“Fotografia e rrugës” në Galerinë e Arteve
Një nga ato fotografe që inspirimin për artin e saj e gjen në rrugë. Pjesa më e madhe e fotografive të saj e ka origjinën në kaosin e rrugës, në ambientin më bizar të jetës së përditshme. Shumë prej fotografive të saj janë realizuar në rrugët e Bostonit, atje ku Marseida Shqarri jeton dhe studion prej 13 vitesh. Në ekspozitën e parë që u çel dje në Galerinë Kombëtare të Arteve nën etiketimin “Life” ajo sjell pjesë të një komuniteti të rëndësishëm që jeton në ShBA, të ashtuquajtur “metalarë”. Imazhet që ajo sjell janë ditari i saj fotografik. “Metalarët” e Shqarrit nuk janë studiuar dhe krijuar në mënyrë artificiale, realiteti që ato përcjellim është mjaftueshëm i çuditshëm në vetvete e aq më shumë për vizitorin shqiptar të galerive. “Edhe në Amerikë ky lloj komuniteti nuk është kaq i njohur, por janë karakteret më të çiltër, më të hapur më interesantë e më të qeshur se shumica e njerëzve të etiketuar si “normalë”. Këtë ekspozitë kam ndërmend ta çel edhe në Amerikë, por atje ky komuniteti është pak më i njohur dhe nuk është aq i lënë në hije sa këtu. Por interesimi im është që të kapem dhe në tema të tjera e të mos rri vetëm këtu”- shprehet Marseida Shqarri. Në 20 fotografitë e ekspozuara në GKA Shqarri ka fiksuar me aparatin e saj momente që rrëfejnë stilin e të menduarit, të veshjes dhe të sjelljes së fansave të muzikës “Heavy metal”. Përtej stilimit të çuditshëm të lukut të tyre, ata janë njerëz që dashurojnë, janë prindër, janë miq, kanë vese si gjithë të tjerët, janë njerëz po aq të zakonshëm që ajo i ka hasur në ditët e saj amerikane. “Komuniteti i ashtuquajtur “metalarë”, ndryshe nga sfilatat e panumërta të modës nëpër botë, kanë veshjen e tyre unikale dhe krejtësisht të identifikueshme, të njohura edhe në Shqipëri që prej disa vitesh. Unë jam njëra prej atij brezi të parë, që u bëra fanse e muzikës ‘Haevy metal’.”- thotë fotografja, e cila gjatë studimeve në Amerikë ka patur rastin të jetë në kontakte edhe më të shumta me këtë komunitet. Ekspozita e saj është një lloj përjetimi i jetesës së metalarëve. Sipas saj, metalarët të identifikuar me muzikën e veçantë dhe plot pathosn janë kthyer sot në një trend të papërsëritshëm ndaj të cilëve media ka një interes shumë të madh, gjë që i ka kthyer ata në idhuj për njerëz në të gjithë botën. Ndoshta këtë trend kërkon të sjellë edhe me ekspozitën e saj Marseida Shqarri. Ekspozita e titulluar “Life”, përveç ciklit të dedikuar muzikës “Heavy metal”, përmban edhe 4 foto të tjera artistike; diku një peizsazh pranvere, djaloshi në shi, ku çadra nuk lejon t’i shohim fytyrën, apo një çast nga transporti i kuajve në Amerikë. “Veç tematikës së metalarëve në këtë ekspozitë ka edhe një kënd me disa fotografi të vendosura mbi kavaleta. Nëpërmjet tyre dua të tregoj se e dua jetën me tërë larminë e saj dhe se do të përpiqem ta jetoj atë në mënyrën time”. E, dëshira e Marseida Shqarrit shkon përtej çeljes së ekspozitave jo vetëm në Tiranë por dhe në Amerikë. Ajo shpreson që përmes fotove të saj të mund të riaktivizojë në Shqipëri atë që quhet “street photography” (fotografia e rrugës).