E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD hedh poshte pretendimet e PS per moratoriumin e skafeve

Partia Demokratike iu kundërpërgjigj deklaratave të ardhura nga selia rozë, lidhur me moratoriumin e skafeve. Përmes zëdhënëses së saj, Silvi Bardhi, PD i cilësoi si rë paqëndrueshme pretendimet e përfaqësuesve socialistë, sa i takon një çështje të tillë.
“Përsëri dje z. Edi Rama nëpërmjet zëdhënësit të tij okazional të rradhës iu rikthye temës së tij shumë të preferuar dhe tejet fitimprurëse të skafeve, skafoturizmit dhe Skaforepublikës. Sipas z.Rama ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin dhe ekonominë e qyteteve bregdetare dhe vetëm sa nuk u tha direkt se qeveria me moratoriumin e skafeve po i dëmton këto bashki socialiste me qëllim”, u shpreh ajo. 
Kështu, duke iu referuar këtyre qëndrimeve, PD bëri sqarimin e saj duke argumentuar të kundërtën. 
“Në Shqipëri skafet si flotilje e krimit të organizuar dhe trafiqeve i kanë shërbyer vetëm pasurimit të grupeve kriminale dhe mbrojtësve të tyre, pushtetarëve që i mbështesin dhe jo qytetarëve. Pretendimi se ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin në qytetet e qeverisura nga socialistët është sa absurd aq edhe qesharak. E vërteta është se pas ndalimit të skafeve numri i turistëve në këto qytete jo vetëm që nuk është ulur po është rritur me rreth 15 herë dhe në shkallë vendi ky numër është rritur me 13 herë dhe konkretisht Shqipëria priti vitin e kaluar mbi 4 milionë turistë e vizitorë kundrejt vetëm 300 mijë qe ajo priti në vitin 2004”, deklaroi zëdhënësja e PD-së. 

Sipas saj, mMoratoriumi i skafeve bëri të mundur avokatin e shkëlqyer nga fqinjët tanë, madje garancinë e tyre për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën për qytetarët shqiptare. 
“Partia Demokratike denoncon dhe hedh kategorish poshtë këtë qëndrim të z.Rama dhe krerëve të tjerë të Partisë Socialiste me të cilin për interesa të pasurimit të pushtetarëve të saj me paratë e pista të trafiqeve kriminale, kërkojnë të anulojnë lëvizjen e lirë e të rikthejnë vizat për qytetarët e thjeshtë shqiptarë, të rikthejnë sërish Otranton në varrezën e zezë të të rinjëve shqiptarë. Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për reforma që i afrojnë me Bashkimin Europian dhe jo trafiqe dhe skafe që i largojnë nga Europa”, vlerësoi PD, lidhur me një çështje të tillë. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›