Strategji për kursimin e energjisë, 9% më pak deri më 2018
Për të shmangur përsëritjen e krizës energjetike, Shqipërisë i duhet të mirëmenaxhojë energjinë elektrike ose situata do të vijë drejt dramatizimit. Me konsulencën e donatorëve dhe të Bankës Botërore, qeveria ka miratuar një plan masash për kursimin e energjisë elektrike deri në vitin 2018. Sipas planit të veprimit për këtë qëllim buxheti i shtetit duhet të investojë më shumë se 6 milionë euro në politikat e kursimit të energjisë elektrike. Strategjia përmban përshkrimin e masave që duhet të ndërmerren për përmirësimin e eficencës së energjisë në sektorët e ekonomisë, të planifikuara me qëllim realizimin e objektivave për periudhën afatshkurtër, deri në vitin 2012 dhe për periudhën afatgjatë, deri në vitin 2018, nëpërmjet zbatimit të politikave për eficencën e energjisë. Në vitet e para kursimi do të jetë në nivele modeste prej 3%, për shkak se kërkohet patjetër kohë për të shfaqur efektet e investimeve, që parashikohen të kryhen në vitet 2011-2012 dhe efektet e kursimeve do të jenë më të dukshme në fund të periudhës, në të cilën janë parashikuar arritjet e objektivave për kursimin e energjisë. Në periudhën e dytë deri më 2013-2018 parashikohet që kursimi i energjisë do të jetë më i lartë, për shkak të krijimit të kuadrit ligjor dhe institucional dhe fillimit të zbatimit të tij, viteve të eksperiencës dhe zbatimit të masave në secilin sektor, të cilët do të përfshihen në periudhën e planifikuar. Bazuar në analizat dhe supozimet e mësipërme, norma prej 3% e kursimit të energjisë më 2012 dhe 9% më 2018. Përmirësimi i eficencës së energjisë në të gjithë sektorët ekonomikë është edhe një nga qëllimet kryesore të parashikuara në strategjinë kombëtare të energjisë, e përditësuar. Sipas analizës së fundit, kontributi i sektorëve në sektorin e energjisë është përkatësisht 23% sektori i banesave, 44% sektori i transportit, 13% industria, 10% shërbimet, 10% bujqësia. Kështu sektori i banesave zë vendin e parë për sa i takon konsumit të energjisë elektrike me 47% kundrejt totalit të konsumit të tij në vend. Gjithashtu, ky sektor konsumon në vlera të larta dru zjarri, me rreth 42% të totalit dhe nënprodukte të naftës me 3.8% dhe të tjera me 7.2% energji diellore. Duke marrë parasysh faktin se Shqipëria nuk e ka të zhvilluar sistemin e gazit natyror, edhe pse ka një prodhim të papërfillshëm të tij dhe në të njëjtën kohë nuk është e lidhur me rrjetin europian të gazit, pothuajse të gjitha shërbimet energjetike, ngrohja e hapësirave, gatimi dhe uji i ngrohtë sanitar, për sektorët e banesave dhe të shërbimeve mbulohen nga energjia elektrike, drutë e zjarrit dhe nënproduktet e naftës, veçanërisht GLN-ja. Duke qenë se burimet e energjisë përdoren në të gjithë sektorët e ndryshëm të ekonomisë, si në sektorin e banesave, shërbimeve publike dhe private, industri, transport dhe bujqësi, lidhja midis zhvillimit ekonomik të një vendi dhe kërkesës së tij për energji konsiderohet një problem kyç dhe kërkon zhvillimin e një sistemi energjetik mbështetës. Dokumenti për kursimin e energjisë vlerëson se intensiteti i energjisë në Shqipëri është relativisht i lartë. Kjo do të thotë që konsumi total i energjisë ka qenë i lartë në raport me prodhimin makroekonomik (GDP). Kjo lidhet me zhvillimin e ulët industrial të Shqipërisë, teknologjitë e vjetra dhe me faktin që pjesa më e madhe e konsumit të energjisë shkon për sektorin e banesave, shërbimeve etj. Konsumatori kryesor është sektori i transportit, i ndjekur nga sektorët e banesave dhe industrisë. Ndërsa analiza e furnizimit me burime energjetike tregon që rol kryesor kanë luajtur nënproduktet e naftës, energjia elektrike, drutë e zjarrit dhe GLN-ja.
Transporti, konsumatori më i madh i energjisë
Sektori i transportit në Shqipëri filloi të zhvillohej me ritme të shpejta pas viteve ’90, ku
përveç rritjes sasiore të transportit rrugor, filloi të zhvillohej edhe infrastruktura e kapaciteteve transportuese të rrugëve, hekurudhave dhe transporti detar. Sektori i transportit luan një rol të rëndësishëm në konsumin e burimeve energjetike, me 44% të konsumit total final. Rritja evidente e numrit të mjeteve të transportit pas viteve 2000, veçanërisht në transportin rrugor, u shoqërua me rritjen e aktivitetit të tij dhe me rritje të dukshme të konsumit të lëndës djegëse, të naftës dhe të benzinës. Vëmë në dukje se nuk ka pasur ndonjë zhvillim për sa i përket rritjes së kontributit të transportit publik dhe kryesisht atij hekurudhor. Shqipëria do të vazhdojë të mbetet për shumë vjet një vend ku dominon bujqësia. Pesha specifike në GDP është rreth 40% e totalit të saj. Konsumi i energjisë shkon në prodhimin e të mbjellave dhe për bagëtitë, të cilat mbeten dhe alternativat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe social. Bujqësia konsumon më pak se 10% të totalit të energjisë finale.
Çfarë e pengon kursimin e energjisë
1. Zbatimi jo i plotë i ligjit ekzistues për eficencën e energjisë (prill 2005);
2. Mungesa e krijimit të fondit të eficencës së energjisë;
3. Mungesa e zbatimit të Kodit Energjetik të Ndërtesave në fushë të gjerë;
4. Mungesa e një legjislacioni sekondar dhe rregullator për kryerjen e monitorimeve dhe
auditimeve energjetike për konsumatorët e mesëm dhe të mëdhenj, si dhe mungesa e sistemit të certifikimit për audituesit e energjisë;
5. Mungesa e procedurave të përshtatshme ligjore për prokurimin e pajisjeve eficente;
6. Mungesa e kompanive që sigurojnë përmirësimin e eficencës së energjisë nëpërmjet
shërbimeve energjetike.
Kontributi burimeve energjetike në konsum
Qymyri 1,2%,
Produktet e naftës 64.4%,
Energjia elektrike 22.7%,
Drutë e zjarrit 11.7%.
Konsumi energjetik sipas sektorëve është:
Shqipëria Shtetet e BE-së
Banesa 23 26.28
Shërbime 11 12.47
Industri 12 27.77
Transport 44 30.91
Bujqësi 10 2.54
Sipas sektorëve, financimet për kursimin e energjisë
- Sektori i banesave 1 170 000 Euro
- Shërbimet 1 317 000 Euro
- Industria 2 100 000 Euro
- Transporti 2 100 000 Euro
Totali 6 687 000 Euro
Kursimi i energjisë sipas sektorëve
Banesa 22
Shërbime 19
Industri 25
Transport 31
Bujqësi 3