E Shtunë, 31 Tetor 2026

Struga në rrezik pa unitetin e shqiptarëve

Shkup-Partitë maqedonase në Strugë tashmë janë rreshtuar përkrahë kandidatit të tyre nga Partia për Ardhmëri Evropiane (PAE), Fijat Canovski, i cili është kandidati që ka hyrë në raundin e dytë së bashku me kandidatin e BDI-së, Ramiz Merko. Siç bëjnë të ditur burime partiake për agjencinë e lajmeve INA nga Struga, kandidati Canovski, që u mbështet nga opozita maqedonase, por që në anën tjetër është edhe partner i koalicionit me VMRO-DPMNE-në, tashmë ka hartuar strategjinë për të marrë fronin e Strugës, duke pritur një përçarje të votës shqiptare.

Canovski ka marrë dritën jeshile edhe nga VMRO-DPMNE se votat e kësaj partie do ti dedikohen kontos së tij. Nga ana tjetër, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nëpërmjet liderit të saj Menduh Thaçi ka paralajmëruar se votat e kësaj partie do të shkojë në konton e një kandidati shqiptar në raundin e dytë.

Vota e PDSH-së është vendimtare për komunën e Strugës, pasi që kandidati i kësaj partie ka fituar mbi 5100 vota në raundin e parë. Duke folur për rezultatet në qytetin e Strugës , lideri I PDSH-së u shpreh qartë se PDSH-ja në raundin e dytë do të përkrah kandidatin shqiptar, një deklaratë kjo e mirëpritur nga shoqëria e cila heton se në Strugë po luhen shumë skenare.

“Kemi rezultat solid në Strugë dhe ende nuk është e definuar se a shkojmë në raundin e dytë në këtë qytet dhe nëse nuk shkojmë do të përkrahim kandidatin shqiptar”, kështu kishte deklaruar kreu i PDSH-së akoma pa u konfirmuar rezultatet në raundin e parë. Nga ana tjetër, nga kampi i BDI-së është mirëpritur deklarata e Thaçit, por përfaqësues të kësaj partie theksojnë dhe shpresojnë që të ndodhë mobilizimi shqiptar.

“Mbështetja e kësaj partie është shumë e nevojshme dhe sipas informacioneve të mia që kam nga faktorë të ndryshëm, nuk ka dilemë se do të kemi një mbështetje absolute nga këto parti politike dhe qytetarët e Komunës së Strugës”, ka theksuar shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani. Ai ka nënvizuar se shqiptarët duhet të jenë unik në raundin e dytë për Strugën, me qëllim të fitimit të betejës për këtë qendër shqiptare. Ndërkohë, asnjë këto parti nuk janë deklaruar se sa të vërteta janë pohimet e tyre për bashkëveprim, pasi që ato vijnë vetëm në mënyrë deklarative. Partitë maqedonase kanë intensifikuar bashkëveprimin e tyre në Strugë duke hartuar një strategji të fshehur që më 5 prill në raundin e dytë të sfidohet kandidati shqiptar. (INA)

Votat e partive në Strugë në raundin e parë
Mendi Qyra – PDSH- 5147 vota
Fijat Canoski – PAE - 7331 vota
Ramiz Merko – BDI- 9150 vota
Sllavko Kotevski – VMRO-DPMNE – 7014 vota
Xhevdet Nasufi – DR – 1328 vota

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›