E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e terrorit gjatë “mbretërimit” të Enver Hoxhës Nga Blendi Fevziu

“Të organizohen burgjet dhe fushat e përqendrimit dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhti të naltë dhe bashkëpunim të hapët. Të mos ketë mëshirë ndaj tyre që kanë bashkëpunuar me okupatorin dhe të ekzekutohen në vend. Të gjithë robërit të mblidhen në fushën e përqendrimit, të mos bëhen arrestime në masë sepse veprime të tilla trembin popullin. Bëni kujdes. Kapni, arrestoni dhe ekzekutoni

njerëz me ndikim që të bëhen shembull për të tjerët. Këta bëjnë përshtypje në popull”. (1)

Ky radiogram, i dërguar në 17 nëntor 1944 nga kryeministri i Qeverisë Provizore, gjeneral-kolonel Enver Hoxha për gjeneral Dali Ndreun që po merrej me spastrimet në Veriun e vendit, përbën në njëfarë mënyre esencën e filozofinë politike të regjimit të ri që vinte në pushtet: një regjim që ishte i vendosur për të ndëshkuar këdo që ishte kundër tij, këdo që ishte skeptik, por me një logjikë të ftohtë dhe të kalkuluar, edhe ata persona me ndikim që mund shpreheshin dyshues ndaj tij. Duke nisur që nga vera e vitit 1944 kujdesi kryesor i Hoxhës ishte pikërisht eliminimi i njerëzve me ndikim, siç dëshmon edhe kjo letër për Gogo Nushin: “Të gjyrmohet dhe të vritet Irfan Ohri. Hetoni se në një shtëpi

andej nga cinema Rex po rri...”. (2) Pak ditë përpara letrës për Ndreun, më 10 nëntor 1944, Hoxha i kishte dërguar një urdhër Mehmet Shehut, komandantit që po drejtonte luftimet për çlirimin e Tiranës. Kabllogrami me shkrimin e Hoxhës, numër 44 për atë ditë, thotë: “Qëndrimi karshi tradhtarëve dhe kriminelëve që kapen ose dorëzohen të jetë i ashpër dhe aspak familjar. Ata duhet ta ndjejnë menjëherësh se janë në dorën e gjyqit. Ndalohet rreptësisht qëndrimi i tyre i lirë nëpër qytet dhe bisedimet me këdo. Ata duhet të

burgosen dhe të ruhen me roje”. (3) Nuk dihet nëse ka lidhje mes këtij kabllogrami dhe veprimeve të forcave partizane në Tiranë, por dy ditë më pas, në datën 12 nëntor ndërsa vijonin luftimet, pesë skuadra partizane trokitën në dyert e 52 personave për një “verifikim”. 37 prej tyre i morën me vete, 14 nuk i gjetën në shtëpi atë natë, kurse një i fundit, Hamit Kokalari, nuk mund të zhvendosej dot për shkak të etheve të rënda dhe temperaturës të lartë. Të 37 ata që u gjetën, një mishelë bashkëpunëtorësh të fashizmit, intelektualësh të paangazhuar, antijugosllavësh ose oficerësh të vjetër të mbretërisë që nuk qenë bashkuar as me okupatorin dhe as me komunistët, u dërguan në bodrumin e hotel “Bristolit”. U ekzekutuan po atë natë, pa gjyq, pa asnjë lloj vendimi dhe pa u dhënë asnjë shpjegim. Midis tyre qenë edhe dy vëllezërit Kokalari, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, të paangazhuar, por kundër pushtuesve dhe, mbi të gjitha, farefis i largët i Enver Hoxhës. Vrasja e tyre pa gjyq, ndërkohë që shumë kolaboracionistë u kursyen, mbeti mister së paku deri në vitin 1995, kur në AQSh u gjet letra që Muntaz Kokalari, njëri prej dy vëllezërve, i dërgonte Makbule Vrionit, një

mikeshë e familjes së tyre, në datën 8 nëntor të vitit 1944, në të cilën i shkruante: “Jeta ime dhe e miqve të mi është në rrezik nga bashtua i Gjirokastrës, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale, se ne kemi qenë kundërshtarë të okupatorit nazifashist dhe kemi punuar për të mirën e përparimit të kombit. Siç e kemi biseduar edhe herë të tjera, fatkeqësi e kombit tonë dhe Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë. Po kam besim se këtij batakçiu, bashkë me djajtë e

kuq, shpejt ka për t’i dalë boja”. (4) Nuk dihet sesi letra ra në dorën e komandantit të qytetit, Mehmet Shehut, pa rënë në dorën e asaj së cilës i ishte nisur, por 4 ditë më pas Muntaz Kokalari u pushkatua pa gjyq bashkë me 37 të tjerë në bodrumet e Hotel “Bristolit”. Ekzekutimet e natës së 12 nëntorit, si edhe shumë të tjera që vijuan së paku deri në nisjen e proceseve të rregullta gjyqësore në dhjetor 1944, nuk qenë as spontane, as aksidentale. Kishte prej tyre edhe të frymëzuara nga inate ose mëri personale të disa prej drejtuesve partizanë. Por, pa asnjë dyshim, ato qenë fryt i listave të hartuara paraprakisht. Pas vitit 1991 Kristo Themelko, një oficer i lartë e i ashpër i Sigurimit të Shtetit, që përfundoi edhe vetë i degraduar për shumë vite, ka deklaruar në librin “Tirana e përgjakur” lidhur me ekzekutimet e para dhe dijeninë e Hoxhës për to: “Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se, kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë”. (5) Ndëshkimet pa gjyq në Tiranë qenë kaq alarmuese sa provokuan

edhe reagimin e vetë drejtuesve të lartë të Partisë Komuniste. Nëse i referohesh kujtimeve të Hoxhës, Sejfulla Malëshova ishte i pari që shprehu shqetësimin për ekzekutimet e oficerëve të penduar dhe të atyre që nuk kishin bashkëpunuar me armikun. Malëshova ishte ankuar se: “…në Tiranë bëhej shumë terror, po vriteshin “shumë oficerë të penduar”. (6) Përgjigja e Hoxhës, po t’u referohesh kujtimeve të tij te “Titistët” ishte krejt: “Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit. Kë quan terror ti dhe për cilët oficerë më ankohesh?” (7) Por pak ditë më pas, në Berat, në atë që njihet si Plenumi i Beratit, Gogo Nushi, njëri ndër drejtuesit komunistë të Tiranës, shprehu “pendesën” e tij duke deklaruar: “Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës tonë, jo kriminelë dhe jokuislingë, ne i konsideronim armiq dhe përpiqeshim t’i zhduknim nga faqja e dheut [...].Me hyrjen e forcave tona në Tiranë janë vrarë 60 njerëz, e kemi listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjë prej tyre s’meritonte të vritej. Jemi të sigurt që do të ketë dhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar 100 vetë. Ne kemi menduar se me këto masa do të mbronim fitoren duke vrarë dhe zhdukur armiqtë”. (8) Ndëshkimet e vërejtura në Tiranë qenë të pranishme në gjithë Shqipërinë. Në një letër nga Shkodra të 30 janarit 1945 për kryeministrin, gjeneral-kolonel Enver Hoxhën, nënshkruar prej Vaskë Kolecit, kuptohet se listat qenë hartuar për gjithë qytetet e vendit. Sipas tij qyteti qe rrethuar nga forcat e dy brigadave në datën 28 janar dhe qe shpallur shtetrrethimi, ndërsa më poshtë ai vijon: “Ne që ditën e parë, me ndihmën e shokëve të Qarkorit, përgatitëm

listat. Listat përmbanin 210 vetë për t’u arrestuar me akuza të ndryshme…”. (9) Letra bëhet dramatike kur sqaron: “... akuzat nuk janë e aq me bazë. Kjo vjen se ata nuk e kishin filluar punën që më parë. Deri tani janë kapur rreth 120 veta”. (10) Oficeri i propozon Hoxhës një zgjidhje radikale, por që jep rezultat; me shkrim dore dhe me nënvizim të trashë, i vetmi në gjithë letrën prej 7 faqesh, ai shprehet: “…duke shëkuar pozitën tonë në këtë anë duhet të merren masa, të jepen goditje brenda në qytet e përjashta, duhet të derdhet ca gjak e të digjen shtëpi, këtu në qytet e nëpër katunde,

kështu të shikojnë forcën tonë e të nënshtrohen. Sot për sot, vetëm forca e goditja do të na vlejë për ndryshimin e situatës…”. (11) Më pas oficeri i propozon kryeministrit listën prej 12 personashqë duhen pushkatuar pa gjyq dhe atë të 31 të tjerëve që duhen dënuar me burgime të ndryshme. Për shumë vite me radhë, herë nën zë dhe herë zyrtarisht,

është hedhur ideja se ekzekutimet e fillimit, në muajt e parë pas Luftës dhe ato të 4-5 viteve të para, janë bërë pa dijeninë e Hoxhës. Përgjegjësia e tyre i është ngarkuar herë Mehmet Shehut, herë Shefqet Peçit, herë Koçi Xoxes. Në të vërtetë, hapja e arkivave pas vitit 1991 dëshmon se çdo ekzekutim, edhe ai më i parëndësishmi në dukje, është bërë drejtpërdrejt me dijeninë e Enver Hoxhës dhe me miratimin e tij, sikurse dëshmon ky kabllogram i datës 1 shkurt 1945 ku Enver Hoxha urdhëron Mehmet Shehun: “Tepër urgjent. Mehmet Shehut Shkodër. Asnjë të mos pushkatohet pa komunikuar emrat dhe pa marrë aprovimin tonë. Stop. Prandaj na komunikoni kë keni dënue me vdekje dhe prisni aprovimin. Gjeneral-kolonel Enver Hoxha”. (12) Urdhri i përsëritur i Hoxhës është zbatuar, sepse në shumë raste më pas ai njoftohet për dënimet dhe jep miratimin e tij, si

në këtë kabllogram që mban datën 10 shkurt 1945: “Tepër urgjent. Korpusit II, Sektori juridik. Në gjegjie të radiogramit ekstra, datë 9 fruer 1945, aprovohen ndëshkimet me vdekje të dymbëdhjetë (12) vetave dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshme propozue më sipër. Stop. Na njoftoni datën e ekzekutimit. gjeneral-kolonel Enver Hoxha”. (13) Në më shumë sesa pesë raste urdhri për ekzekutim vjen vetëm 12-15 minuta pasi është dhënë njoftimi, çfarë të bën të besosh se ky vendim merrej drejtpërdrejt nga Hoxha ose njerëzit që ndodheshin pranë tij, por gjithsesi jo pas një vendimi më kolegjial politik. I tillë është rasti i Dom Lazër Shantojës dhe Sulçe Beg Bushatit. Po t’i referohesh kohës së kabllogramit, ekzekutimi është urdhëruar vetëm 9 minuta pasi

kërkesa i është paraqitur Enver Hoxhës, siç dëshmon ky kabllogram i datës 10 shkurt 1945: “Korpusit të 3, Gjykatës Ushtarake Shkodër. Gjegje shkresës numër 5, datë 10 fruer 1945. Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Don Lazër Shantojës dhe Sulçe Beg Bushatit. Stop. Na lajmëroni datën e ekzekutimit. Enver Hoxha”. (14) Për këto ekzekutime nuk u fol dhe nuk u tha asgjë për shumë vite me radhë. Në të vërtetë, qëmtimi në dokumentet e rëndësishme të Luftës, sidomos në ato të Plenumin e Beratit mbajtur nga 23 më 27 nëntor 1944, dëshmon se edhe brenda PKSh pati njëfarë ndjenje pendimi për gjakun e derdhur pa shkak. Kur u referohesh procesverbaleve të kësaj mbledhjeje,

rezulton që edhe vetë Hoxha është detyruar ta pranojë dhunën brenda dhe jashtë Partisë, por duke ia veshur këtë më shumë urdhrave të jugosllavëve: “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu me Lirinë. Në këtë pikë unë isha pasqyrë e Aliut. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej që ky ose ai po vepronte keq dhe vendosnim ta

vrisnim. S’kishim një vijë të qartë për këtë çështje”. (15) Mirëpo rezulton që, edhe pas Plenumit të Beratit, ndëshkimet vijuan, madje edhe më të ashpra. Ndëshkimet ndaj asaj

që quhej “klasë e përmbysur” qenë të skajshme. Ekzekutimet e para në Tiranë, menjëherë pas marrjes së kryeqytetit, ishin vetëm fillimi i tyre, pas tyre do të vinin dënimet në gjithë

zonat e Shqipërisë. Me dhjetëra vetë u ndëshkuan pa gjyqe, pothuajse 2.000 vetë u ekzekutuan. Brenda pak kohësh tregtarët dhe njerëzit e pasur u ngarkuan me gjoba marramendëse nën atë që quhej “Tatimi i jashtëzakonshëm i Luftës”. Kush nuk i paguante ose nuk kishte për t’i paguar, arrestohej. Shumë vdiqën në burgje. U shtetëzuan gjithë makinat, shtëpitë dhe pothuaj i gjithë malli i tregtarëve. Pronarët e tokave u shpronësuan nën përligjjen e reformës agrare që u shpall me shumë bujë, por brenda një viti filloi “bashkimi vullnetar” i tokave në ato që u quajtën “kooperativa bujqësore”, një imitim i drejtpërdrejtë i kolkozeve sovjetike. Bashkimi, që në fillim u shpall si “vullnetar”, u bë shpejt i detyruar dhe i dhunshëm. Eleminimet e para që vijuan deri në fillim të viteve ‘50 - të, pavarësisht nëse kishin si shenjë të tyre antikomunistët apo komunistët e penduar, realizuan një mision ndoshta të padeklaruar. Elita shqiptare, ajo e shkolluar në perëndim dhe ajo e biznesit dhe tregtisë, njerëzit më të zgjedhur të vendit,

humbën jetën në këtë masakër të pakuptueshme ose u dergjën nëpër burgje nga ku nuk mund të kontribuonin më për shoqërinë. Në vend të saj, komunizmi tentoi të ndërtonte

një elitë të re, kryesisht të shkolluar në vendet e Lindjes Komuniste, dukshëm më inferiore se sa ajo e para e masakruar, por që hyri me kapacitet të plotë në shoqëri thuajse 10 vjet më pas, në mes të viteve ‘ 50 - të. Për garantimin e regjimit dhe mosprekjen e tij vigjilonte “Sigurimi i Shtetit”, një strukturë e posaçme e Ministrisë së Brendshme që u ngrit herët sipas modelit jugosllav, siç dëshmoi në gjyqin e tij Koçi Xoxe, ndërtuesi i parë i kësaj strukture: “...formën e organizimit dhe metodën e punës së Sigurimit e kam marrë nga jugosllavët. Kam dërguar në Beograd në vitin 1946 Nesti Kerenxhin për këtë qëllim. Më 1947 ka ardhur këtu, i thirrur prej meje, Safet Filipoviçi, i cili punoi në Ministrinë tonë të Brendshme dhe mbasandaj mbeti pranë Legatës Jugosllave. Në dhjetor 1944 ka ardhur në Tiranë Miati, nënkolonel i OZNAs, i cili na ndihmoi për organizimin e punës...”. (16) Sigurimi i Shtetit, ose thjesht “Sigurimi”, siç njihej në popull, ishte padyshim struktura më famëkeqe e sistemit, një strukturë që terrorizonte shoqërinë, që vepronte herë legalisht dhe herë ilegalisht, kur duke i respektuar ligjet e kohës e kur

duke i shpërfillur ato. E mbështjellë me mister, ajo ka mbetur pjesa ende e pazbardhur dhe misterioze e regjimit komunist. Sigurimi ndërtoi një sistem të sofistikuar raportimi dhe përgjimi. Sipas të dhënave të studiuesve të Ministrisë së Brendshme, Sigurimi i Shtetit pati në dispozicion për gjatë 46 viteve një armatë prej 200 mijë bashkëpunëtorësh. Njerëz të kandisur me forcë, me bindje, apo të joshur me privilegje që raportonin gjithçka që thuhej në shoqëri. Armata e “spiunëve”, siç njihej në popull, shërbente për ndjekjen e personave problematikë. Në vitin 1990, u raportua se Sigurimi i Shtetit kishte hapur dhe përgatitur 1 milion dosje, ose nëse e llogarit më thjeshtë, një për çdo e qytetarë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Dosje ku përfshiheshin informacione për qëndrimet dhe idetë politike, po aq sa edhe raporte perverse për marrëdhëniet e paligjshme, ato jashtëmartesore, tradhtitë dhe preferencat personale. Shumica e dosjeve u dogjën në pranverën e vitit 1991. Në vend u ngritën 39 burgje, shumica e të cilave shfrytëzonte punën pa pagesë në miniera të të dënuarve. Burgjet ngriheshin në vende të izoluara dhe në kushte jashtë të gjitha normave të jetesës njerëzore. Në Spaç ose në Burrel në shumë raste kishte më shumë se 20 veta në dhoma fare të vogla, që nuk ishin as 10 metra katrorë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ushqimi i të burgosurve ishte tepër i varfër në proteina e yndyrna. Norma ditore: 650 gram bukë, 7

gram vaj, 10 gram sheqer, 70 gram oriz ose po aq makarona, fasule, 150 gram zarzavate në ditë. Deri në vitin 1982 u lejua për të gatuar në një orë paradite dhe në një orë pasdite ushqimetqë blinin të burgosurit në dyqanin e burgut ose që ua sillnin nga shtëpia. Pas këtij viti edhe ky “privilegj” u hoq. Pjetër Arbnori, djali i një oficeri te milicisë të vrarë në njënga pritat e forcave partizane, hyri në burg shumë herët me akuzën se kishte krijuar një “grup socialdemokrat”. Ai u dënua fillimisht me vdekje, pastaj dënimi iu fal dhe iu kthye me 20 vjet burg. Dënimi iu përsërit në qeli dhe, në fund, ai bëri plot 28 vjet burg duke nisur që nga viti 1961. Në një intervistë të vitit 2004 Arbnori i kujton kështu kushtet në burg: “Kushtet ishin shumë të rënda. Kishte pa asnjë shkak kufizime të ushqimit, rrahje, tortura, dhunë, punë e detyruar pa orar. Ai që nuk kryente normat, dënohej në një dhomë me tela me gjemba, jashtë në të ftohtë, madje nuk mund të lëvizte dot. Ecnim me kilometra deri te vendi ku na duhej të punonim të ngarkuar, me kazma, karroca, madje dhe kasollet e ushtarëve në krah, për ata që ishin më të fuqishëm. Nuk kishim ushqim, vetëm 300 gram bukë, patate, më vonë na shtuan gjellën, kjo e mbushur me krimba dhe miza. Dita kur kishim fasule, qoftë dhe me miza, ishte dita më e lumtur”. (17) Pjetër Arbnori u zhvendos në disa burgje, por të shumtën e kohës e kaloi në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Aty, siç dëshmon, arritën edhe një fitore fare të vogël në raport me regjimin: “Kur lejuan familjarët të sillnin ushqim, sillnin 2 kilogram biskota, makarona, margarinë dhe pak sheqer, ne qemë më mirë. Pastaj ky racion u pre me pretekstin se po rëndojmë

familjarët! Bëmë grevë 19 ditë, kjo ishte fitorja jonë e madhe, na lejuan, më në fund, 15 gram djathë në ditë. Dhe lejuan që të na sillnin 3 kilogram fruta në muaj. Nëse shalqiri ishte më shumë se 3 kilogram ai pritej dhe pjesa tjetër kthehej...”. (18) Pjetër Arbnori doli nga burgu një vit e gjysmë përpara se regjimi komunist të binte, në një kohë kur në Poloni “Solidarnosti” kishte fituar zgjedhjet dhe kishte ardhur në pushtet. Kishte kryer 28 vjet burg dhe gjëja e parë që i bëri përshtypje kur pa botën jashtë qelisë ishte fakti që banorët e qytetit të tij, Shkodrës, nga vështirësitë ekonomike kishin prerë lulet dhe

kishin mbjellë hardhi. U paraqit në Komitetin e Partisë për të gjetur një vend pune si marangoz, por përgjigjja qe e prerë: “Ti je armik, do gjesh punë vetëm kur të vijnë anglo- amerikanët”. Dy vjet më pas Pjetër Arbnori do të bëhej deputet i Partisë Demokratike, forcës opozitare që sapo kishte lindur, dhe një vit më pas Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, i Parlamentit pluralist. Ai do të dilte vërtet të priste anglo-amerikanët: sekretarin amerikan Xhejms Bejker, që do të vinte për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me një vend me të cilin nuk kishin pasur të tilla që nga viti 1946. Por menjëherë pas Luftës situata ishte tronditëse. Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Koçi Xoxe, filloi të kontrollonte gjithë vendin. Veç burgosjeve, u aplikua sistemi

i internimeve, i huazuar nga sistemet më të këqia dhe të ashpra diktatoriale. Kryesisht nga ai sovjetik i Siberisë. Dhjetëra familje u larguan nga vendlindjet e tyre dhe u izoluan në

kampe fshatrash kënetore, kryesisht në Myzeqe, ku duhej të paraqiteshin në rajonet e policisë tri herë në ditë. U ndalohej të largoheshin nga kampi i internimit dhe shumica e tyre qëndroi aty deri në fund të regjimit komunist, plot 46 vjet. Sistemi u ngrit mbi filozofinë e fajësisë fisnore: kush kishte pasur dikë të angazhuar me “Ballin Kombëtar”, të dënuar ose të konsideruar “kundër Partisë”, në brezin e parë internohej, ndërkohë që fëmijët dhe nipërit nuk lejoheshin të vijonin studimet shkollore, nuk pranoheshin në punë normale dhe do të ndiqeshin gjithnjë nga “njolla e biografisë”. Madje fëmijët e familjeve të persekutuara e bënin edhe ushtrinë në një repart të veçantë, të quajtur “reparti i punës”.

Dënimet e para të atyre që konsideroheshin kundërshtarë të regjimit, me të cilët ky i fundit mbaroi punë shpejt, u pasuan nga të tjera. Gjergj Kokoshi, anëtar i Këshillit NacionalÇlirimtar dhe pjesëmarrës në Kongresin e Përmetit ishte i pari ndër luftëtarët partizanë që u dënua. Ministër i Arsimit në Qeverinë Provizore të Enver Hoxhës, ai protestoi për ndëshkimet e para, për mungesën e demokracisë dhe rolin e jugosllavëve

në Shqipëri. Pak muaj pas hyrjes së Qeverisë në Tiranë Gjergj Kokoshi u shkarkua nga detyra e Ministrit, u arrestua dhe u dënua me burg, ku edhe vdiq disa vjet më pas. Todi Lubonja, ish- nxënës i tij, ishte komisar në Burrel kur e takoi profesorin në një prej qelive të burgut të famshëm, qeli ku do të kalonte edhe Lubonja vetë shumë vjet: “Këtu në burgun famëkeq të Burrelit, më 1946 (nga fillimi duhet të ketë qenë) kam takuar një intelektual, njeri të ditur. Qëndronte i vetmuar në një qeli. Ai vuante nga tuberkulozi. E njihja. E kam pasur profesor për ca kohë. Ka vuajtur tërë jetën i sëmurë. Më 1943 la kryeqytetin dhe erdhi në mal te partizanët, në Pezë. U lidh me Luftën Nacionalçlirimtare. Ishte nga shtresat e varfra të ortodoksëve të Shkodrës. Unë nuk kisha ndonjë punë atje, por për kuriozitet hyra për të parë të burgosurit, disa prej të cilëve kishin qenë eksponentë të regjimit, si Koço Kota, për shembull. Isha atëherë komisar i Komandës së Qarkut, më njihnin dhe më lejuan të futesha brenda. Sapo e pashë, të them të vërtetën, u trondita. Në Pezë e kisha përqafuar me dashuri profesorin, bile me gëzim të madh. Qëndrova pranë tij si i ngrirë. Ai rrinte si i ngrirë. Ai rrinte ulur. Nuk lëvizte, vetëm ngriti kokën sa për të parë se kush isha. Nuk e di nëse më njohu. “E, profesor! - i thashë, - si jeni?”. I fola me zë të dridhur. Nuk mbaj mend nëse m’u përgjigj ose jo. “Po si u bë kjo punë?” i thashë unë pa ditur ç`po dërdëllisja. Doja që ai të fliste, të thoshte diçka. “Koha do ta provojë, djalë”. Kaq foli dhe u mbyll përsëri në vetvete. Ishte Gjegji Kokoshi, ish-ministri i parë i Arsimit në Qeverinë tonë Demokratike, pas fitores mbi nazifashizmin. Ai guxoi të flasë në parlament si njeri i lirë e demokrat. Enver Hoxha e futi në burg. Atje vdiq”. (19)

Todi Lubonja përfundoi edhe vetë, vite më pas, në Burgun e Burrelit së bashku me të birin. Në majin e vitit 1947 u arrestua grupi i deputetëve dhe miq e të afërm të tyre. Rreth 40 vetë, shumica anëtarë të Kuvendit Popullor, me bindje komuniste ose neutrale. Grupi ishte orvatur të krijonte në Parlament një opozitë që t’u kundërvihej vendimeve të Qeverisë ose, së paku, e këtillë qe akuza për të cilën u dënua. Në kujtimet e tij Enver Hoxha e përcakton kështu atë që Riza Dani, si deputet, kërkonte në Kuvendin Popullor:

“ Riza Dani, ky ithtar i regjimit të vjetër dhe sigurisht edhe i parlamentit borgjez, kërkonte ta bënte edhe Asamblenë tonë një kuvend llogjesh, ku secili të fliste sa t’i donte qejfi, si t’i donte qejfi, pa asnjë kufizim dhe të gjitha ç‘thoshin Riza Dani me shokë të

botoheshin në shtyp...”. (20) Ndërsa qëndrimin e Riza Danit për Kushtetutën e re të Republikës Popullore të Shqipërisë Hoxha e kujton kështu: “... ai sulmoi Kushtetutën sepse, sipas tij, ajo ishte “me frymë ideologjike dhe jo me frymë kombëtare”. “Unë - shprehu më në fund kredon e vet Riza Dani - jam për demokraci të lirë dhe do të dëshiroja që edhe Kushtetuta të inspirohej nga ky parim!” (21) Riza Dani foli edhe pak kohë në Parlament. Ai u arrestua në maj të vitit 1947, pothuajse një vit e gjysmë pas zgjedhjes si deputet. Bashkë me të u arrestuan edhe 10 deputetë të tjerë. Në total numri i të arrestuarve arriti në 40. Më 30 gusht të vitit1947 u mor vendimi: 17 vetë u dënuan me vdekje, midis tyre edhe tre emra të njohur: Shefqet Beja, Riza Dani dhe Selahudin Toto, ky i fundit, vëllai i Et’hem dhe Ismet Totos që qenë vrarë në një orvatje kryengritjeje kundër mbretit Zog. Në listën e 17 të pushkatuarve ishte edhe Enver Zazani, një mik i vjetër shkolle i Enver Hoxhës, ndoshta miku më i afërt i tij. Gruaja franceze e Zazanit priti për 12 orë me foshnjën në krah përpara derës së Hoxhës për t’i lypur mëshirë për mikun e vjetër. Por nuk e ndaloi dot pushkatimin. Vetë u përzu për në Francë, ndërsa e bija u kthye në një moshë pothuajse të thyer për një gjest sublim: gjetjen e eshtrave të të atit, që nuk e njohu kurrë dhe rivarrosjen e tyre sipas gjithë normave të shoqërisë

njerëzore. Eleminimi ishte vetëm njëra anë. Survejimi i atyre që merreshin me politikë, madje edhe kur ishin drejtues të lartë komunistë, ishte një tjetër metodë pune e regjimit për sigurimin dhe mbajtjen e pushtetit. Gjatë gjyqit të tij, në vitin 1949, kur u akuzua se kishte vënë nën përgjim Presidentin e Republikës, anëtarët e Byrosë Politike dhe pothuajse gjithë anëtarët e Qeverisë, ish-ministri i Punëve të Brendshme Koçi Xoxe deklaroi: “Për vëzhgimin e udhëheqësve kam biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë dhe kam marrë pëlqimin e tij...”. (22) Ndëshkimet brenda llojit, midis protagonistëve komunistë, filluan të shkaktojnë trauma të pashembullta. Kishte nga ata

që nisën të ngrenë nën zë pyetjen: Përse e gjitha kjo? Por shumica vijoi të njëjtin stil sjelljeje, duke ndëshkuar “fajtorin” e radhës pa guxuar as të pyeste se kush e kishte radhën pas tij. Në vitin 2008 Bedri Koka, ish -oficer i Ministrisë së Punëve të

Brendshme, që punonte kryesisht si shofer në rastet e ekzekutimeve, trokiti në derën e familjes Ndreu. Ai u orvat t’i rrëfente djalit dhe vajzës së ish-gjeneral Dali Ndreut dhe Liri Gegës, dy funksionarëve të lartë komunistë që kishin qenë protagonistë të instalimit të dhunës në Shqipëri, vendin ku ata të dy qenë ekzekutuar një ditë me shi të vitit 1956 së bashku me një komunist tjetër të quajtur Petro Bullati. Rrëfimi i tij, megjithëse me një pendesë të sinqertë, nuk ndihmoi dot në gjetjen e eshtrave të tyre. Ato, me gjasë, qenë lëvizur më pas në një vend tjetër, sipas një parimi të fshehtë të ndëshkimeve totale të atij

regjimi. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, po në vitin 2008, i njëjti person dëshmonte nisjen në internim të familjes së Petro Bullatit, personit të tretë të ekzekutuar me Liri Gegën dhe Dali Ndreun: “Disa ditë pas ekzekutimit, ma deshi puna të rikthehesha në familjen e Petro Bullatit. Kishte dalë urdhri për internimin e familjes së tij. Unë isha caktuar në grupin që do të bënte transferimin e saj nga Tirana. U futëm në shtëpi dhe u komunikuam urdhrin e komisionit të internim-dëbimeve. Morëm plaçkat dhe i hodhëm në makinë. Kur po dilnim pashë drejtuesin e operacionit që zgjatej në faqe të murit për të hequr një fotografi të madhe. U afrova ta ndihmoj duke mbajtur karrigen mbi të cilën kishte hipur. Sa e shkëputi nga gozhda u kthye nga gruaja e Petro Bullatit dhe filloi ta shajë: “Po ti moj shtrigë, na mbake dhe fotografinë e heroit!”. Ishte portreti i Vasil Shantos. “Mos kështu të lutem!”, gati iu përgjërua ajo. “Laj gojën kur zë në gojë emrin e tij!”, u skërmit majori me kornizën e fotografisë në duar. “Ai është im vëlla, miku i Enverit dhe Vojo Kushit. E dha jetën për vatanin”, sqaroi gruaja e Petro Bullatit me lot në sy. Një moment ngrimë në këmbë. Menduam se diçka nuk shkonte në këtë mes, por detyra nuk na lejonte të mendonim përtej saj. E morëm bashkë me fëmijët motrën e Vasil

Shantos dhe e çuam në kampin e internimit. Gjatë gjithë rrugëtimit përgjegjësi i operacionit mbante në dorë fotografinë e heroit dhe herë pas here fliste me vete. Siç na tha kur po ktheheshim, në vitet e luftës Vasil Shantua i kishte shpëtuar jetën në një betejë në periferi të Tiranës...”. (23) Vasil Shanto ishte ndër themeluesit e Partisë Komuniste në

vitin 1941, njëro prej atyre që mbështeti pa asnjë kusht Enver Hoxhën dhe ndikoi që ai të bëhej Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PKSh. Humbi jetën në një betejë në brigjet e Liqenit të Shkodrës, në vitin 1943, duke lënë pas motrën e tij, militante komuniste, që po ashtu po ndëshkohej tashmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›