Stop...!
Nga Bedri Çoku
Aqif Selimi, 83-vjeçar, adjutant dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mustafa Gjinishit, në një emision televiziv tregonte se pas shpartallimit të forcave partizane nga gjermanet në operacionin e dimrit, Shtabi i Përgjithshëm i NÇ-së dha urdhër që të gjithë partizanët e çetave të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre (me leje), për t’u rikthyer në një kohë të pacaktuar, kur do ta shikonte të përshtatshme Shtabi i Përgjithshëm, në ilegalitet.
Unë, - thotë Aqif Selimi, - isha gjithë kohën prapa Mustafa Gjinishit, i cili komunikonte me të gjitha forcat ushtarake kundra pushtuesve. Me ballistët, zogistët, me këshilltarët anglezë dhe kryesisht me Shtabin e Përgjithshëm të Nacional-Çlirimtares. Ai nuk ishte komunist, ishte atdhetar dhe luftonte për çlirimin e vendit nga okupatorët. Në konferencën e Labinotit bëri atë që deri më sot nuk ka guxuar asnjeri nga pjesëmarrësit që ta tregojë. Për shkak të ndërhyrjes së tij gjatë zhvillimit të konferencës, ajo u ndërpre gati një çerek ore. Sepse, ndërkohë që Ymer Nishani po lexonte rezolutën me tri pika, e cila thoshte se: 1) Shqipëria shpallej Republikë. 2) Ndalohej kthimi i Mbretit Zog në Shqipëri. 3) Shqipëria njihte kufijtë e vitit 1939..., Mustafai thërret nga mesi i sallës:
- Stop!... Stop!
Dhe i drejtohet Enver Hoxhës me gisht.
- Po ty, mor tradhtar, kush ta ka dhënë të drejtën që ta shesësh Shqipërinë... të pranosh kufijtë e saj të përgjysmuar?
Ndërkohë, ndërhynë Mehmet Shehu kundra Mustafait, i cili e akuzon atë si shovinist...
Ky, nxjerr koburen dhe i përgjigjet menjëherë. Edhe Mehmeti e nxjerr të tijën me shpejtësi. Ishin të dy trima...
- Ti, kriminel, mbylle gojën! - i thotë Mustafai... Sepse je i dënuar me vdekje, për vrasjen e 80 myzeqarëve të pafajshëm... Por, çfarë t’u bëj këtyre, unë...
Dhe drejtohet nga Mugosha, Miladin Popoviçi e Myslym Peza...
Ndërhyjnë të gjithë për të zbutur gjakrat.
Ndërkohë Mustafai priti që ta përkrahnin delegatët, sidomos Koço Tashko dhe Sejfulla Malëshova, të cilët i kishte shumë miq. Por edhe ata nuk u ndien. Konferenca miratoi vendimet e shpallura, sipas interesit të serbëve që e kishin organizuar atë... Ndërsa Mustafa Gjinishi u largua nga konferenca i zemëruar, gati me të gjithë.
Ai iu derdh Myslym Pezës tek i cili kishte mbështetjen dhe besimin më të madh, duke i thënë:
- A u binde tani që ata janë të gjithë kundra Shqipërisë... Se ata janë duke realizuar ëndrrën serbe për të zhvatur Kosovën?
Nga shënimet në bllokun e Mustafait që e kam lexuar me sytë e mi, - thotë Aqif Selimi, - Myslym Peza ishte në një mendje me Mustafa Gjinishin, por ai asnjëherë nuk e mbështeti patriotin e flakët për çështjen e shqiptarizmës. Edhe kur Mustafanë e transferuan, pas ca ditësh, për në Veri, gjoja me shërbim të posaçëm, ai e paralajmëroi Myslym Pezën se transferimi për në Veri po bëhej për qëllime të errëta...
- Po të gjeti gjë ty, - i tha Myslymi, - unë do ta çoj gjakun deri në gju të kalit... Këtë, ta dinë mirë cilido, edhe Enveri me serbët në Shtab...
Megjithatë, Mustafai e respektoi vendimin e Shtabit të Luftës, u nis në Veri. Si gjithmonë, unë nuk i ndahesha atij asnjë sekondë. Kisha edhe porosinë e Myslym Pezës që ta ruaja Mustafanë se, siç thoshte ai, e kishim si ujin e pakët ndër shqiptarët që luftonin për trojet tona...
Ndodheshim në Dibër për t’u organizuar që të kalonim në Kosovë. Papritur, Mustafain e thërrasin për të marrë pjesë në mbledhjen e komitetit, me kuadrot e lartë të çetave dhe brigadave.
Ishte 20 shtatori i vitit 1944. Sapo mbërritëm në Maqellarë, mes kuadrove të grumbulluara, ndodhej edhe Hysni Kapo, i cili e ftoi Mustafanë të jepte mendimin e tij për diskutimet që po bëheshin në ato çaste për personalitetin e Titos e të fitores së shpejti të popujve sllavë kundra nazifashistëve. Mustafai, pasi dëgjoi një copë herë dikutantët, tha:
- Po si nuk ju vjen keq për popullin shqiptar që ka 5 vjet në luftë kundra okupatorëve për çlirimin dhe bashkimin e vendit, ndërsa juve ju djeg barku më shumë për fitoren e pansllavizmit në botë...?!
Të gjithë ulën kokën, pa guxuar njeri t’i përgjigjet.
Pas pak, aty kaluan edhe Enveri me Mehmet Shehun, të cilët po shkonin, gjoja, për të marrë pjesë në organizimin e brigadës së katërt. Pas tyre u nisën edhe të tjerë. Mbaj mend se menjëherë pas Mustafait, u nisën edhe Ndreko Rino me Liri Gegën. Ai para, ata pas. Pa u futur mirë në pyll, në trupin e Mustafait u derdh pa pritur një karikator i tërë me fishekë. Një shtatëmbëdhjetëvjeçar, i ndodhur afër atentatit, zbrazi automatikun në ajër për të dhënë alarmin. Së pari, ai takoi Ndreko Rinën dhe Liri Gegën, të cilëve u shprehu lajmin e vrasjes së Mustafait. Edhe unë shkova me vrap sapo i dëgjova krismat, por ishte vonë. Mustafai dergjej i pafrymë në tokë.
Liri Gega gjithë indiferentizëm e me ironi pyeti djaloshin partizan:
- More djalosh, a e pe mirë, Mustafai vdiq, apo vdiq krejt, a?
Dhe vazhdoi rrugën qetë-qetë për ku qe nisur me Ndreko Rinën.