E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Big Brother", një komedi-premierë për Vlorën

"Big brother Vlora" është premiera më e re e vënë në skenë nga estrada profesioniste e Vlorës. Marrë shtysë nga personazhet shumë të komentuara të spektaklit "Big Brother", këtë herë përmes humorit, artistët dhe këngëtarët vlonjatë, kanë provuar një version tjetër të këtij spektakli, servirur mjaft këndshëm për publikun vlonjat. Shfaqja e parë ka mbushur teatrin "Petro Marko" dhe estrada profesioniste është pritur me një interesim të dukshëm, ndërsa duartrokitjet më pas kanë folur për një shfaqje të pëlqyeshme. Figurat qendrore kanë qenë tre parodistët e Vlorës Muhamet Lika, Afrim Agalliu dhe Agron Amo, të cilët kanë sjellë jo vetëm elemente tipike të parodisë, por edhe ato të situatave komike te skeçet. Libreti i Aleksandër Dukës, Gafur Shametit e Pëllumb Kullës, ka përcjellë një atmosferë të ngrohtë në sallë, ku komunikimi mes skenës dhe spektatorit ka qenë i arrirë. Në rolin e ideatorit dhe regjisorit, aktori Afrim Agalliu tha se shfaqja kishte marrë shkas nga spektakli "Big Brother Albania" duke bërë me humor një retrospektivë të disa personazheve. Ai vlerësoi lojën e aktorëve, por edhe ndërthurjen me elementin muzikor, të cilat kanë qenë pika të forta të kësaj shfaqjeje. Tematika e saj varion nga goditja e korrupsionit, varfërimi i artistëve, ndërhyrja e politikës në fushën e shkencës, tematika sociale etj. Shfaqja ka pasur skenografinë e Agron Jakupit, ndërsa elementi muzikor është përpunuar nga Artur Dhamo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›