E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave me BE-në, kur Kosova të plotësojë kriteret



Blerina Olldashi
Kosova duhet të përmbushë kriteret e vendosura nga Komisioni Europian para se të jepet një axhendë kohore për nisjen zyrtare të procesit të liberalizimit të vizave. Ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së për këtë çështje, Kosova vazhdon të ketë si detyrim kryesor përmbushjen e kritereve të vëna nga Komisioni Europian. Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian në Kosovë, Maja Pavloviç, thotë se askush nuk mund të thotë saktësisht se si do të jetë rruga e Prishtinës zyrtare drejt liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Kjo gjë, sipas saj, pritet të qartësohet pas krijimit të udhërrëfyesit për heqjen e vizave për Kosovën nga Komisioni Europian, i cili do të pasojë miratimin eventual të studimit për Kosovën, në kuadër të raportit të progresit të këtij komisioni për vendin nga Këshilli i Ministrave i BE-së. “Koha për liberalizimin e vizave për Kosovën varet shumë nga shpejtësia, me të cilën Kosova do të jetë në gjendje t’i përmbushë kërkesat e vëna për procesin e liberalizimit të vizave. Unë nuk mund të jap afat të saktë kohor. Ajo që mund të bëjë Komisioni Europian është që, diku në vitin e ardhshëm, të propozojë një listë të detajuar, të ashtuquajtur udhërrëfyes të veprimeve, të cilat duhet të kryhen nga autoritetet. Besoj se në muajt e ardhshëm, pra në vitin e ardhshëm, do të kemi më shumë qartësi se si të vazhdohet më tutje”,- thekson Pavloviç. Ndërkohë, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila ka përgatitur raportin për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka paralajmëruar mundësinë që aprovimi i heqjes së vizave Shengen për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi që nga dhjetori i këtij viti, të bëhet gjatë së mërkurës nga Parlamenti Europian. Në kriteret, të cilat vlerësohet t’i kenë përmbushur tashmë këto vende, kërkohet një angazhim i shtuar nga institucionet kosovare. Pavloviç shpjegon një pjesë të kritereve, të cilat pasqyrohen në studimin për Kosovën në raportin e progresit 2009, ku, po ashtu, kërkohet themelimi i një dialogu për procesin e stabilizim-asociimit.
“Ai dokument propozon një qasje strukturale që eventualisht mund të çojë në liberalizimin e vizave. Ky proces do të kërkonte shumë kohë dhe shumë përkushtim politik. Kjo, gjithashtu, do të thotë se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha reformat e nevojshme që i kanë kryer shtetet e tjera në rajon, siç janë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Pra, Kosova duhet ta përshtatë legjislacionin, t’i përforcojë kapacitetet administrative, t’i alokojë burimet e nevojshme dhe të tjera”,- shprehet ajo. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, shprehin bindjen se zhvillimet në përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash po ecin me dinamikën e nevojshme.

Serbi, vendi shpall epideminë e gripit të derrit

Serbia shpalli epideminë e gripit A/H1N1. Masa e parë në luftën kundër epidemisë është vaksinimi urgjent i tre milionë njerëzve, si dhe kujdestaria e përforcuar e mjekëve. Këtë e bëri të ditur dje për mediat ministri serb i Shëndetësisë, Tomica Millosavleviç. Shpallja e epidemisë së gripit të derrave A/H1N1, nënkupton mes tjerash që në Serbi tashmë mbikqyrja do të jetë e jashtëzakonshme. Do të ketë ndalim të grumbullimit më shumicë të njerezve në vende publike, përfshirë shkollat dhe institucionet parashkollore. Por, ministri bëri të ditur se për mbylljen e shkollave dhe çerdheve do të vendosin institutet për shëndet publik. Epidemiologët këshillojnë se vetë shpallja e pandemisë nuk ndryshon dukshëm rrethanat në vend, ndërsa masat do të zbatohen vetëm atje ku është e domosdoshme. Deri tani në Serbi janë hstruar ne spital 443 persona me simptome të gripit të ri, ndërsa virusi është konfirmuar te 261 persona.

Mal i Zi, Gjukanoviç: “Qëndrimi serb ndaj Kosovës, iracional”

Kundërshtimi i Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës është “iracional”, sepse nuk mund ta kthejë prapë atë, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç në një intervistë për të përditshmen “Politika”. Gjukanovic ka theksuar se Podgorica për një kohë të gjatë e ka konsideruar pavarësinë e Kosovës si të sigurt. “Ne nuk kemi ndërmend që ta bindim Serbinë se qëndrimi ynë është i drejtë, por ne nuk jemi hipokritë që ta fshehim qëndrimin tonë se pozicioni i Serbisë është politikisht iracional”, ka thënë Gjukanoviç për të përditshmen serbe “Politika”. Kreu i ekzekutivit malazez ka shtuar se pavarësia e Kosovës “është bërë zyrtarisht e pakthyeshme” edhe për shkak të qëndrimit të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve tjera me ndikim brenda Bashkimit Europian. Gjukanoviç gjithashtu i ka bërë thirrje Beogradit të mos lejojë që marrëdhëniet mes dy vendeve “të mbeten nën hijen e Kosovës”.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›