E Diel, 1 Nëntor 2026

Përcillet për në banesën e fundit deputeti i ndjerë Fatmir Xhindi, Berisha premton vendosjen e shpejtë të drejtësisë

Në ceremoninë e rastit u vendosën kurora në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetares Jozefina Topalli

TIRANE - Deputeti i ndjerë Fatmir Xhindi, u përcoll dje për në banesën e fundit, në një ceremoni mortore të zhvilluar në qytezën e Roskovecit, ku morën pjesë mijëra qytetarë, miq e të afërm të deputetit 49 vjeçar, personalitete të politikës, deputetë, përfaqësues të partive të të gjithë spektrit politik, etj. Një minutë heshtje ka qenë preludi i kësaj ceremonie e cila vazhdoi me përcjelljen e trupit të pajetë drejt varrezave të fshatit Kurjan, 7 km larg Roskovecit, fshati i lindjes së të ndjerit Xhindi, por dhe vendi ku ai shërbeu për katër vjet (1992-1996) si kryetar komune.
Menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes së rëndë, për në vendngjarje u nis kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e shoqëruar nga një numër i madh deputetësh mori pjesë në ceremoninë e homazheve në nderim të deputetit Fatmir Xhindi, i mbrëmjen e së shtunës, pranë banesës së tij në Roskovec, Fier.
Në ceremoninë e rastit, u vendosën kurora në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetares Jozefina Topalli.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vlerësoi në këtë ceremoni figurën e deputetit socialist, Fatmir Xhindi, si një njeri të ndershëm dhe punëtor, një përfaqësues dinjitoz i njerëzve të thjeshtë. “Fatmir Xhindi ishte njeriu zemërmirë e gojëmbël që jetonte mes punëve të fshatit dhe të Kuvendit të Shqipërisë, pa prishur kurrë qejf me askënd”, tha Rama. “Përveç punëve të mira që bëre me bashkëfshatarët dhe për bashkëfshatarët e tu, ti nuk ke pasur veçse kujtime të mira që na i mbushim të gjithëve sytë me lot dhe nuk na ndihmojnë të kuptojmë arsyen e dhunës vrastare që mbrëmë të mori jetën, duke copëtuar me plumba zemrat e familjarëve të t’u dhe të gjithëve ne”, tha kreu i PS-së.
Fatmir Xhindi babai i tre fëmijëve (22, 20, dhe 16 vjeç), mbeti i vrarë të shtunën rreth orës 21.10 pranë shtëpisë së tij. Informacionet paraprake të policisë thonë se deputeti është qëlluar me breshëri automatiku në momentin që ka parkuar makinën në derën e shtëpisë së tij. Deputeti ka vdekur vetëm 4 metra larg portës dhe 6 plumba kanë përshkruar trupin e tij, ndërkohë që në vendngjarje janë gjetur shumë gëzhoja.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›