Përse nuk kemi krizë
Nga Fatos Çoçoli
Së pari, pse sistemi financiar ishte burimi i krizës më të madhe ekonomike botërore pas viteve të depresionit të madh 1929-1933, krizës që shpërtheu më 28 shtator 2008 me falimentimin e gjigandes 148-vjeçare amerikane, bankës “Lehman Brothers”. Ndërsa tek ne, sistemi financiar nuk pati probleme të vetat. Në tërësinë e bankave në Shqipëri, asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar vështirësi apo probleme në funksionim, aq më pak të kapitaleve apo të portofoleve të kredisë së keqe (të pakthyer në kohë). Me gjithë zhurmën e disa pseudogazetarëve ekonomikë, kreditë problematike ngelen nën nivelin 5 për qind dhe në shifra të moderuara për sistemin tonë bankar. Edhe pse kreditë për qytetarët dhe bizneset janë rritur me 3.7 herë në krahasim me tre vite më parë, sërish ato nuk përbëjnë as 40 për qind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm të vendit, pra një nivel që nuk mund të shkaktojë probleme shumë të mëdha në ekonominë tonë edhe sikur të gjitha kreditë të dilnin si me magji negative të këqija. Vetë huatë për familjarët nuk përbëjnë më shumë se 5 për qind të prodhimit tonë të përgjithshëm të brendshëm. Mirëpo kishim në muajt tetor-dhjetor 2008 “krizë” në mendësinë e njerëzve, pse për shkak të lajmeve gati të frikshme në sistemin bankar botëror dhe në shqetësimin e emigrantëve për vendet e tyre të punës, tek depozituesit shqiptarë u vunë re shenja tronditjeje. Për më tepër, kjo mendësi, e nxituar edhe nga një propagandë e papërgjegjshme, në gjuajtje të skupit, të skandalit, të lajmit të kobshëm, e disa mediave, bëri që 10% e depozitave në 3 muaj të rrjedhin nga sistemi bankar. Por ama pa dëmtuar funksionimin normal të gjithë sistemit. Duke filluar nga janari i këtij viti e në vijim, sistemi duket i stabilizuar. Besimi po rikthehet gradualisht. Janë shtuar depozitat. Së dyti, qeveria mori nismën për të rritur nivelin e garancisë së depozitave nga 7 milionë lekë të vjetra në 25 milionë lekë, pra duke e shtuar kështu me tre herë e gjysmë. Kësisoj mbulohen me garanci të plotë mbi 90 për qind e depozitave të sistemit bankar. Së treti, kursi i këmbimit, leku ynë në raport me euron dhe dollarin. Jo të paktë ishin ata tifozë të kiametit ekonomik që i kënduan «Te Deum»-in (vajtimin fetar për humbjen) lekut, duke e konsideruar në gremisje pa kthim. Është e vërtetë që, krahasuar me verën e vitit të kaluar, kemi një zhvlerësim të lekut në nivelin 6% me euron dhe dollarin. Por ama në të njëjtën periudhë zhvlerësimi i monedhave të rajonit (krunes kroate, dinarit maqedonas, krumës malazeze etj.) është mesatarisht 15% dhe ka vende që kanë nivel zhvlerësimi shumë më madh se kaq.
Ruajtja e një niveli të tillë të stabilitetit të kursit të këmbimit është tipar i shëndetit të ekonomisë sonë dhe mirëfunksionimit të vetë tregut, pasi Banka Qendrore, përveç ndërhyrjeve të përkohshme, të vogla, në masa shumë simbolike, nuk ka influencuar në nivelin e kursit të këmbimit, duke respektuar pozicionin e saj ligjor. Shqipëria mbetet me zhvlerësimin më të vogël të monedhës vendase në Evropë, në krahasim me euron.
Së katërti, për tre tremujorët e parë të vitit që kaloi, rritja ekonomike ishte mbi 9% e prodhimit të përgjithshëm të vendit dhe gjykohet se rritja vjetore mund të jetë nga më të lartat e 10 viteve të fundit. Sigurisht, ka pasur një tendencë të ngadalësimit të rritjes në tremujorin e fundit dhe ajo do të vijojë, por rritja ekonomike për këtë vit ngelet optimiste, në nivelin 6 për qind. Programi i investimeve publike në infrastrukturë do të ndihmojë ngritjen e kërkesës së brendshme konsumatore, si dhe në tërësi aktivitetin ekonomik në Shqipëri. Së pesti, në 1 maj 2009 taksa e punës (sigurimet shoqërore që paguan punëdhënësi) nga 20 për qind ulet në 15 për qind, duke nxitur punësimin. Së gjashti, niveli i borxhit publik është i moderuar ose mesatar për Shqipërinë. Vetëm 40 për qind e këtij borxhi është borxh i huaj, ndërsa pjesa tjetër është borxh i brendshëm në monedhë vendase. Për më tepër, në borxhin e huaj janë kredi të marra nga bankat e zhvillimit me interesa të buta dhe me afate tepër të gjata për t’i paguar. Pra është një portofol i përshtatshëm dhe jo problematik për fazën në të cilën ndodhemi dhe që lidhet me rreziqet e kursit të këmbimit. Këto janë arsyet kryesore pse nuk jemi realisht në krizë. Krizën e kanë në kokë vetëm të sëmurët e kiametit, e situatave katastrofike, apo ata që shkojnë me shpresë se të ulërasësh «Krizë!» të shton kapitalin politik.