Deputetët e PS në tunel, incident me militantët e PD
Një grup deputetësh socialistë, udhëtuan përmes rrugës së re Milot-Thirrë për të parë shembjen e tunelit. Ishin 13 deputetë që udhëtuan nga Tirana, por dhe nga Lezha e Durrësi që arritën dje në mesditë para tunelit të Thirrës, por nuk u lejuan të hyjnë brenda nga specialistët amerikanë për shkak të rrezikshmërisë që ai paraqiste. Ka qenë menaxheri i projektit të tunelit, amerikani Darren Mort, por dhe specialistë të tjerë, që i kanë pritur dhe u kanë dhënë shpjegime deputetëve socialistë rreth ngjarjes së para pak ditëve. “Tuneli nuk ka mbaruar, u shpreh menaxheri Darren Mort, kontrata jonë me Qeverinë mbaron verën e ardhshme. Ne kemi klientin tonë që bashkëpunojmë, që është Drejtoria e Rrugëve dhe për operimin e tunelit janë marrë të gjitha masat për të mos pasur asnjë incident apo problem teknik. Rruga Rrëshen-Kalimash ka mbaruar, kurse tuneli është hapur dhe tani ndodhet në operim. Ajo pjesë që ne kemi shembje, është pjesa jugore dhe jo ajo pjesa që është hapur gjatë verës. Kontrata jonë me Qeverinë është ta mbarojmë tunelin verën e ardhshme”. Por në këtë komunikim me specialistët amerikanë, deputetët socialistë janë kundërshtuar nga disa banorë të zonës, të cilët sipas selisë rozë kanë qenë militantë të Partisë Demokratike. Banorët që tentuan të pengojnë takimin e deputetëve socialistë ishin Gegë Ceraj, nënkryetar i komunës Fan, Ndue Frrokgjeta, babai i kryetarit të komunës Fan, Ndue Toma, kryetar i PD-së Fan, Ndue Marku, veteriner i komunës Fan dhe Nikolin Gjaci, polic në komunën Fan. Deputetët socialistë janë munduar t’i qetësojnë banorët e zonës, të cilët këmbëngulnin se ata nuk duhet të kishin ardhur në këtë moment për të parë rrugën dhe tunelin. Deputeti socialist Erion Braçe tha në emër të PS, se: “Tashmë është vërtetuar që rruga Durrës-Kukës është një rrugë elektorale”. Braçe tha se menaxheri u ka bërë të ditur se tuneli duhet të përfundonte në verën e vitit 2010. “Janë shkelur parametrat e kontratës, sipas menaxherit tuneli do të përfundonte në vitin 2010, në verë të këtij viti, kurse ai u inaugurua përpara kohe”, u shpreh deputeti socialist. a.l.
Opozita inspekton tunelin e Thirrës, Olldashi i përshëndet
Kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka reaguar dje në lidhje me vizitën e opozitës në tunelin e Thirrës. Në një deklaratë për media, ai e ka përshëndetur vizitën e tyre në këtë tunel, edhe pse sipas tij kjo vizitë është paksa e vonuar. “Unë doja që në emër të Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ta përshëndesja këtë vizitë. Është shumë pozitiv fakti që, më në fund, edhe pse me dy vjet e gjysmë vonesë, Partia Socialiste vendosi të prezantohet me projektin më të madh infrastrukturor të vendit. Do të kishte qenë më mirë akoma sikur ekspeditën socialiste ta kishte udhëhequr vetë Rama”, është shprehur ai. Olldashi deklaroi gjithashtu se socialistët janë informuar nga kompania ndërtuese lidhur me problemet gjeologjike që ka tuneli i Thirrës. “Falënderoj kompaninë ndërtuese që tregoi gatishmëri të plotë për ta informuar dërgatën socialiste mbi ecurinë dhe problematikat e tunelit”, ka deklaruar Ministri i MPPTT-së Sokol Olldashi.