Strasburgu gjobit Shqipërinë
Humbja e dy gjyqeve, Strasburgu dënon me 100 mijë euro gjobë Shqipërinë. Janë dy vendime, në disfavor të Qeverisë shqiptare, për të cilat është vendosur zbatimi i tyre, në bazë të asaj që kanë vendosur togat e zeza të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Të dyja çështjet “Nuri” dhe “Hamzaraj”, trajtojnë probleme që i përkasin kthimit dhe kompensimit të pronave në qytetin e Lushnjës. Sipas gjykatës aplikuesja Tefta Nuri, 61 vjeçare, e cila ka zhvilluar një proces gjyqësor për rimarrjen e dy vilave, një ndërtese trekatëshe dhe një trualli 540 metra/katrorë në qytetin e Lushnjës. Këto prona i përkisnin një të afërmi të saj të vdekur, ndërkohë ishin sekuestruar nga shteti komunist në vitin 1949. Pas 10 vitesh procese gjyqësore ajo arriti të marrë në vitin 2004 dy vilat dhe ndërtesën trekatëshe, ndërsa trualli jo vetëm që nuk i është kthyer, por edhe nuk i është kompensuar edhe pas kërkesave të shumta të aplikantes nëpër institucionet shqiptare. Në fund gjykata duke vlerësuar se institucionet e drejtësisë shqiptare kanë kryer shkelje të Konventës Evropiane, ka penalizuar shtetin shqiptar, i cili duhet t’i paguajë aplikueses 71.5 mijë euro dëm ekonomik dhe 5 mijë euro dëm jo ekonomik, duke shtuar në këtë shumë taksat e aplikueshme dhe interesat bankare. Ndërsa është vendosur që afati i fundit për ekzekutimin e këtij vendimi është tre muaj nga momenti kur merr formë të prerë. Po kështu edhe çështja e dytë në ngarkim të qeverisë shqiptare ka të bëjë me një sipërfaqe trualli 576 metra katrorë, e cila gjithashtu ndodhet në qytetin e Lushnjës. Në vitin 1995 Gjykata e Lushnjës kishte njohur të drejtën e aplikantes në Strasburg, Afërdita Hamzaraj, për të përfituar një pronë 576 metra/katrorë të trashëguar nga i ati. Por, ndryshe nga ky vendim Komisioni i Kthim dhe Kompensimit të Pronave pretendoi se prona ishte e zënë dhe se nuk mund të kthehej fizikisht, ndaj duhej të kompensohej sipas ligjeve në fuqi. Por edhe pse kanë kaluar më tepër se 14 vjet trashëgimtarët “Hamzaraj” nuk kanë arritur të përfitonin shumën e kompensimit. Kështu, gjykata ka vendosur që brenda tre muajsh nga data kur vendimi merr formë të prerë, shteti shqiptar duhet të dëmshpërblejë me 12.5 mijë euro dëmin ekonomik ndaj familjes Hamzaraj, si dhe 5 mijë euro dëmin jo ekonomik. Në të dyja këto shuma llogariten taksat dhe interesat deri në momentin e shlyerjes përfundimtare. fa.ma