E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop makinave në sheshin "Skënderbej"

TIRANE-Bllokimi i bulevardit kryesor drejt sheshit "Skënderbej" është pasuar dhe me mbylljen e rrugës që kalon përpara xhamisë dhe Sahatit të Tiranës. Shenjat ndaluese dhe sinjalistikën e re punonjës të Bashkisë e kanë bërë gjatë fundjavës, por realisht prova e parë e kësaj skeme të re qarkullimi do jetë dita e sotme, sepse lëvizja e automjeteve në fundjave është shumë herë më e reduktuar se sa ditët e punës. Për aplikimin e skemës së re të qarkullimit në kryeqytet në qendër, për shkak të punimeve në sheshin "Skënderbej" ka folur drejtori i transportit Enton Punavija. Sipas tij skema e re do t'i japë përparësi lëvizjes së transportit urban ndërsa pritet të zhbllokojë dhe sheshin "Skënderbej" nga qarkullimi i automjeteve private, pasi me këtë skemë të re do të lëvizin vetëm mjetet e transportit publik.
Skema e re
Bashkia e Tiranës ka aplikuar skemën e re të devijimit të trafikut në sheshin "Skënderbej" për shkak të punimeve në këtë zonë. Në një prononcim për mediat kreu i drejtorisë së transportit në Bashkinë e Tiranës tha se trafiku, i cili vinte nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit" do të s'postohet drejt bulevardit "Zhan d`Ark" dhe "Bajram Curri". "Skema e qarkullimit konsiston që fluksi i trafikut që binte mbi bulevardin "Dëshmorët e Kombit" tani do të kthehet në të dy bulevardet, "Zhan d'Ark" dhe në bulevardin "Bajram Curri". Do të hiqet parkimi në bulevardin "Bajram Curri" dhe rrugën "Punëtorët e Rilindjes". Kjo është një skemë qarkullimi, e cila prioritizon skemën e qarkullimit të transportit publik, i cili ndryshe nga mjetet private do të kalojë në qendër të qytetit", - bëri të ditur Enton Punavija, drejtor i transportit në Bashkinë e Tiranës. Drejtuesit e Bashkisë së kryeqytetit kanë kërkuar dhe mirëkuptimin e qytetareve ndërsa kanë paralajmëruar dhe për ndryshimin e kohëve në të gjithë semaforët. Drejtori Punavija, ka kërkuar nga policia kontrollin e fluksit të trafikut në të gjitha kryqëzimet kryesore, si tek ura e re mbi Lanë, pranë ish-bllokut, ura tek rruga e "Elbasanit". "Zhan d'Ark", "Bajram Currin" dhe "Punëtorët e Rilindjes" janë rrugët kryesore që do të përballojnë ngarkesën më të madhe të kësaj lëvizjeje të re në qendër, e cila në fundjavë nuk u shoqërua me bllokime në trafik, por këtë fillim jave piritet të shfaqen problemet sidomos në orët e pikut.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›