Strasburgu: Nuk i përket gjykatës kombëtare të tregojë teknikat e investigimit
“Nuk i përket trupit gjykues dhe aq më pak gjykatës kombëtare që të tregojë cilat teknika duhen përdorur nga gazetarët në investigimet e tyre”. Pasazhi në fjalë, i cituar dje nga “Top Channel”, ka autorësinë e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg dhe referon një rast të ngjashëm të gjykuar në vitin 2000, ku si palë ishte gazeta norvegjeze “Bergens Tidende”. Si një arbitër, vendimet e të cilit nuk mund të ankimohen, por të njihen si normë ligjore e detyrueshme për çdo shtet anëtar, ligjërimi në fjalë krijon përqasjen e duhur për të gjithë ata që e kanë të paqartë kufirin e investigimit gazetaresk. Përkufizimi i dhënë këtu, në formën gjuhësore përkatëse, shihet se nuk është nxjerrë nga ndonjë kontekst i caktuar, pse ky i fundit jepet si i përgjithshëm. Kjo ka një rëndësi thelbësore për të vlerësuar drejtësinë e vendimit të Gjykatës së Tiranës lidhur me rastin “Pango”, që nëse me shpërfilljen e kësaj praktike është shumë larg standardeve europiane, me vendosjen e gjobës 400000 euro ndaj televizionit “Top Channel” ka thyer çdo kufi. Madje edhe për aktin e gjobitjes, Strasburgu ofron dritaren e vlerësimit që në këtë rast vjen nga Austria. Në vendimin 9815/82, paragrafi 42, Lingens v.Austria, me pikënisje padinë e një politikani për shpifje, gjykata teksa njeh pafajësinë e të akuzuarit, nënvizon: “Ndryshe nga njerëzit e thjeshtë, një politikan e vë veten haptazi përpara gjykimit të thellë të çdo fjale, dhe veprimet nga gazetarët dhe nga publiku i gjerë rrjedhimisht duhet t’i pranojë me tolerancë”.
#