EULEX-i kontrollon Kryeministrin në aeroport
Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër ministrave të kabinetit të tij, që e shoqërojnë për vizitë në Turqi, u janë kontrolluar në detaje bagazhet nga doganierët e EULEX-it në aeroportin e Prishtinës, shkruan e përditshmja “Zëri”. Sipas kësaj gazete, Thaçi bashkë me Fatmir Limajn, Enver Hoxhajn, Lutfi Zharkun dhe Blerand Stavilecin kanë përjetuar një kontroll të detajuar, teksa po kalonin përmes zonës VIP të Aeroportit për të udhëtuar për në Turqi. Përveç kontrollit, kreu i ekzekutivit dhe ministrat janë detyruar të ecin në këmbë për disa metra, nga se veturat e tyre nuk janë lejuar të hyjnë deri në pikën më të afërt, siç e praktikojnë zakonisht. Zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me këtë kontroll doganor jo fort të zakonshëm, megjithatë kanë sqaruar se bëhet fjalë për një procedurë të ligjshme. “Këto janë procedura të ligjshme”, ka bërë me dije zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, duke mos specifikuar nëse kontrollimi në ditën kur po udhëtonin zyrtarët qeveritarë është bërë me arsye të caktuar, shkruan ndër të tjera “Zëri”.
#