një telefon. Një burrë na tha se kishte telefon, por e kishte me numër grek dhe kushtonte më shumë. E morëm telefonin dhe komunikova me zv.ministrin, duke i thënë se ishte e pamundur për të ngritur një komisariat. Më pas u larguam me një “Benz 240”. Shkuam te shtëpia e djalit të hallës sime, Skënder Çela, që kishte qenë polic në Sarandë dhe i thashë që të lajmëronte sa më shumë punonjës policie, që të grumbulloheshin pranë komisariatit. Ai më tha se kishte dy muaj që ishte pezulluar, por unë i thashë do e bësh për mua. Parë se të largoheshim për në Gjirokastër pritëm 2 orë se mos grumbulloheshin policë dhe Gjergji na tha të shkonim në Butrint për të ngrënë drekë, ngaqë e kishte marrë malli nga koha kur kishte qenë me shërbim në këtë zonë. Më pas shkuam për drekë në Butrint, në një lokal të braktisur, ku hëngrëm ato që kishim marrë me vete. Qëndruam 1 orë. Më pas u kthyem dhe rrugës morëm një ushtar në makinë, i cili kishte braktisur repartin, pasi ishin larguar të gjithë. Bëmë edhe një lëvizje në qytet kur na parakalon një makinë që qëllonte vazhdimisht me automatik. Ne vazhduam lëvizjen. Më pas, një makinë me shpejtësi na parakaloi dhe na preu rrugën. Zbriti njëri me automatik dhe u afrua te ne. Na u afrua dhe na tha: Çfarë jeni? Dola dhe i thashë që jam shefi i Krimeve në Vlorë dhe i kapa automatikun atij. Nga makina zbritën edhe dy persona të tjerë. Shoferi i makinës iku me shpejtësi. Kemi marrë këtë Bubeqin (drejton gishtin nga Edmond Sejko) dhe hipëm në makinë. I morëm miqësisht. U thamë: Ju na siguroni rrugën. Vazhduam rrugën derisa mbërritëm në Qafë-Gjashtë. Hasëm në një breshëri armësh pranë një karburanti, sapo kishim bërë vetëm 100 metra rrugë. Ndaluam makinën e drejtuar nga Myzaferi prapa një kamionçine të madhe që rastësisht ndodhej aty. Në këto kushte u thamë personave që na qëllonin: Prisni të merremi vesh, dhe zbritëm dy sarandjotët nga makina që të negocionin me ata që qëllonin, që të mos na godisnin. Ata zbritën nga makina dhe kur kishin bërë vetëm 2/3 e rrugës u thanë shokëve të tyre: Tufjani! Ishin një grup njerëzish në pozicione zjarri. Breshëria ishte e madhe. Dëgjova Mehmetin që më tha: U plagosa. Ku, - i thashë dhe ai m’u përgjigj: Në këmbë. Në kohën kur po qëllonin, unë u thashë se jam Sokol Bizhga, mos qëlloni se jemi lebër. Ata vazhduan të qëllonin dhe në atë kohë qëllova edhe unë ndaj tyre, mbi koka që të mos i vrisja. U thashë dy shokëve që të largoheshin se e kishin me mua, të merrnin makinën dhe të ktheheshin në Sarandë, ndërkohë unë do t’u mbroja anët, duke qëlluar në ajër. Por, policët u hutuan dhe po mundoheshin të fshiheshin. Më pas mora 6 granatat që kisha në makinë, të cilat kishin një rreze të shkurtër, dhe i hodha në atë largësi që të mos rrezikoheshin as ata dhe as unë. Hodha sytë vërdallë dhe pashë që policët ishin larguar dhe unë nisa të shkoja nga një tjetër anë, me qëllim që t’i tërhiqja personat që na sulmuan drejt vetes. Vazhdova të qëlloja duke u përpjekur për t’u larguar. E mora rrugën me vrap, mes plumbave dhe mendova të fshihesha në një kodër të pyllëzuar. Por, e dija që aty do gjendesha përballë plumbave pa pasur mundësi të mbrohesha dhe vrapova për te një kodër ngjitur, ku zura pozicion te një shkurre që kishte një shkëmb të vogël përpara. Krismat vazhdonin derisa përballë meje pashë këta persona me një tank, nga i cili qëllonin me breshëri. Atëherë, unë kalova anës përroit të Çukës, vrapova derisa dola në Qafë-Muzinë dhe mbërrita ditën tjetër në Gjirokastër. Kur mbërrita aty mësova se Gjergjin e kishin vrarë, Eduardin e kishin kapur, ndërsa Myzaferi kishte shpëtuar. Në televizion mësova se Gjergjin e kishin djegur”.

Reagimet

Pas përfundimit të dëshmisë së Bizhgës, kanë reaguar avokatët e tyre dhe të pandehurit. Ata kanë kundërshtuar versionin e dhënë të fakteve, duke pretenduar se Bizhga dhe të tjerët kanë marrë peng Fatos Mahmutaj dhe Edmond Sejkon, ky i fundit me pseudonimin Bubeqi. Mirëpo, versioni i fakteve të paraqitur nga avokati i Sejkos, është kundërshtuar nga Bizhga, i cili është shprehur se “nuk kemi marrë peng asnjë person. Nëse do kishim pasur atë qëllim, nuk do i kishim lëshuar dy personat në Qafë-Gjashtë. Biseduam rrugës me ta dhe u thamë se kush ishim dhe ku do shkonim. Por, kur ata u afruan te shokët, u thanë atyre të na qëllonin dhe jo të ndërprisnin zjarrin”. Ndërsa të pandehurit i kanë thënë Bizhgës se ky ka plagosur një shtetas kur hodhi granata në Qafë-Gjashtë. Këtij pretendimi, Bizhga iu përgjigj se “unë i hodha granatat, nuk e mohoj këtë fakt. Por nuk di të ketë kaluar njeri aty ku unë i hodha dhe të jetë plagosur. Nëse është plagosur njeri, i them të më falë”.

Sa persona kanë qenë në postbllok atë ditë?

Nuk e përcaktoj dot se sa persona ishin në postbllok, duke qenë se nuk i njihja, sepse nuk isha nga Saranda dhe se nuk kisha punuar në këtë qytet. Por, ajo që di të them është se kanë qenë mbi 20 veta dhe armët e tyre nga sa dëgjoja të shtënat ishin “Kallashnikov”. Kur dolën në Qafë-Gjashtë dëgjuam breshëri armësh dhe nga ky shkak qëndruam, por asnjëri prej nesh nuk u dëmtua nga ky zjarr. Kur jam larguar nga vendngjarja, pasi mendova se Eduarti e Myzaferi ishin të sigurt, breshëria vazhdonte pas meje. Fillimisht në një distancë 50-60 metra dhe më pas unë u largova nga fushëpamja e tyre në distancën 200 metra. Ata vazhduan të më ndjekin nga ora 1 e drekës deri në 6 pasdite, por nuk arritën të më gjenin.

Si është plagosur Fatos Mahmutaj?

Unë nuk di të jetë plagosur njeri, pasi deri sa mbërritëm në Qafë-Gjashtë nuk ka pasur shkëmbim zjarri. Në kohën kur na ndaluan me makinë, ishte Bubeqi ose Edmond Sejko (duke e treguar me gisht nga kafazi) i shoqëruar nga dy të tjerë, por që nuk i njoh për fytyra, që nuk i njoh as si emra. Unë vetë u identifikova. Ata morën dijeni që ne ishim punonjës policie. Nuk është e vërtetë se kemi qëlluar dhe plagosur Fatosin, sepse ne mund të kishim qëlluar shoferin që iku, jo ata të dy që i kishim. Unë nuk kam vënë re që Fatosi të ketë pasur dëmtime, të jetë plagosur.

Kush ishte personi që tha Tufjani (Qëlloni)?

Edmond Sejko ose Bubeqi (tregon me gisht të pandehurin në sallën e gjyqit). Më ka ngelur kjo fjalë në mendje, pasi nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, edhe pse jam vetë nga Jugu.

Sa granata hodhët dhe kur?

Unë hodha 6 granata. të cilat i kisha në makinë. I hodha në një rreze të shkurtër, që të mos dëmtoheshin as ata dhe as unë. Pastaj u largova.

Ju plagosët një person aty që kaloi me motor?

Nuk mbaj mend të ketë kaluar një person me motor kur hodha granatat, por i kërkoj falje nëse kam plagosur njeri.

Dëshmia e Fatos Mahmutaj: Na morën peng nën kërcënimin e armëve

Një ndër dëshmitarët e djeshëm ka qenë edhe Fatos Mahmutaj, kunati i Bubeqit ose Edmond Sejko. Ai ka dhënë dje versionin e tij të fakteve mbi ngjarjen e 4 marsit 1997. “Atë ditë kam takuar Mondin dhe dolëm në rrugë për të shkuar te gruaja ime që ishte për të lindur. Rrugës ndaluam Armando Hysën, të cilit i kërkuam të na shoqëronte me makinë. Rrugës pamë dy makina pa targa dhe Mondi mendoi t’i ndalonte dhe t’u thoshte të vinin targat. Nuk e kisha mendjen kur Mondi shkoi te makina dhe pashë që po qëllonin me armë. Unë hapa derën dhe mbeta i plagosur në këmbë. Më morën edhe mua peng dhe nën kërcënimin e armëve nuk di deri ku shkuam. Ndaloi makina dhe dëgjova të shtëna armësh. Në një moment nuk pashë njeri në makinë dhe dola prej saj dhe u largova. Kalova pranë një muri dhe nga aty rashë dhe kur kam hapur sytë kam parë që po më çonin me makinë në spital. Nuk më bënë dot operacion në Sarandë dhe u nisa drejt Korfuzit me peshkarexhë, i shoqëruar nga doktori. Nga lajmet mësova se çfarë kishte ndodhur në Qafë-Gjashtë”, - përfundoi rrëfimin dëshmitari Mahmutaj.

Dëshmia e Armando Hysës: Bubeqi dhe Mahmutaj ishin të armatosur

Një tjetër dëshmitar i thirrur për masakrën e Qafë-Gjashtës ishte dhe shtetasi Armando Hysa. Ky është identifikuar si personi që lëvizi në Sarandë me Bubeqin dhe Mahmutajn, deri në momentin që ranë në kontakt me Sokol Bizhgën, Eduard Alian, Gjergji Mehmetin dhe Myzafer Blushin. “Pasi përfundova shpërndarjen e bukës, do shkoja të mbushja me karburant makinën. Rrugës më bëri shenjë të ndaloja Edmond Sejko e Fatos Mahmutaj. Kur ishim duke kaluar te nënstacioni rrugës për në Qafë-Gjashtë, pamë një makinë pa targa, të cilën Bubeqi tha ta ndalonim. E parakaluam dhe ndaluam. Edmondi doli nga makina dhe iu afrua asaj. Dëgjuam debate dhe më pas të shtëna. Nga makina doli edhe Fatosi, dhe disa plumba shpuan makinën time në disa vende. Më thanë të dilja edhe mua nga makina, më pyetën se kush isha dhe pastaj më thanë të futesha sërish në makinë. U nisa me shpejtësi dhe me dyert e makinës hapur. Kur mbërrita te karburanti i Stefan Vasos, më pyetën se çfarë kisha në momentin kur dola për të mbyllur dyert. I thashë më qëlluan disa persona. U largova më pas dhe shkova te dajat në Gjashtë derisa erdhi im atë në darkë dhe më mori. Te karburanti, nga njerëzit që më pyetën dallova Vladimir Sinanin aty, të tjerët nuk arrita t’i fiksoj. Fatosi dhe Bubeqi ishin të armatosur kur hipën në makinë me mua”, - u shpreh ai, ndërsa lidhur me personat që morën Bubeqin e Mahmutajn, dëshmitari u shpreh se “ata ishin me veshje ushtarake”.

Vëllezërit Vaso: Ladin dhe Nestorin i punësuam në karburant për të na mbrojtur

Stefan e Nikolla Vaso, dy pronarët e karburantit ku ndodhi masakra, kanë qenë dy nga dëshmitarët e thirrur dje për ngjarjen. Ata dhanë gati të njëjtin version të fakteve. Vëllezërit Vladimir e Nestor Sinani ishin punësuar prej tyre për të punuar në karburant. Ishte kohë trazirash dhe sipas tyre, kishin frikë. Ditën kur ndodhi ngjarja ata konfirmojnë që dy vëllezërit Sinani ishin të pranishëm në karburant, por që nuk kishin parë se kush qëlloi dhe çfarë kishte ndodhur jashtë karburantit. Sipas vëllezërve Vaso, ata nuk kanë parë persona të tjerë në karburant përveç rojës, shitësit, dy vëllezërve Sinani që i kishin të punësuar dhe Arsen Mehmetit, kushëririt të këtyre të fundit. Dëshmitarët deklaruan se gjithçka ndodhi në 20 minutat e të shtënave, i mësuan ditë më pas nga thëniet e të tjerëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›