Strehimi i romëve po keqpërdoret politikisht nga e majta
Reagon ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, deklaroi sot se komuniteti rom po përdoret për qëllime politike. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i kabinetit të kësaj ministrie Kleves Bitro apeloi ndaj institucioneve publike dhe ndaj mediave, “që të mos shfrytëzojnë komunitetin rom dhe kauzën e tyre për qëllime politike”. Keqardhja për përdorim politik edhe sot të çështjes së romëve. Ministria e Punës ka vënë në dispozicion ambiente dhe ka fondet e nevojshme për të garantuar strehimin e këtij komuniteti. Por siç u pa dhe nga pasqyrimi i lajmit të tryezës iniciuar nga avokati i popullit në “Top Channel” qëllimi ishte vetëm për të goditur institucionin e bashkisë së Tiranës e cila në fakt nuk ka asnjë lidhje me strehimin e romëve sikundër nuk ka përfituar asnjë fond për këtë çështje nga institucionet ndërkombëtare. Top Channel abuzoi sot duke i atribuuar përfaqësueses së ministrisë së Punës pohime të paqena në lidhje me përgjegjësinë e bashkisë për strehimin e romëve në banesat sociale. Për asnjë moment nuk është artikuluar një gjë e tillë pasi bashkia nuk ka asnjë detyrim të tillë. Edhe një herë u bëjmë institucioneve publike dhe medieve të mos përdorin për qëllime politike këtë çështje”. Ndërkaq, po të martën paradite, Avokati i Popullit organizoi një tryezë, ku u diskutua zgjidhja emergjente e situatës së komunitetit rom në kryeqytet. I pranishëm në këtë bashkëbisedim ishte edhe Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, i cili rikonfirmoi se “zgjidhja e çështjes së integrimit të komunitetit rom është një ndër 12 kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë për integrimin e saj në Europë”.
Deklarata e Ambasadorit të BE, Ettore Sequi: BE-ja i ka akorduar 3 milionë euro Shqipërisë për romët/Avokati i Popullit organizoi dje një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar me komunitetin Rom që banon në zonën e ish-Dekorit (Rruga e Kavajës). Avokati i Popullit, Igli Totozani gjatë fjalës së tij, u shpreh se ‘romët po kalojnë momente të vështira, ndërsa dëbimi i tyre nuk është bërë në mënyrën e duhur”. Lidhur me kallëzimet për këtë rast, Totozani shprehet se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj t’i hetojë. “Fillimisht kanë qenë 67 familje, 30 u larguan, 37 familje kanë mbetur pa mundësi strehimi, koha nuk pret, duhet zgjidhje”, tha ai. Në këtë tryezë të rrumbullakët marrin pjesë institucione shtetërore dhe komunitetit ndërkombëtar. Ambasadori i BE, Z. Sequi dhe përfaqësuesja e OKB në Shqipëri, Znj. Touimi- Benjelloun si dhe ambasadorë të tjerë. Gjatë diskutimeve në këtë tryezë, ambasadori i BE-së, Etore Sequi tha se BE mbështet përfshirjen sociale të romëve. Sipas tij, ky komunitet duhet të ketë shanse të barabarta si gjithë të tjerët. Sequi kujtoi se “një nga 12 prioritetet e integrimit është për të drejtat e romëve” Ambasadori i BE-së, shtoi më tej se, ‘BE i ka akorduar 3 milionë euro Shqipërisë për romët”, ndërsa shtoi se institucionet duhet të bashkëveprojnë. Sipas ambasadorit Sequi autoritetet vendore duhet të konsultohen para dëbimit të romëve, si dhe të gjejnë zgjidhje në rastet kur ata dëbohen. “Autoritetet të sigurohen për zgjidhje ligjore”, tha Sequi, ndërsa përgëzoi Avokatin e Popullit për përkrahjn e tij. Në përfundim të takimit, ambasadori Sequi theksoi se situata e romëve do të reflektohet në raport/progresin e BE-së për Shqipërinë, që pritet të jetë gati në muajin tetor. Ambasadori Sequi inkurajoi të gjitha institucionet shqiptare që të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e romëve. “Ju e dini që një nga 12 prioritetet kyçe të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushë për të ecur përpara drejt BE-së, ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom. Ne inkurajojmë të gjitha institucionet shqiptarë që të bashkëpunojnë që të gjendet një zgjidhje si afatshkurtër dhe afatgjatë për këtë çështje. Mendoj që kemi të bëjmë me një çështje që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, të drejtat për të gjithë. E drejta është diçka që askush nuk jua merr dot. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot”,- u shpreh ambasadori Sequi. Ndërsa gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit, kreu në detyrë i prezencës së OSBE-së, Robert Uilton, theksoi nevojën e diskutimit mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për çështjen e romëve. Ndërsa shprehu shqetësim për dëbimin e romëve nga strehimet e tyre, zoti Uilton tha se OSBE-ja mbështet propozimet e Avokatit të Popullit. Ai theksoi rëndësinë që romët të regjistrohen, të marrin ndihmë ekonomike dhe të strehohen.