E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosnjë, Topi takon presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Presidenti Topi përshëndet Samitin e 10-të rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore

Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në kuadër të pjesëmarrjes në samitin e 10-të të UNESCO-s të krerëve të shteteve të Europës Juglindore.

Të dy drejtuesit e lartë shtetërorë shprehën kënaqësinë e veçantë të takimit sërish brenda një kohe tepër të shkurtër, duke vlerësuar me këtë rast marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, miqësinë dhe fqinjësinë e mirë.

Presidenti Topi dhe presidenti maqedonas, Ivanov, diskutuan për çështje të rëndësishme e me interes të ndërsjellë, në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke shprehur dëshirën dhe vullnetin për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, për investime të përbashkëta në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike, e veçanërisht në fushën kulturore-artistike.

Në këtë drejtim, të dy presidentët vlerësuan takimin e krerëve të shteteve të Europës Juglindore të organizuar nga UNESCO, si një iniciativë e rëndësishme që nxit më tej marrëdhëniet e ngushta mes vendeve tona dhe evidenton vlerat e traditave historike e kulturore të popujve tanë.

Edhe në këtë takim, duke nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si në element qëndrueshmërie, bashkëpunimi dhe kontribues në proceset e rëndësishme integruese të shtetit maqedonas, presidenti Topi nënvizoi se Shqipëria dhe Maqedonia do të vazhdojnë të angazhohen maksimalisht për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian. Në këtë aspekt, kreu i shtetit shqiptar theksoi se, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë janë e do të mbeten në vazhdimësi një përparësi e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë duke mirëpritur anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Nga ana e tij, presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit me presidentin Topi, për rolin konstruktiv dhe moderues në mjaft procese të rëndësishme integruese të Shqipërisë, vuri në dukje se bashkëpunimi gjithnjë e në rritje mes krerëve të shteteve të Ballkanit e më gjerë, do të ndikojë pa diskutim në të ardhmen e përbashkët integruese evropiane, por dhe të mbarë rajonit. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›