Strukturat inteligjente të Policisë i afrohen zbardhjes së vrasjes, hetohet në pistat e motiveve personale

Hetimet identifikojnë katër pista hetimi, për motivet që çuan në vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. Përjashtohen motivet politike, ndërkohë që strukturat vendosin një “bllokadë informacioni”, edhe pse deklarohet se janë shumë pranë zbardhjes së vrasjes.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë si dhe drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit flasin për identifikimin e dëshmitarëve, por edhe për hetimin e hollësishëm të takimeve të të ndjerit gjatë ditës së krimit
TIRANE - Drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit Shemsi Prençi, bëri të ditur dje se e gjithë zona është rrethuar dhe janë bllokuar të gjitha drejtimet që të nxjerrin nga zona e Roskovecit në drejtim të Beratit, të Lushnjës dhe në drejtim të Ballshit.
Ai tha se policia ka komunikuar me familjarët për të mësuar mbi rrethanat dhe aktivitetin ditor të deputetit për të sqaruar se mos ishte fjala "për ndonjë konflikt të shpejtë të ditës". Prençi tha se policia ka pista të tjera për të cilat do të komentohet pasi të jenë nxjerrë konkluzione të sakta.
Sipas kreut të policisë lokale, mësohet se, nuk është ndaluar ndonjë person por janë marrë në pyetje njerëz në ambientet e shtëpive për të sqaruar rrethanat.
Hetimet për konflikte që lidhen me jetën private të deputetit Fatmir Xhindi, u konsideruan si mundësi më e madhe hetimi edhe në një mbledhje të zhvilluar dje në prokurorinë e Fierit, ku merrte pjesë Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, si dhe drejtues lokalë të prokurorisë e policisë së Qarkut të Fierit. Në këtë takim, u përcaktuan si pista hetimi, konflikte të mundshme pronësie, apo edhe konflikte që lidhen me jetën private të deputetit Fatmir Xhindi.
Ndërkohë, në një komunikatë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit thanë se kanë angazhuar të gjithë ekspertët më të mirë të hetimit të krimeve të rënda.
Ata thanë se sigurojnë opinionin publik dhe familjen e deputetit Xhindi se do të kryhet një hetim i hollësishëm dhe i thellë për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve.