Studentët, Ramës dhe Berishës: Gjeni zgjidhje

Universiteti Luigj Gurakuqi
Studentët e universitetit Luigj Gurakuqi, në Shkodër i kanë dërguar një letër kryeministrit Berisha dhe liderit socialist, Edi Rama, lidhur me takimin mes tyre.
Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës shprehet se, e vlerëson maksimalisht takimin Rama-Berisha.
Studentët në letrën e dërguar dy liderëve politik shprehen se, nga takimi Rama-Berisha e presin do të dilet në një zgjidhje të arsyeshme, në të mirë të popullit shqiptar.
Integrimi i mëtejshëm i vendit është në duart tuaja, dhe sonte gjithçka mund të finalizohet me sukses, shprehen studentët në letër.
Studentët e Shkodrës shkruajnë ndër të tjera se, ky mesazh publik i ardhur nga zëri studentor, rinor dhe brezi i të ardhmes së këtij vendi, mund të zgjojë tek ju ndjenjat e një përgjegjësie edhe më të lartë.
Sonte, kulti i harresës duhet të mbizotërojë si tek njëri ashtu dhe tek tjetri sa i takon konflikteve, fërkimeve dhe tensioneve politike. Mendoni vetëm kaq, ne, fëmijët tuaj, meritojmë një të ardhme europiane, ashtu si mjaft bashkëmoshatarë në vendet perëndimore demokratike. Përveç mbarë kombit shqiptar, edhe mjaft ndërkombëtarë e zyrtarë të huaj i kanë sytë në takimin tuaj, duke pritur nga ju një zgjidhje të pranueshme, nga e cila mund të arrihet shumë shpejt edhe integrimi i mëtejshëm evropian, shkruhet në letrën e studentëve.
Këshilli studentor i thotë liderëve politikë se, ” ju drejtohemi me zemrën të ngrirë, duke pritur me ankth takimin tuaj dhe shpresuar që më në fund, klasa jonë politike është e aftë t’i japë vendit dhe popullit, të cilin përfaqëson, atë çka ai meriton”.
Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një president me konsensus të gjerë politik, përfaqësues i unitetit popullor dhe një individ me moral e integritet të lartë, një njeri me profil atdhetar.
Letra e studentëve mbyllet, duke shpresuar dhe besuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të drejtë dhe të pranueshme.
/E.L/