"Për vëllezërit gërdecarë kam bukë, kripë dhe zemër"
Asnjë në Gërdec nuk e kishte "radhën" për të vdekur. Nuk ishin të sëmurë, as të moshës së tretë. Por ju "faleminderit" pushtetarë e politikanë që na lëshoni këtë radhë. Gërdeci është ashtu siç ishte tragjedia e Selenicës, Prespës, 9 janarit, Farka, larja e rrugëve me gjak dhe buqeta lulesh për çdo kilometër nga aksidentet. Këto viktima, dëshmojnë mjaft mirë për shpirtin tuaj "human e atdhetar" që në këto 18 vite demokraci na e vezulluat në kurrizin e tërë shqiptarëve.
Çdo festë, prag feste, apo ditë të zakonshme, na keni bërë "dhurata" që bota na i ka "zili". Kushtetuta me kapak të kuq dhe paragrafë e nene shumë të saktë, vlen vetëm për ne, popullin e thjeshtë. Sa për ju, "të rënët nga qielli" e të pazëvendësueshmit e të pagabueshmit, ligji është venitur. Ligji qëndron i përgjumur përpara ryshfeteve, korrupsionit, trafikimeve, kontrabandës. Parajsa mbi tokë është vetëm për ju. Për ne të tjerët "matanë gardhit" të pushtetit, ka vetëm pasiguri personi, papërgjegjshmëri, papunësi, rritje galopante të çmimeve, varfërim të tejskajshëm, vrasje e vetëvrasje, grabitje e mashtrime dhe sa e sa të tilla.
Popullsia rreth gjysëm milioni banorë (Shkodër e Lezhë me rrethina) mbajnë në shpinë 3 diga, 3 liqene dhe 1 rezervuar të madh uji. Kanë mbi 40 vite jetë. Besoj se amortizimet janë më të mëdha se investimet.
Pyes, a ka garanci për këtë popullsi që i ka sipër kokës? Kompetentët të japin përgjigje publike. (Smajl Ahmeti, Farudin Hoxha, Luigj Pjetri etj.), sepse ju politikanë na "siguroni" e na "garantoni", por kush Ju beson? Nuk e kemi pasur këtë fat si popull që Ju të ishit të gjithë bashkë atë ditë, në orën 12:00, në fshatin Gërdec. Nuk po ju them as ikni, as shporruni, por pirdhuni mor maskarenj!
Një thirrje: O popull! Lërini shikimet majtas e djathtas... të bashkohemi për të fshirë këtë blozë, për të qartësuar këtë rrumpallë që na ka mbuluar si komb! Shqipëria nuk meriton të jetë lis i rrëzuar përdhe.
Më 1998 kam strehuar në familje 14 kosovarë nga Deçani, për rreth katër muaj. Edhe sot për vëllezërit gërdecarë derën e kam të hapur me bukë, kripë dhe zemër.