E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e veriut, Fitzgerald: KFOR s'ka mandat

Shtrirja e ndikimit të institucioneve të Kosovës në Veri nuk është në mandatin e KFOR-it. Kështu u shpreh në Prishtinë Komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s, Admirali amerikan Mark Fitzgerald duke shtuar se kjo është një çështje që i takon politikës.

“Siç e dini, mandati i misionit i KFOR-it është që të ofroj siguri në kuadër të rezolutës 1244. Planet për pjesën veriore të Kosovës janë çështje politike, kështu që ne duhet të punojmë konform mandatit tonë”, u shpreh Mark Fitzgerald, Komandant i Forcave të Përbashkëta të NATO.

Ndërsa, sa i përket pjesëmarrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare të paqes, Fitzgerald, tha se trupat të kësaj force tashmë kanë marr pjesë në një mision kërkim shpëtimi në veri të Shqipërisë.

“E dimë se ka pasur vërshime ne Shqipëri ku mund të thuhet se trupat e FSK-së kanë participuar në mënyrë shumë të mirë në një mision ndërkombëtar duke i ndihmuar njerëzit atje gjatë vërshimeve. çështjet në të cilat ne do ti ndihmojmë FSK-së janë kryesisht reagimi në situata emergjente, si eksplodime të ndryshme, ndihmë mjekësore, kërkim-shpëtim, çështje të cilat ne do të mund të konsiderojmë si fusha në të cilat FSK do të mund të aktivizohet në misione ndërkombëtare”, vijoi ai.

Admirali Fitzgerald tha se reduktimi i trupave të KFOR-it i bërë në fund të janarit të këtij viti, tregon se në Kosovë është krijuar një ambient i sigurt. Sipas tij, Policia e Kosovës është duke i marr përgjegjësitë e tyre me sukses për të ofruar siguri për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë

Shkëlzen Osmani < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›