E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu i jep ok Durdës, “së shpejti gjykohet Gërdeci”

19/03/2010 Zamira Durda, nëna e 7-vjeçarit të vrarë, vuri në lëvizje Gjykatën e Strasburgut

TIRANË- Tragjedia e Gërdecit ka mbërritur në Strasburg, pasi është pranuar padia e njërës prej banoreve, e cila ka humbur djalin e saj 7-vjeçar nga shpërthimi. Zamira Durda vetëm tre ditë më parë ka marrë në dorë përgjigjen pozitive, duke vënë në rrugë të mbarë betejën ligjore, të cilën e ka humbur me drejtësinë e vendit. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë se padia civile nuk duhej të gjykohej me padinë penale, ajo iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar këtë vendim. Mirëpo Kushtetuesja pa e nisur shqyrtimin vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë. Durda, e cila ndjek rregullisht të gjitha proceset për Gërdecin, përpiloi padinë duke ia drejtuar kësaj radhe Gjykatës së Strasburgut. Fillimisht asaj i erdhi një shkresë që kërkesa duhej të shoqërohej me një sërë dokumentesh. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, Durda ka marrë një tjetër shkresë zyrtare nga Strasburgu. Asaj i është komunikuar zyrtarisht se kërkesa i përmbush kriteret për t’u gjykuar nga kjo gjykatë dhe në ditët në vazhdim ajo do të njoftohet për datën e seancës së parë. Po sipas shkresës, Durda këtë proces mund ta ndjekë vetë ose e përfaqësuar.

Kërkesa dhe përgjigja

Në përgjigjen e ardhur kallëzueses Zamira Durda, nëna e Edison Durdës, fëmija që humbi jetën në këtë shpërthim, sqarohet se sekretariati i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka marrë letrën e datës 9 nëntor 2009, ku shpjegohet edhe qëllimi i drejtuar asaj gjykate. Durda vihej në dijeni në përgjigjen zyrtare se dosja e saj mban numrin 63543, ndërsa i është lënë një afat disa ditor për të përgatitur dosjen e tyre ku parashtrohen provat dhe pretendimet ligjore. Kërkesa ka këtë përmbajtje: “Unë, aplikuesja Zamira Durdaj, jam një nga trashëgimtaret ligjore të viktimave të tragjedisë së Gërdecit (15 mars 2008) në Shqipëri, e legjitimuar si e tillë, bashkë me të tjerët, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e paraqitur si palë në gjykim në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë. Me këtë kërkesë Ju drejtohem, pasi unë bashkë me trashëgimtarët e tjerë ligjorë duam të paraqesim ankim kundër shtetit shqiptar, para kësaj gjykate të nderuar dhe përkatësisht kundër vendimit nr. 66, datë 15. 7. 2009 të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u vendos moskalimi në seancë i çështjes së ngritur nga ne, kundër vendimit nr. 6, datë 22. 05. 2009 të Gjykatës së Lartë, me të cilin pa na verifikuar si palë në proces na kanë veçuar, duke na hequr të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Historiku i betejës ligjore të Durdës

Rrëzimi i kërkesës së parë

Pasi shkalla e parë e gjyqësorit dhe Gjykata e Lartë nuk morën parasysh kërkesën e familjarëve për shqyrtimin e padisë civile brenda asaj penale, të dëmtuarit iu drejtuan Kushtetueses. Por kolegji i kësaj gjykate supreme nuk e mori fare parasysh kërkesën duke e rrëzuar pa e shqyrtuar. Në arsyetimin e saj Gjykata Kushtetuese shprehet se dy shkallët e para ende nuk kanë përfunduar hetimin gjyqësor dhe në këto kushte nuk mund të kalohet në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa palët pretendonin se kërkesa ishte e ndërmjetme dhe si e tillë duhej të shqyrtohej. Familjarët e viktimave kërkuan të ishin pjesë e gjyqit me qëllim që veç dënimit penal ndaj të akuzuarve, me burgime ose me gjobë, të kërkonin dëmshpërblim prej tyre për viktimat e shkaktuara nga ngjarja e Gërdecit.

Kushtetuesja pritet të shprehet për herë të dytë

Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet për të dytën herë për tragjedinë e Gërdecit. Dy të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit, Roxhers Durdaj dhe Alekta Hazizaj, kanë dhe një mundësi të vetme për të vijuar betejën ligjore me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pas dy vitesh, nga dita e tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e pak ditëve më parë të Gjykatës së Lartë për mospërfshirjen e ish- ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu, në procesin gjyqësor për ngjarjen. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit më 15 marsin e vitit 2008, u vranë 26 persona, punëtorë dhe banorë të zonës përreth, mes të cilëve edhe gra e fëmijë. Nga shpërthimet u plagosën apo u lënduan 300 persona të tjerë, ndërsa pati shkatërrime dhe dëmtime të banesave e të bizneseve private në një rreze deri në 5-6 kilometra.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›