E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, familjarët e viktimave kërkojnë heqjen e imunitetit të Mediut



Eljona Ballhysa
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit nuk i kanë ndalur përpjekjet e tyre për të zbardhur këtë tragjedi ku humbën jetën 26 persona. Gjatë ditës së djeshme familjarët i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku kanë dorëzuar një peticion nëpërmjet të cilit kërkojnë heqjen e imunitetit të deputetit dhe ministrit Mediu, në mënyrë që Prokuroria të ketë të drejtën e vazhdimit të hetimit ndaj tij. Këtë peticion familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit e arsyetojnë duke u bazuar në deklaratat e kreut të qeverisë, Berisha, i cili shpeshherë është shprehur se ai nuk ua njeh imunitetin deputetëve dhe ministrave të tij. Madje Berisha ka deklaruar se Kuvendi do të miratojë, pa asnjë hezitim, çdo kërkesë për heqje imuniteti. Për këtë qëllim familjarët e viktimave të Gërdecit i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me shpresën për të marrë një përgjigje në një kohë kur Prokuroria nuk mundet të hetojë Mediun, pavarësisht padive të shumta kundër tij, për shkak se ai gëzon imunitetin e deputetit.
Peticioni
“Kjo kërkesë vjen e argumentuar nga deklaratat e kreut të Ekzekutivit dhe vullnetit të Partisë Demokratike të shprehur zyrtarisht në media dhe gjithashtu është e mbështetur në vendimin e argumentuar të legjislaturës së mëparshme për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Ali Mediu. Kërkesa ka për qëllim transparencën e veprimeve të shprehura zyrtarisht nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe gjithashtu qëllimi thelbësor është vënia në vend e drejtësisë”, - shkruhet në këtë kërkesë të familjarëve të viktimave të Gërdecit. Kjo është përpjekja e radhës e këtyre personave që kërkojnë transparencën e tragjedisë së Gërdecit ku një ndër të akuzuarit kryesorë është Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Mediu i shpëtoi ndjekjes penale falë imunitetit të marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Vendimi u mor nga Gjykata e Lartë, e cila e pushoi çështjen me argumentimin se Mediu ishte i veshur me imunitetin e deputetit. Opozita dhe familjarët e viktimave të tragjedisë reaguan kundër këtij vendimi dhe vazhdojnë të kërkojnë rihapjen e çështjes penale ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ndërsa kryeministri Berisha, menjëherë pas pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, në një deklaratë për mediat, u shpreh se nuk njeh imunitet për ministrat dhe deputetët e maxhorancës. Por kjo deklaratë e Berishës erdhi në një moment kur ai e kishte emëruar ministër të Mjedisit Fatmir Mediun, duke i dhënë më shumë pushtet në një kohë kur ai ishte ende në gjykim.
Ndërkombëtar
Ndërsa faktori ndërkombëtarë në Tiranë ka reaguar ashpër kundër përdorimit të imunitetit si mburojë. Deklaratën më të fortë e ka bërë ambasadori amerikan, i cili theksoi pak kohë më parë se imuniteti nuk duhet të përdoret si strehë nga personat e inkriminuar. “Imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe në ndjekje penale. Nuk duhet të jetë dhe një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe për t’i mbajtur ata persona në pozita drejtuese”, - theksoi Withers gjatë fjalës së tij. “Të mos fshihesh pas petkut të ligjit për të mbrojtur interesat personale. Të gjithë e dimë që këto dispozita hynë në fuqi në fazat e hershme të zhvillimit demokratik në Shqipëri, ku nevoja për t’i mbrojtur këta zyrtarë nga abuzimet e qëllimshme penale justifikonte dhënien e plotë të imunitetit. Tashmë Shqipëria ka bërë përparime dhe duhet ta vërë në peshore këtë”, - vijoi ambasadori. John Withers i kujtoi më tej kryeministrit Berisha që të mbante premtimin për shembjen e murit të imunitetit. “Disa muaj më parë kryeministri Berisha tha se përpjekje të mëdha duhen bërë që Shqipëria të shembë murin e imunitetit. Ne vetëm mund të duartrokasim dhe mirëpresim pikëpamjen e kryeministrit dhe shpresojmë që qëllimet e tij të bëhen realitet në të ardhmen e afërt”, - është shprehur ambasadori i SHBA-ve në Tiranë.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›