E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet e Rënda nisin më 16 maj rigjykimin për zhdukjen e Remzi Hoxhës



TIRANË – Dosjes “Hoxha” do të rigjykohet në mesin e këtij muaji. Vrasja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, që deri tani nuk ka asnjë fajtor, mendohet të jetë një gabim i shërbimit inteligjent shqiptar të asaj kohe. Rikthimi në proces gjykimi i çështjes që është ndjekur hap pas hapi nga familjarët e tij pritet të vërë në bankën e të akuzuarve personat që janë të implikuar në këtë çështje.
Rigjykimi
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka caktuar datën 16 maj për fillimin e procesit gjyqësor për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, më 21 tetor të vitit 1995. Burime zyrtare nga Gjykata e Krimeve të Rënda thanë dje për gazetën “Albania” se katër të pandehurit për këtë çështje, Arben Sefgjini, ish-drejtues i degës së SHIK-ut në Tiranë; Ilir Kumbaro, drejtues në SHIK; Avni Koldashi e Budion Meçe, ish-inspektorë të këtij institucioni, do të gjykohen në gjendje të lirë. Dëshmitarët kyç të këtij procesi janë dy personat që u morën peng, së bashku me Hoxhën, Avdyl Loshaj e Ziso Kristopulli, të cilët kanë treguar dhe rindërtuar ngjarjen lidhur me zhdukjen e biznesmenit, ndërsa pritet të thirren edhe gjatë procesit gjyqësor. Dosja hetimore për këtë çështje u dorëzua pak ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dosja “Hoxha” do të përfaqësohet në gjykatë nga 5 prokurorë, të cilët për 11 vite me radhë kanë hetuar rrëmbimin e tij.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të 21 tetorit 1995, pra pak më shumë se 12 vjet më parë. Tre persona të veshur civilë që lëviznin me një makinë “Golf 2” me targa TR 2449 C ndaluan Remzi Hoxhën, në oborrin e punishtes së duraluminit në pronësi të tij në afërsi të Frigoriferit në Tiranë. Pak më pas mbërriti në Komisariatin Nr. 3 denoncimi i Sadijes, gruas së biznesmenit shqiptaro-maqedonas për ngjarjen. Biznesmeni Remzi Hoxha kishte vetëm pak kohë që ishte vendosur në Tiranë pas largimit të tij nga Shkupi. Verifikimi i targave të makinës me të cilën u larguan personat që morën me vete Remzi Hoxhën, provoi se automjeti ishte i regjistruar në përdorim të Degës së Shërbimit Informativ të Tiranës. Dosja e ngjarjes mbeti pa autor deri në tetor 2003, kur Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Ilir Koldashi u arrestuan me akuzën se kishin rrëmbyer Remzi Hoxhën. Hetimet e mëvonshme arritën deri në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku ishte mbajtur Remzi Hoxha deri pak ditë pas rrëmbimit të tij, duke u marrë në pyetje. Fatos Klosi, ish-shefi i SHIK-ut, në deklaratat e tij ka pohuar se kishte marrë informacion për ngjarjen dhe rezultonte se Remzi Hoxha kishte vdekur nga keqtrajtimet gjatë marrjes në pyetje. Më pas askush nuk di me siguri çfarë ka ndodhur. Tre ish-oficerët e SHIK-ut të Tiranës u liruan pa kaluar më shumë se një vit nga arrestimi i tyre. Ata u shpallën të pafajshëm si pasojë e amnistisë së vitit 1997 dhe morën dëmshpërblim për kohën e mbajtjes në qeli.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›