E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi "Skënderbej", Bashkia shpall konkursin këto ditë

Sipas kreut të Bashkisë, Rama, në konkurs do të marrin pjesë arkitektë dhe urbanistë nga më të shquarit e botës
Sheshi "Skënderbej" ka qenë në qendër të vëmendjes së banorëve të Njësisë Bashkiake Nr.8, në Tiranë, të cilët krahas problemeve të zonës së tyre kanë shfaqur interes edhe për qendrën e kryeqytetit. Kështu kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në vijim të dëgjesave publike me komunitetin kryeqytetas, organizoi dje pasdite takimin nën logon "Thuaj Fjalën Tënde", me banorët e kësaj zone. Të pranishmëve në takim u ishte shpërndarë një pyetësor, në të cilin renditeshin nevojat dhe kërkesat e evidentuara nga Njësia Bashkiake Nr.8 dhe nevojat e evidentuara nga Bashkia e Tiranës për investime dhe shpenzime në territorin e kësaj njësie. Mes plot çështjeve të tjera, interesimi i disa prej qytetarëve u fokusua edhe në rikonstruksionin e Sheshit "Skënderbej". Lidhur me këtë Rama pohon se, këto ditë do të shpallin konkursin ndërkombëtar për Sheshin "Skënderbej". "Do të jetë një konkurs, ku do të marrin pjesë arkitektë dhe urbanistë nga më të shquarit e botës. Do të jetë konkursi më i rëndësishëm ndërkombëtar, në vazhdën e konkurseve që ne kemi organizuar dhe që kanë hapur një epokë të re në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë",- pohon Rama duke shtuar se kanë siguruar një financim nga Qeveria e Kuvajtit, pas vizitës që ata bënë në Tiranë dhe takimit që patëm në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, këto ditë, një delegacion i Bashkisë së Tiranës do të shkojë në Kuvajt për të fiksuar të gjitha detajet, si dhe për të diskutuar projekte të tjera me rëndësi për kryeqytetin. "Kemi besim të plotë, që do të kemi një projekt shumë cilësor për ta rikonceptuar Sheshin "Skënderbej" duke ruajtur të gjitha vlerat e tij si trashëgimi kulturore dhe duke e pasuruar me elementë të shekullit XXI, në funksion të Masterplanit të Qendrës. Pasi të kemi këtë projekt, do të fillojmë menjëherë nga puna për realizimin e tij",- thekson Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›