Starton sot Panairi i 12-të i Librit, “Tirana 2009”
Izaura Ndoj
Panairi i Librit “Tirana 2009” mbërrin në edicionin e 12-të të tij, nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, dhe do të mbahet me 12-16 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Të ftuar special në çeljen e Panairit të Librit “Tirana 2009”, janë Ali Aliu, (shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar), dhe Amik Kosorafa. Pjesmarrëse në to do të jenë 80-të shtëpi botuese, dhe do të jenë të pranishme 70 promovime të librave të rinjë. Duke shënuar kështu, panairin më të madh të librit të mbajtur në mbarë hapësirat shqiptare pasi këtë vit stendat e librit do të pushtojne tre katet e Pallatit të Kongreseve. Ceremonia e çeljes së Panairit të 12-të, “Tirana 2009” do të mbahet me 12 neëntor në orën 18.00, ku është menduar të organizohet në formën e një feste të madhe. E reja këtë vit është se çdo botues ka pasur luksin që në këtë edicion të marrë aq sipërfaqe sa ka kërkuar për shkak të hapësirës së ofruar në tre katet e Pallatit të Kongreseve. Mundësi të cilën nuk e kanë pasur në edicionet e shkuara, pasi mjediset e Piramidës nuk mjaftonin për të gjithë. Në këtë edicion do të marrin pjesë shtëpi të ndryshme botuese nga të gjitha viset shqiptare, ku do të prezantohen mjaft tituj të rinj të librave nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Panairi i sivjetmë organizohet me mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe shtëpive të ndryshme botuese, të cilët mundësojnë mbajtjen e një evenimenti të tillë të rëndësishme për vite me radhë. Gjatë ditëve të panairit do të zhvillohen dhe promovime librash takime me shkrimtarët dhe shpërndarje të katalogëve të ndryshme informuese me detaje nga ngjarje të ndryshme letrare që gjithashtu pritet të mbahen gjatë ditëve të panairit të 12 të librit. Por ky rezulton të jetë dhe panairi më i kushtueshëm në këto 12 vjet të mbajtjes së tij në Tiranë. Qëllimet e këtij panairi janë paraqitja e të rejave nga fusha e botimeve mbarëshqiptare dhe përtej, kontaktet tradicionale të njerëzve të librit dhe paraqitja e vlerave të arritura nga fusha e botimeve nëpërmjet përurimeve të librave, konferencave, çmimeve e të gjitha veprimtarive të tjera që do të mbahen gjatë ditëve të evenimentit më të rëndësishëm të librit në të gjitha hapësirat shqiptare. Takimet promovuese me autorët pjesëmarrës do të jenë tepër intensive dhe në çdo orë teë ditës në dy sallat e konferenca gjatë gjithë ditëve të edicionit të 12-të. Janë parashikuar gjithashtu edhe konferenca të posaçme me shkrimtarë të ftuar, dhe disa tryeza debati mbi problemet e vazhdueshme të librit shqip. Ndërsa Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA, për të dytin vit radhazi, është sponsor i Panairit të Librit “Tirana 2009” i cili këtë vit, mbërrin në edicionin e 12-të të tij, nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.Agjencia NOA, me moton "Mëso i pari, lajmin e fundit", nga nesër e në vazhdim, do të sjellë për lexuesit në Shqipëri dhe pjesën tjetër të botës, informacionet më të fundit nga Panairi i librit “Tirana 2009”. Panairi do të çelet sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke shënuar evenimentin më të madh të librit të mbajtur në mbarë hapësirat shqiptare dhe do të vazhdojë deri më 16 nëntor. Në panair, do të marrin pjesë mëse 100 subjekte botuese nga të gjitha hapësirat shqiptare. Këtë vit në Panair do të jetë i pranishëm një ndër shkrimtarët më të njohur italianë, Frederico Moçia i cili paraprakisht ka konfirmuar praninë e tij përgjatë ditëve të panairit dhe është përkthyer në shqip nga shtëpia botuese “Dituria”.
Katalogu
Katalogu i panairit këtë vit do të vijë ndryshe dhe do të shtypet në 5000 kopje.
Jo vetëm informativ për të gjitha veprimtaritë e ditë pas dite në panair, por edhe promovues i shtëpive botuese, ku secili botues i interesuar mund të reklamojë shtëpinë e tij botuese nëpërmjet faqeve të brendshme me ngjyra të tij. Çdo ditë në të gjithë hapësirën ku do të mbahet edicioni i 12-të i Panairit të Librit, do të jetë edhe Gazeta e Panairit, kryesisht informative mbi të gjitha veprimtaritë e një dite më parë në Panair, dhe ato çka pritet të ndodhin në ditët e ardhshme. E ideuar në formën e suplementit me një nga të përditshmet shqiptare, bëhet e mundur që informacionet dhe kontaktin me panairin ta kenë të gjithë shqiptarët jashtë trojeve.
Çmimet e edicionit të 12-të:
1. Shkrimtari i Vitit-Juria e SHBSH
2. Përkthyesi i Vitit- Juria e SHBSH
3. Paraqitja më e mirë në Panair dhe libri më i shitur
4. Libri më i realizuar i grafikisht-specialistë të librit
5. Autori më i vlerësuar për fëmijë.
12 Nentor 2009