E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia bllokon makinat në zonën e Pazarit të Ri



Bashkia e Tiranës ka vendosur të mos lejojë kalimin e automjeteve në zonën e tregut tek Pazari i Ri, në sheshin “Avni Rustemi”, nga ora 8 deri në orën 17. Por kjo nuk është mirëpritur nga 200 tregtarët. Për të realizuar nismën e saj bashkia ka bllokuar tri hyrjet e tregut me policë bashkiakë dhe zinxhirë, veprim ky që ka irrituar banorë e tregtarë, të cilët i kanë këputur ato, duke argumentuar se bllokimi i automjeteve po i falimenton.

Për të zbatuar urdhrin e dhënë, që asnjë automjet nuk duhet të qarkullojë në zonën e tregut gjatë orarit të caktuar, Policia Bashkiake ka gjobitur e madje ka bllokuar disa automjete sipas mënyrës së saj. Ndalimi i qarkullimit të makinave në këtë zonë do të shtrihet në shumë zona të tjera. Pas nisjes së punimeve për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, pritet që të ketë edhe ndalim qarkullimi të makinave. Kjo, pasi duke u bazuar në projektin fitues, thuhet që ky shesh do të jetë vetëm për qytetarët, pra për këmbësorët, duke mënjanuar në këtë mënyrë qarkullimin e makinave. Lëvizja e automjeteve do të bëhet në unazat e kryeqytetit, duke shmangur qarkullimin brenda qytetit, por edhe trafikun në të njëjtën kohë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›