Strati në pritje të vlerësimit nga Guinness
Artisti Saimir Strati i dha fund ndërtimit të portretit të Michael Jackson duke përdorur rreth 300 mijë penela. Bashkë me platformën e tij ai udhëtoi në disa qytete të Shqipërisë dhe Kosovës dhe së fundmi u ndal këtu në Tiranë ku do të presë edhe jurinë e vlerësimit të rekordeve Guinness. “Kushtet e motit nuk kanë qenë të favorshme, megjithatë unë jam i gëzuar sepse çdo gjë ka shkuar sipas parashikimeve”, thotë Strati. Pas disa ditësh juria do të japë vlerësimin e saj dhe nëse artisti shqiptar vërtetë ka thyer rekord, atëhere do të marrë certifikatën e katërt Guinness.
Konferencë për 15 vjetorin e botimit të Biblës në shqip
Me rastin e 15-vjetorit të botimit të Biblës së plotë në shqip dhe të 10-vjetorit të vdekjes së përkthyesit të saj, dom Simon Filipaj, Qendra e Studimeve Albanologjike organizon sot në bashkëpunim me Institutin Filozofik dhe Teologjik një veprimtari përkujtimore-shkencore, me tre panele: konferencë shkencore, film dokumentar, ekspozitë. Simon Filipaj u lind më 1 maj të vitit 1925 në fshatin Kllezën e Poshtme, afër Shasit të lashtë të komunës së Ulqinit, në Malin e Zi. Më 1932 filloi shkollën fillore dyvjeçare në Selitë, për të vazhduar arsimimin e tij në Katërkollë afër Ulqinit. Në mungesë të shkollës në gjuhën amtare, ai e kreu shkollimin fillor në gjuhën sllave. Seminarin që i hapi rrugën e meshtarisë e kreu për disa vite në Tivar (1939-1941) dhe e vazhdoi pranë Seminarit Jezuit në Shkodër (1941-1945). Në vitet 1946-1950 Filipaj kreu me sukses të shkëlqyer studimet filozofike dhe teologjike në Fakultetin Teologjik të Zagrebit. Po në këtë vend u shugurua meshtar më 29 qershor 1950, si anëtar i Kryedioqezës se Tivarit. Fillimet e jetës klerikale Filipaj i kaloi në Triepsh e në Kojë të Kuçit (1950-1960), kurse në vitet 1960-1966 në Grudë të Malësisë së Madhe. Pjesën më të madhe të shërbimit, 33 vjet, ai e ka kryer në Shëngjegj dhe në Kllezë, buzë lumit Buna, nga 20 nëntori 1966 deri më 2 shtator 1999, kur dhe ndërroi jetë. Më 3 shtator 1999 Filipaj u varros në mënyrë modeste në vendlindjen e tij, në Klleznë.
12 Nentor 2009