E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët serbë thirrje komunitetit: Dilni në zgjedhje!



Intelektualë nga Serbia u kanë drejtuar thirrje serbëve të Kosovës që të mos e dëgjojnë Beogradin dhe të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Gjatë një konference të përbashkët të një grupi intelektualësh serbë, të mbajtur në Çagllavicë, është vlerësuar se Plani i Ahtisarit në masë të madhe ofron zgjidhje për problemet, me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë. Kryetarja e Këshillit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se është shumë me rëndësi që serbët të vendosin vetë dhe të jenë faktorë politikë në Kosovë. “Ne jemi të mendimit se serbët e Kosovës duhet t’i zënë vendet e tyre në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të bëhen faktorë politikë dhe të jenë në gjendje t’i marrin vetë vendimet për të ardhmen e tyre”,- tha Biserko. Ndërkaq, avokati nga Beogradi, Dragolub Todoroviç, akuzoi jo vetëm politikanët, por edhe shoqërinë civile në Serbi, se pa asnjë arsye, në formë stereotipi, janë shprehur kundër Planit të Ahtisarit, të cilin ai thotë se Beogradi as që e ka studiuar ndonjëherë se çfarë përmbajtjeje ka. “Jam i sigurt se as politikanët serbë, as publiku serb, nuk dinë se çfarë përmban Plani i Ahtisarit, por janë kundër tij”, tha Dragolub Todoroviç, sipas të cilit, serbët e Kosovës duhet të marrin vendin që u takon në kuadër të vetëqeverisjes lokale, siç mundësohet edhe me Planin e Ahtisarit.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›