E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia, liberalizohet noteria dhe avokatia

Tani për të qenë noter nuk duhet pritur dalja në pension apo më keq akoma vdekja e një noteri të vjetër. Në projektligjin e ri të kaluar dje në Këshillin e Ministrave, liberalizimi i noterisë ka qenë ndryshimi kryesor, së bashku me një paketë ndryshimesh për një autoritet mbikëqyrës për kontrollin e veprimtarisë së noterëve. Ndryshimet janë propozuar nga ministri i Drejtësisë dhe priten të kalojnë shpejt në Parlament. Ato janë parë si domosdoshmëri për funksionimin e noterisë dhe për lehtësimin apo reduktimin e procedurave për transferimin e noterëve.

Shtesat

Shtesat janë propozuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në kuadër të masave legjislative të reformës në drejtësi, ku si aspekte të rëndësishme janë edhe çështjet që kanë të bëjnë me reformimin e kuadrit rregullator në fuqi për profesionet e lira. “Noteria si veprimtari juridike në shërbim të personave fizikë e juridikë, aktualisht rregullohet nga ligji për noterinë, i cili në pikëpamjen kronologjike dhe krahasuar me zhvillimin e vrullshëm të marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore është parë si i papërshtatshëm për stadin aktual”, - thuhet në relacionin e Ministrisë së Drejtësisë për këtë ligj. Sipas tyre, ndryshimet konsistojnë kryesisht në mbikëqyrjen e veprimtarisë së noterëve, kualifikimit të tyre përmes trajnimeve, liberalizimit të noterisë, duke hequr kufizimin në numrin e noterëve dhe lehtësimin e procedurave për transferimin e noterëve. Ndryshimi i parë haset qysh në fillim të ligjit, ku pas nenit 1 të ligjit propozohet të shtohet një dispozitë tjetër ligjore, e cila në mënyrë të plotë përcakton, në ndryshim nga ligji aktual, pozicionin dhe rolin e ministrit të Drejtësisë, si autoriteti më i lartë mbikëqyrës i kësaj veprimtarie, duke kontrolluar ushtrimin e veprimtarisë së noterëve. Konkretisht në shtesën e bërë, neni 1/a thuhet se “autoriteti më i lartë mbikëqyrës i noterisë është ministri i Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë kontrollon ushtrimin e veprimtarisë së noterëve, merr masat e nevojshme dhe kujdeset për zhvillimin e aktivitetit noterial të tyre në përputhje me ligjin. Dhomat e Noterisë janë përgjegjëse për kontrollin dhe sjelljen e noterëve që ushtrojnë aktivitetin brenda juridiksionit të tyre”.

Konkurrimi

Liberalizimi i marrjes së licencës së noterisë ka qenë një nga ndryshimet e propozuara në ligj nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë projektligj, ndryshime të rëndësishme normative propozohen lidhur me aspektet e zhvillimit të konkurrimit për licencimin e noterëve. Me anë të këtij projektligji, hiqet kufizimi për aplikim vetëm për vendet vakante të shpallura, gjë që krijon hapësirën e mundshme ligjore për liberalizimin e këtij profesioni. Në këtë kuadër, propozohen ndryshime në kushtet që duhet të përmbushen për t’u bërë noter, si dhe rregulla të reja për zhvillimin e konkurrimit. Me parashikimet e reja ligjore konkursi zhvillohet dy herë në vit, si dhe mund të zhvillohet pasi urdhërohet nga ministri i Drejtësisë kur përmbushet kushti i një numri të caktuar kërkesash të paraqitura.

Një tjetër element i rëndësishëm në projektligj është edhe lehtësimi i procedurave të transferimit të noterit me kërkesë të tij. Janë parashikuar reduktim të procedurave të mëparshme, ku për transferim merret parasysh vetëm kërkesa e noterit dhe numri i noterëve në zonën ku ai vepron.

Detaj

Përgjegjësia disiplinore, rriten gjobat për shkelje

Në projektligj ka pasur edhe një riformulim të dispozitave që lidhen me përgjegjësinë disiplinore dhe procedurat e ecurisë disiplinore përbëjnë aspekte të rëndësishme të projektligjit. Konkretisht në nenin 10 janë parashikuar ndryshime në llojin e masave disiplinore (duke parashikuar masa më të rënda (p.sh. rritet kufiri i gjobës deri në 3 milionë lekë, vendoset një kufi minimal për pezullimin e lejes së ushtrimit të profesionit, 6 muaj etj.), që mund të jepen kur shkelen dispozitat ligjore që rregullojnë veprimtarinë e noterisë. Në nenin 10 saktësohet rrethi i subjekteve, të cilat mund të iniciojnë fillimin e procedimit disiplinor për noterin, krijimin e një komisioni disiplinor përbërjen e tij, si dhe rregullime të tjera të hollësishme lidhur me ecurinë e këtij procesi. Në nenin 12 parashikohet përfshirja e një dispozite re ligjore 8/1, rëndësia e së cilës qëndron në faktin që për parashikohen në mënyrë ezauruese rastet, për të cilat jepet çdo masë disiplinore. Ky parashikim është i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të proceseve disiplinore të paanshme dhe duke siguruar garanci shtesë për noterin, në kuptim të një profesioni të lirë që i nënshtrohet vetëm ligjit.

Detaj

Ndryshime në shtrirjen e funksioneve të noterit

Me anë të nenit 18 të projektligjit synohet që të zgjerohet territori ku noteri shtrin funksionet e veta, duke parashikuar se përjashtimisht noteri mund të redaktojë dokumente edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në nenin 18 shtohet paragrafi i dytë si vijon: “Noteri, përjashtimisht kur i kërkohet për një shërbim specifik, mund të redaktojë dokumente dhe të marrë nënshkrimin e personave të treguar edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duke pasqyruar këtë fakt në përmbajtjen e dokumentit”. Dispozita të tjera ligjore kanë të bëjnë me ndryshime në nenet 20, 23, 25, 26, të cilat konsistojnë në plotësimin e rregullimeve ligjore për rastet e dorëzimit të vulës dhe arkivës së noterit, duke parashikuar mosdorëzimin si kundërvajtje administrative, e cila shoqërohet me gjobë 500.000 (pesëqind mijë) lekë; saktësime të elementëve të përgjegjësisë civile të noterit dhe përgjegjësisë ndaj palëve dhe personave të tretë për dëmin e shkaktuar. Po ashtu, në ligj propozohen ndryshime edhe lidhur me organizimin e Dhomës së Noterisë, duke parashikuar strukturat, çështje të mandatit të tyre dhe elementë që kanë të bëjnë me organizimin e mbledhjeve, votimit, kompetencat e tyre, duke parashikuar specifikisht edhe kompetencat për kryetarin e dhomës së noterëve, komisionin e kontrollit financiar dhe strukturat e tjera.

Për transferimin

“Transferimi i noterit nga një njësi vendore në një tjetër bëhet në bazë të kërkesës të noterit që kërkon të transferohet. Kriteret dhe procedurat e transferimit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës së noterit duhet të shprehet për kërkesën e këtij të fundit. Në rast se ministri i Drejtësisë nuk shprehet brenda këtij afati, kërkesa e noterit quhet e pranuar. Në urdhrin e ministrit që miraton transferimin e noterit përcaktohen modalitetet e dorëzimit të arkivës së noterit të krijuar në atë njësi vendore. Ministri i Drejtësisë nuk e miraton kërkesën për transferimin e noterit vetëm kur numri total i noterëve në njësinë vendore ku ai ushtron veprimtarinë noterial, bie nën minimumin e numrit të noterëve të miratuar për atë njësi vendore”.

Për konkurrimin

“Konkurrimi zhvillohet jo më pak se një herë në gjashtë muaj dhe në mënyrë të pavarur për çdo njësi vendore. Ministri i Drejtësisë mund të urdhërojë zhvillimin e konkurrimit, kur numri i kërkesave të paraqitura nga kandidatët për noter është të paktën sa pesëfishi i numrit minimal të noterëve të miratuar për atë njësi vendore...

“Ministri i Drejtësisë organizon provimin për noterinë. Numri i përgjithshëm i noterëve është i pakufizuar dhe profesionin e noterit ka të drejtë ta ushtrojë çdo shtetas që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në nenin 2 të këtij ligji”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›