E Diel, 1 Nëntor 2026

Strehimi i romëve, pas 1 muaji gati reparti ushtarak në Sharrë

TIRANË- Reparti Ushtarak në zonën e Sharrës është vendi ku Ministria e Punës do të strehojë familjet rome.
“Këto ambiente nuk janë të sistemuara plotësisht, janë të pabanuara për momentin. Por duke pasur parasysh se është një situatë emergjente, unë besoj se brenda një muaji këto ambiente mund të kthehen në të banueshme”, tha Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço.

Por ndërkohë, banorët e zonës kanë kundërshtuar vendosjen e familjeve rome në repartin ushtarak, me pretendimin që është toka e tyre.
“Është prona ime, prona e babës tim, e ka blerë me florinj...shteti të më likuidojë mua, pastaj të fusë romët këtu”, u shpreh një banor.

Ndërkaq, më herët gjatë paradites ministri i Punës Spiro Ksera deklaroi se çështja e romëve po përdoret politikisht.
“E kishim bërë gati vendin në Sharrë, pavarësisht se data 1 u përdor për arsye të tjera, u përdor që të goditet edhe Ministria e Punës dhe puna e jashtëzakonshme e qeverisë për mbështetjen e këtij minoriteti, pavarësisht nga dobësia e pushtetit vendor për të strehuar me prioritet këto shtresa që kanë nevojë”, tha ministri Ksera.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›