Sherri në burgun e Peqinit, hetim hakmarrjes së Agim Pepës
TIRANE - Del jashtë mureve të burgut të Peqinit sherri mes Agim Pepës dhe anëtarëve të bandës së Dritan Kateshit. Viktima e radhës ka qenë vëllai i madh i Kateshit, Astrit Kateshi, 43 vjeç, i cili është rrahur barbarisht nga njerëz të Pepës, mbrëmjen e së premtes në periferi të Librazhdit, ku ndodhej me punë si shofer në një firmë ndërtimi. Tre persona të panjohur, pasi i janë afruar kanë nisur ta qëllojnë me grushte dhe shkelma, duke e akuzuar fillimisht për ngacmimin e një gruaje në atë zonë. Pasi e kanë rrahur duke e lënë përtokë pa ndjenja dhe të gjakosur ata e kanë fotografuar dhe i kanë thënë se gjithçka ishte kompensim i dhunës që vëllai i tij, Dritani, i dënuar përjetë i kishte dhënë dy javë më parë Agim Pepës në qelitë e Peqinit. Gjithçka ka nisur pas një grindje banale më datë 22 shtator në korridorin e sektorit të sigurisë së lartë në burgun e Peqinit. Ndërsa fliste në telefon i dënuari Xhafer Palloshi është grindur me Agim Pepën, i cili i ka kërkuar të lironte kabinën telefonike. Dy ditë më vonë, më datë 24 shtator, ndërsa kalonte para qelive të së burgosurve elbasanas Pepa është qëlluar nga ata me grushte e shkelma, ndërsa pretendon se e kanë qëlluar edhe me një bombol gazi në kokë. Sipas tij, të burgosurit elbasanas janë solidarizuar në krah të të bashkëqytetarit të tyre Xhafer Palloshi. Pas kësaj ndërhynë me të shpejtë forcat policore të burgut, të cilët bënë veçimin e të burgosurve të sigurisë së lartë nëpër sektorë të ndryshëm. Madje, fillimisht autoritetet e burgut morën masën disiplinore të mbylljes në qelitë e izolimit të shokëve të Kateshit, por tre ditë më vonë u nxorën pasi pohuan se do i kërkonin falje Pepës. Por edhe pas kësaj shokët e Kateshit nuk u kthyen sërish në qelitë e tyre, por në mungesë të hapësirave të burgut, u mbyllën në sigurinë e zakonshme të burgut. Kjo është një nga arsyet pse Pepa është hakmarrë të vëllai i Kateshit, pasi e ka pasur të pamundur që të kontaktonte fizikisht atë. fa.ma.