E Diel, 1 Nëntor 2026

QSP: Ja si votuan deputetët, premtimet e pa mbajtura të fushatës

Autori i Lajmit: Redaksia

Qendra e Studimeve Parlamentare, në bashkëpunim dhe me mbështetjen financiare të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) ka zbatuar projektin me titull “Nevoja e ngritjes së një sistemi vlerësimi për deputetët”. Në bazë të monitorimit të bërë nga QSP rezulton se reforma në drejtësi është penguar seriozisht ëpr shak të bojkotit të opozitës. Sipas të dhënave rezulton se disa projektligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi janë depozituar në Parlament por nuk kanë kaluar në votim për shkak të bojkotit të opozitës. Sipas të dhënave janë miratuar vetëm 2 nisma ligjore që kanë lidhje dhe mund të konsiderohen si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, përkatësisht projektligji për “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë” dhe projektligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”.
Ndërkohë të depozituar në Kuvend dhe në pritje për miratim janë disa projektligje të rëndësishme si ai për krijimin e gjykatës administrative; për administratën gjyqësore; projektligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë; për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare apo projektligji për organizimin dhe funksionimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Lidhur me luftën kundër korrupsionit janë miratuar 8 projektligje që kanë të bëjnë me fushën e luftës kundër korrupsionit, përfshirë paketën fiskale, e cila ka në përbërje të saj 6 projektligje, pra, në total mund të llogarisim gjithsej 13 projektligje të miratuara gjatë këtij sesioni të kësaj legjislature. Nga vëzhgimi që i është bërë përmbajtjes dhe natyrës së këtyre projektligjeve arrijmë në konkluzionin që vetëm në një prej tyre nuk është mbajtur premtimi i bërë në kohën e fushatës elektorale nga forca kryesore politike, PD, për ulje të numrit të kabinetit qeveritar. Projektligjet e miratuara në drejtimin e luftës kundër korrupsionit janë në zbatim dhe në mbajtje të premtimeve të dhëna në këtë fushë gjithnjë në aspektin formal të inciativës ligjore dhe amenduese. Më tej monitorimi nxjerr në pah se mazhoranca e përbërë nga PD dhe LSI ka kaluar në Parlament projektligje që kanë të bëjnë me premtimet elektorale, duke përjashtuar premtimin e bërë për shkurtime në administratën e qeverisë. Monitorimi thekson më tej se ligjet po kalojnë në Kuvend pa debat dhe disa prej tyre, po atakohen duke u anuluar në Gjykatën Kushtetuese.

Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›