E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Një humbës si Edi Rama s’mund të vazhdojë të kërkojë vota pafundësisht

Deputeti socialist Ben Blushi, pak ditë para kongresit të PS, analizon situatën konfliktuale brenda kësaj partie dhe i kërkon Edi Ramës të japë llogari për zgjedhjet që s’i fitoi, duke e ftuar të largohet nga drejtimi i së majtës


TIRANE – Një nga kundërshtarët e Edi Ramës dhe njëherazi përfaqësues i “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, që synon institucionalizimin e PS-së, por pa Edvinin si drejtues, Ben Blushi, gjatë një interviste televizive, komenton situatën konfliktuale në PS, duke deklaruar se partia opozitare ka humbur identitetin e saj dhe po katandiset në një part maskarenjsh. Për Ben Blushin, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të tërhiqet nga ambicia për mbajtjen peng të kreut të PS-së. Sipas Blushit, “Edi Rama përfaqëson një mënyrë të vjetër drejtimi, e cila humbi në zgjedhjet e 28 qershorit”. Blushi u shpreh se arsyet e mos ardhjes së PS-së në pushtet, janë te cilësia e drejtimit politik, fushatës elektorale dhe me dështimin e turpshëm të programit, me të cilin PS kërkonte të dilte para shqiptarëve. Për këtë, Blushi bën përgjegjës Edi Ramë, madje sipas tij, ky i fundit, gjatë 30 ditëve, personalizoi fushatën elektorale, duke e futur partinë në kaos dhe errësuar cilësitë e saj. “Nuk jemi në pushtet për cilësinë e partisë Socialiste. Cilësia e opozitës më 28 qershori, linte për të dëshiruar. Nuk bëmë aleancat e duhura. Nuk patëm një premtim të qartë. Nuk patëm një program. Nuk patëm një performancë të vlerësueshme apo të shkëlqyer. Fushata u personalizuar nga Edi Rama. Duhet të flasim edhe cilësinë e zgjedhjeve, të cilat nuk ishin plotësisht korrekte, por, po ashtu, duhet të flasim edhe për cilësi të opozitës”, u shpreh Blushi. Për sa i takon kongresit të socialistëve më 26 shtator, ku pritet të votohet edhe për kryetarin e radhës së PS-së, Ben Blushi deklaroi se nuk mund të marrë pjesë në një proces që nuk ka garë të vërtetë dhe ku pretendenti kryesor për të fituar është një humbës. “Nuk mund të votoj në atë kongres. Nuk mund të votoj për një humbës që edhe pse humbi zgjedhjet, nuk pranon të analizojë situatën dhe të marrë përgjegjësitë e tij”, sqaroi Blushi. Duke iu referuar “Lëvizjes për Mendim Ndryshe”, deputeti socialist bëri me dije se është një lëvizje njerëzit tërësisht të pavarur dhe që kërkon kthimin e PS-së në parlament, institucionalizimin e saj dhe njëherazi konsolidimin e demokracisë partiake. “Lëvizja është një grup njerëzish të pavarur. Synimi është që PS të jetë realiste dhe institucionale. Nëse mohohet e vërteta kjo opozitë do ta ketë të vështirë të jetë realiste me shqiptarët. Nëse i mohojmë të vërtetën shoqërisë, futemi në një kaos, dhe kthehemi në një parti maskarenjsh”, tha Blushi. Jo vetëm kaq, por Blushi paralajmëroi se me sjelljen e drejtuesit të saj në detyrë, “PS, po demonstron doza të forta antievropiane dhe antindërkombëtare, duke mos marrë në konsideratë dhe duke shpërfillur raportet, deklaratat dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve”. Për bojkotin e parlamentit, Blushi tha se “jam shprehur vazhdimisht që kjo është një gjetje e gabuar. Por, tha deputeti Blushi, nuk mund të ketë asnjë një afat konkret, për kthimin e PS-së në parlament, pasi kryetari i saj, është një individ i autokrat dhe i paparashikueshëm. Zgjedhjet nuk janë të vlefshme vetëm kur fitohen, por edhe kur humben”, u shpreh më tej Blushi”. Ben Blusi i mëshoi idesë së hyrjes pa kushte në Parlament nga grupi parlamentar socialist. Sipas Blushit, “Në Parlament nuk hyet me kushte. Parlamenti nuk është një punë me kontratë, por është një detyrë,për të cilën jemi votuar nga zgjedhësit në 28 qershor”. Lidhur me një rrezik të mundshëm për ngeljen e tij jashtë listave, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Blushi u shpreh se “nuk shqetësohem nëse mbetem jashtë listave të zgjedhjeve të ardhshme. Jemi shumë larg në këtë pikë”, tha ai. Deputeti socialist shtoi më tej se nuk po lexohet si duhet vota e shqiptarëve më 28 qershor, vota për Partinë Socialiste, dhe se sipas tij, Edi Rama ka krijuar një linjë të tij personale, për të krijuar çdo alibi në mënyrë që të fshehë humbjen, për të rimarrë drejtimin e PS-së.  L.Q

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›