Strukturat paralele në veri, Tahiri: Duhet të shpërbëhen deri në shtator
Serbia duhet që më 1 shtator ti shuajë strukturat ilegale të drejtësisë e më 30 shtator ato të sigurisë, ndërsa brenda këtij muaji duhet të merr vendim qeveritar për ndaljen e financimit të strukturave ilegale ashtu siç parashihet në marrëveshjen për normalizim dhe planin për zbatim.
Ndërsa Kosova javën tjetër duhet të emëroje Komandantin rajonal për katër komunat me shumicë serbe. Sa i përket Asociacionit të Komunave serbe ai do të krijohet pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë.
Në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri ndërsa ekipi përbëhet edhe nga 22 zyrtarë të tjerë.
Në agjendën e bisedimeve ishin çështjet e drejtësisë, sigurisë, procesi i krijimit të asociacionit dhe zgjedhjeve lokale.
Në njoftim përmenden obligimet e palës serbe dhe ato kosovare.
Obligimet e palës serbe kanë të bëjnë me zhbërjen e strukturave ilegale serbe në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë, ku shuarja e plotë duhet të realizohet gjatë shtatorit, respektivisht më 01 shtator shuhen strukturat ilegale të drejtësisë dhe më 30 shtator ato të sigurisë. Po ashtu, është definuar i tërë procesi i zhbërjes, përmes një procesi gradual me përfundim në shtator, si dhe që pala serbe gjatë qershorit do të marrë vendim qeveritar për ndaljen e financimit të strukturave ilegale ashtu siç parashihet në marrëveshjen për normalizim dhe planin për zbatim, thuhet në njoftim.