E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtetarët po na terrorizojnë, në pronën tonë

Problemi i pronave

Letër drejtuar zotit Sali Berisha,
Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë

Jemi një familje nga Vlora, që ju drejtohemi për të sqaruar situatën në të cilën ndodhemi. E shohim me vend t’ju informojmë për cenimin dhe denigrimin që i bëhet familjes sonë që prej 2 vjetësh në mënyrë sistematike me veprime arbitrare nga shtetarë të ndryshëm, duke injoruar të gjitha të drejtat ligjore që gëzon një qytetar i lirë. Jemi banorë të vjetër të lagjes “Uji i Ftohtë” Vlorë, dhe me ardhjen e demokracisë jemi rikthyer në pronën tonë, që është një banesë e ndërtuar qysh para vitit 1912. Banesa është aktualisht ekzistuese edhe sot.

Banesa dhe trualli rreth saj, që nga momenti i shpronësimit formal, nuk është përdorur asnjëherë për qëllime publike dhe duke mos qenë e përfshirë në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, por në pronësi të NB Ullishte Vlorë, me vendim të Gjykatës së Lartë është detyruar NB Ullishte t’i lirojë e dorëzojë banesën pronarit Teki Kadëna. Ky vendim i ka kaluar të gjitha instancat e gjyqësorit. Me vendim gjykate jemi njohur pronarë të truallit prej 3 mijë m2 në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë, vendim i cili është kontestuar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Kjo e fundit ka pretenduar pronësinë mbi truallin, duke kërkuar anulimin e vendimit i cili është rrëzuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me arsyetimin se ligji 7698, dt. 15.04.1993 është ligj i miratuar nga Parlamenti shqiptar, i cili ka supremaci ndaj një akti nënligjor, me të cilin pretendon Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare që të jetë pronare me vendimin nr. 12, dt. 07.01.1999 të Këshillit të Ministrave. Ky vendim gjyqësor u legjitimua edhe në shkallët më të larta të Gjyqësorit, duke marrë kështu formë të prerë. Të gjitha këto gjejnë pasqyrim në regjistrimin e pasurisë në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive me vërtetim hipotekor nr. 30.33.36, dt. 08.07.2006, sipas të cilit jemi pronarë të ligjshëm. Që prej majit të vitit 2008 e në vazhdim kemi qenë nën presionin e paprecedent të veprimeve arbitrare të Gardës së Republikës dhe drejtoreshës së Shërbimeve Qeveritare, zj. Elsa Meksi. Me urdhër të saj, Garda e Republikës, duke na dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, pa na dhënë asnjë shpjegim, na ka bllokuar hyrjen dhe ndërprerjen e aktivitetit në pronën tonë, për të cilën kemi ngritur një padi penale për dhënie të urdhrit të padrejtë prej saj. Ju bëjmë me dije se kjo drejtuese ka abuzuar në emrin tuaj dhe të vendimeve të Këshillit të Ministrave, duke cenuar konfiguracionin e pronës nën administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare prej 15 ha, duke e zhvendosur dhe duke krijuar mbivendosje me pronën e familjes Kadëna, që të përfitojnë në mënyrë klienteliste persona të tretë, pas të cilëve fshihen dhe interesat e saj. Ky pretendim është provuar edhe nga eksperti ligjor i caktuar nga gjykata. Veprimet arbitrare të znj. Elsa Meksit dhe mënyra e përfitimit të pronësisë së familjes Kadëna kanë kaluar në filtër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku doli në përfundimin se familja Kadëna është bërë pronare e ligjshme në rrugë ligjore. Në asnjë mënyrë kjo familje nuk mund të korruptojë prej vitesh as gjykatën e as prokurorinë, as Komisionin e Pronave e as zyrat vendore të regjistrimit të pasurisë, ndërsa për znj. Elsa Meksi prokuroria ka gjetur elementë të veprës penale të ndërmarrjes të veprimeve arbitrare dhe për këtë çështja është në gjykim.

I nderuar zoti Kryeministër!

Veprimi që na detyron t’ju drejtohemi ju dhe vetëm ju, është se në mënyrë flagrante dhe pa njoftim është shkatërruar i gjithë aktiviteti ynë, duke na shkaktuar dëme të pallogaritshme dhe duke terrorizuar në mënyrë të paprecedent gratë dhe fëmijët e familjes Kadëna, duke na krijuar idenë se jetojmë në një shtet policor. Shqetësimi ynë është se prej dy vitesh dhe pa asnjë sqarim nga ana e instancave shtetërore ne po trajtohemi jo si qytetarë me dinjitet, por si shkelës të rëndomtë ligji. Me autoritetin tuaj, duke parë se ju jeni njeri që respektoni vetëm ligjin dhe besoni në të, kërkojmë ndërhyrjen tuaj në sqarimin e problemit tonë, pasi na janë mbyllur të gjitha dyert e administratës shtetërore. Ne nuk kundërshtojmë projektet e qeverisë për atë zonë, por kërkojmë të trajtohemi me dinjitet me të gjithë tagrin që i takon pronarit të ligjshëm.

Me shumë respekt,
familja Kadëna

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›