E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfiskohet firma Delijorgji-Balliu

Prokuroria ka konfiskuar firmën që ndërtoi "Fabrikën e vdekjes" në Gërdec. Firma "Trans Digging Construction", ku aksioner kryesor është Mihal Delijorgji, i akuzuari kryesor i tragjedisë së Gërdecit, bllokohet deri në një vendim të Gjykatës së Lartë. Firma ku ka qenë aksionere edhe Henris Balliu, vajza e Fari Balliut, anëtar i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, nuk mund të tjetërsohet dhe prokuroria ka bllokuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) të gjitha dokumentet e saj. Gjithashtu janë bllokuar edhe llogaritë bankare. Dje, në Gjykatën e Lartë, gjatë kërkesave paraprake, prokurori Sokol Stojani filloi t‘i kërkonte gjykatës sekuestrimin e kësaj firme. Por ai u ndërpre nga kryetari i trupit gjykues, Besnik Imeraj, me arsyetimin se ende nuk kishte ardhur radha e tyre. Burime zyrtare nga akuza deklaruan se firma është konfiskuar pas dërgimit të dosjes "Gërdeci" në Gjykatën e Lartë. Sipas ligjeve, është gjykata ajo që vendos nëse ndaj firmës do të vendoset sekuestro apo jo.

Dokumentacioni
Sipas dokumenteve që ndodhen në Gjykatën e Lartë, firma TDC e Mihal Delijorgjit ka ndërtuar fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Mësohet se firma e Delijorgjit ka nisur punën në Gërdec të paktën që më 28 prill 2007, kohë në të cilën ka qenë aksionere edhe Henris Balliu. Punimet janë zhvilluar pa asnjë shkresë zyrtare. Për këtë, gjeneral brigade Astrit Jaupi vë në dijeni komandantin e forcës ushtarake, Shpëtim Spahiun, me anën e një shkrese të veçantë. Gjithashtu, po me anën e këtij dokumentacioni, provohet se ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ishin në dijeni të plotë të veprimtarisë që po zhvillohej në Gërdec. Në një shkresë drejtuar Mediut dhe Hoxhës nga komandanti i policisë ushtarake, nënkolonel Drini Nikolla, thuhet shprehimisht: "Më datë 28 prill 2007 u informuam se në repartin ushtarak numër 3351 Maminas (Objekti Gërdec), nga ana e përfaqësuesve të një firme private ishin filluar disa punime brenda në territor të repartit". Sipas dokumenteve, nga verifikimet e bëra rezulton se me urdhër gojor të komandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar, gjeneral brigade Shpëtim Spahiu, nga ana e firmës "Trans Digging Construction", do të kryheshin punime për interesa të Forcave të Armatosura. Aktualisht në këtë objekt janë prishur tri godina, për të cilat deri më datë 26 maj 2007 nuk ka pasur urdhër me shkrim nga Komanda e Forcës së Bashkuar. Konkretisht është prishur terreni sportiv, infermieria dhe lokali i repartit. Njerëzit e afërt të Fahri Balliut, anëtar i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, dhe Mihal Delijorgjit, i arrestuar pas tragjedisë së Gërdecit, kanë shembur për disa muaj repartin ushtarak pa asnjë urdhër apo bazë ligjore, duke e konsideruar Gërdecin si mallin e tyre.

"Fabrika e vdekjes"
Më pas ata kanë ndërtuar aty fabrikën e demontimit të municionit, që mori jetën e 26 personave dhe plagosi rreth 300 të tjerë. Një tjetër dokument provon përfundimisht se arkitektët e Gërdecit, shumë kohë përpara se të dilte vendimi i qeverisë për fabrikën e demontimit, e kishin vendosur selinë e kompanisë së tyre, pikërisht në Gërdec. Mësohet se ortakja e Balliut dhe Delijorgjit, Flora Xhillari, përpara noterit ka marrë numrin e niptit të shoqërisë "Albademil", ku dallohet qartë adresa e kompanisë. Flora Xhillari, e cila është administratorja e "Albademil" dhe "Trans Digging Construction", gjithashtu provon lidhjet e pakundërshtueshme mes Delijorgjit, Balliut dhe zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar.
"Po, është e vërtetë që këto dokumente kanë shkuar si prova në gjykatë", thanë hetuesit e çështjes, duke pranuar se do të merren si dëshmitarë aksionerët e firmës "TDC", për të konfirmuar punimet që janë kryer në repartin ushtarak të Gërdecit disa kohë para se të ndodhte shpërthimi. Sipas akuzës, në një shkresë të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila mban datën 11 qershor 2007, lexohet qartë se "firma ‘Trans Digging Construction‘ ka filluar punimet në Gërdec". Shkresa mban numrin e protokollit 1217 dhe i drejtohet ish-gjeneralit të brigadës, Shpëtim Spahiut, nga gjenerali i brigadës, Astrit Jaupi. Tashmë kjo firmë është konfiskuar, deri në një vendim të Gjykatës së Lartë.

Berisha: Kam punuar për fëmijët e mi, ashtu siç kam punuar për fëmijët e të gjithë shqiptarëve

Kryeministri, fushatë në Gërdec

Kryeministri Sali Berisha shkon në Gërdec për të vijuar turin e fushatës paraelektorale për zgjedhjet e 28 qershorit.
Kreu i qeverisë i ka kthyer përgjigje gjithashtu opozitës, duke marrë në mbrojtje vajzën e tij, Argita Malltezin. "Kam punuar për fëmijët e mi, ashtu siç kam punuar për fëmijët e të gjithë shqiptarëve", u shpreh Berisha. Kryeministri Sali Berisha, për herë të parë ka reaguar ndaj akuzave dhe publikimit në ditët e fundit të disa fakteve që komprometojnë fëmijët e tij, në lidhje me bizneset e tyre private dhe institucionet shtetërore. Ai e ka quajtur botimin e këtyre dosjeve si blof të opozitës dhe i siguroi qytetarët se ka punuar në interes të fëmijëve të tij, po njëlloj si në interes të të gjithë fëmijëve të shqiptarëve. Deklaratat në mbrojtje të familjes, Kryeministri Berisha i bëri nga Petrela, ku ndodhej për turin e tij, "Shqipëria po ndryshon". "Në katër vitet e ardhshme, për sa kohë ju të vendosni që unë të jem në pushtet, në tavolinën time të punës, në zyrën time, do të ketë vetëm një program: ai i interesave tuaja, i plotësimit të tyre, sepse ato janë interesa të ndershme, të drejta. Duke punuar për to, unë kam bërë punën më të mirë për vete, për fëmijët e mi, për fëmijët e fëmijëve të mi, për vendin tim", tha Berisha.
Kryeministri Berisha premtoi gjithashtu se në ditët aktuale nuk do të ketë as edhe një orë në ditë ndërprerje të programuar të energjisë elektrike. "Kjo, sepse praktika e mëparshme ishte një praktikë çnjerëzore, fyese për qytetarët shqiptarë. Ata thoshin të mos blejmë energji, sepse së pari na kushton; së dyti, nëse japim energji 24 orë, shtohen humbjet e saj në rrjet. Por, nuk mund t‘i dënosh qytetarët në këtë mënyrë. Ndaj unë me durim u thashë: Për mua energjia le të kushtojë sa të dojë. Pas bukës dhe ujit, jetike është energjia elektrike. Do ta blejmë atë sado të kushtojë. Çmimi më i shtrenjtë i saj është mungesa e saj për qytetarët dhe t‘i lësh ata në errësirë", tha Berisha, duke shtuar se aktualisht, përjashto mungesën e energjisë për shkak të defekteve teknike, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë ndërprerje energjie.
Vizita në Gërdec
Gjatë vizitës së tij në Vorë, Kryeministri Berisha vizitoi familjen e Reshit Krujës, i cili humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit. Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, dhe nga deputeti i zonës për PD-në, Astrit Patozi. Kryeministri Berisha siguroi pjesëtarët e familjes Kruja për përpjekjet e tij maksimale në mbështetje të interesave të tyre, duke shprehur angazhimin se qeveria në bashkëpunim me pushtetin lokal do të jetë gjithnjë pranë tyre. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se drejtësia që familjarët kërkojnë, duhet dhe do të vihet patjetër në vend dhe për këtë qeveria ka dhënë dhe po jep të gjithë mbështetjen e saj. Bashkëshortja e të ndjerit Reshit Kruja, kërkoi një ndihmë të menjëhershme për vajzat e saj, të cilat ndiqnin universitetin, një kompjuter në shtëpinë e saj, i cili ju premtua menjëherë nga Kryeministri Berisha dhe deputeti Patozi, që shprehu gatishmërinë se një kompjuter do t‘i shkonte kësaj familjeje menjëherë në ditët e ardhshme.

Opozita dhe mazhoranca përplasen për Gërdecin

Opozita dhe mazhoranca vazhdojnë replikat për çështjen "Gërdeci". Kreu i Lëvizjes G99, Erjon Veliaj, ngre zërin duke thënë se "Shqipëria nuk është pronë e fëmijëve Berisha, pasi asnjë nuk ka votuar as Argitën dhe as Shkëlzenin". Ka qenë e menjëhershme kundërpërgjigjja e kampit të mazhorancës, ku zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka kërkuar që "Rama të përgjigjet për marrëdhënien e tij me Delijorgjin". Drejtuesi i Lëvizjes G99 ka bërë me dije se prej kohësh ka dashur të tregojë se cila është fabula e këtyre zgjedhjeve. "Shqipëria është kthyer në një vend të shumë mundësive për pak njerëz dhe të shumë pak mundësive për shumicën e shqiptarëve. Sot, nëse nuk e ke mbiemrin Berisha apo Balliu, nuk ke mundësi të jesh i suksesshëm në Republikën e Shqipërisë", tha Veliaj. Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe Ferdinand Xhaferri i PD-së dhe Arjan Madhi i PR-së. Sipas Xhaferrit, "kjo është shpifja e radhës së Edi Ramës", ndërsa sipas deputetit Arjan Madhi, "biseda mund të ketë pasur si motiv miqësinë dhe ajo që është e rëndësishme është zbardhja e saj".

Paditë civile

Edhe familjarët e të plagosurve të tragjedisë, në seancë bashkë me avokaturën e shtetit

Familjarët e viktimave të
Gërdecit: Pranoni kërkesat tona

Të pranishëm në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Lartë kanë qenë edhe dhjetëra familjarë të viktimave nga tragjedia e Gërdecit. Për herë të parë, ata u përfaqësuan në gjyqin penal me avokaten Berta Kraja dhe Andi Kananaj. Avokatja Kraja tentoi të komunikonte disa herë me trupin gjykues, duke i kërkuar që të parashtronte kërkesat e saj. Por u ndërpre nga kryetari i trupit gjykues, Besnik Imeraj. Pas përfundimit të kërkesave të palëve në proces (avokatët dhe të pandehurit), radha u ka ardhur përfaqësuesve ligjorë të familjeve të viktimave. Avokatja Kraja i serviri kolegjit penal padinë civile në procesin penal të klientëve të saj, të cilët kërkojnë të dëmshpërblehen. Trashëgimtarët e viktimave të Gërdecit kanë paditur Kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin. Trupi gjykues administroi kërkesën e avokates dhe deklaroi se do të jetë ky trup gjykues që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo këtë kërkesë. Radha u ka ardhur dy përfaqësuesve të shtetit shqiptar, të cilët kanë paditur shoqërinë "Albademil" që të paguajë dëmin e shkaktuar nga tragjedia. Ndërkohë, disa familjarë të personave që janë plagosur në Gërdec kanë parashtruar një kërkesë, sipas së cilës kërkojnë të dëmshpërblehen me 20 milionë leke të vjetra për çdo të gjymtuar. Sipas tyre, një vajzë, si pasojë e shpërthimit, nuk mund të lindë. Pas këtyre kërkesave, trupi gjykues tha se do të shprehet në seancën e radhës për pranimin ose jo të këtyre kërkesave.

Të pandehurit e Gërdecit

1 - Fatmir Mediu, avokat Ardian Visha dhe Petrit Serani
2 - Ylli Pinari, avokat Vladimir Bineri
3 - Ardian Mullai, avokat Vladimir Meçe
4 - Shkëlzen Madani, avokat Hysni Beti
5 - Dashnor Çaushi, avokat Mark Pëllumbi
6 - Armand Tartari, avokat Mirash Martini
7 - Luan Hoxha, avokat Ibrahim Lahi
8 - Agim Lala, avokat Artan Kodheli
9 - Shpëtim Spahiu, avokat Vladimir Meçi
10- Zija Bahja, avokat Luan Hasanaj dhe Xhemal Gazidede
11 - Ndue Marku, avokat Bujar Himçi
12 - Ilmi Leçaj, avokat Agim Tirana
13 - Adriatik Mema, avokat Alfred Balla
14 - Rezart Tërshana, avokat Eno Bushi
15 - Jorgo Mino, avokat Leonard Dingo
16 - Gëzim Oshafi, avokat Alfred Balla
17- Fatbardh Kuçi, avokat Sokol Shazi
18 - Besnik Dauti, avokat Eno Bushi
19 - Agim Babameta, avokat Eno Bushi
20 - Zenun Ferra, do të mbrohet vetë
21- Hysni Çoçka, avokat Bashkim Nikolla
22- Fari Toska, avokat kryesisht
23 - Fiqeret Mato, avokat Koçi Mato
24 - Lavdi Shatro, avokat Gëzim Veleshnja dhe Behar Ipera
25 - Sokol Gjeçi, avokat Nik Progri
26 - Dritan Minxolli, avokat Arben Prifti
27 - Mihal Delijiorgji, avokat Arben Prifti
28 - Liljana Margariti, avokat Arben Prifti
29 - Denis Hajdari, avokat Alket Hysenaj
30 - Shoqëria "Albademil", avokat Arben Prifti

Mediu dhe Hoxha: Na gjykoni të ndarë

Ish-ministri: Le të më gjykojë Gjykata e Lartë. Ish-shefi i shtabit: Të gjykohem në Gjykatën e Tiranës

Dy zyrtarët më të lartë të ushtrisë gjatë tragjedisë së Gërdecit, ai politik dhe ushtarak, kanë kërkuar dje në Gjykatën e Lartë veçimin e gjykimit nga njëri-tjetri. Avokati Ardian Visha, mbrojtësi ligjor i Fatmir Mediut, ish-ministër i Mbrojtjes, ka kërkuar veçimin e çështjes nga të pandehurit e tjerë. Ai tha se Prokuroria e Përgjithshme nuk është shprehur në hetimet paraprake për këto kërkesa dhe i mungon një vlerësim i tyre. Nga ana tjetër, kërkoi që seanca gjyqësorë të ndahet. Më pas radha i ka ardhur mbrojtësit ligjor të të pandehurit Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm. Avokati Ibrahim Lahi kërkoi veçimin e procesit, pasi klienti i tij ka atributet që parashtrohen në nenin 141 të Kushtetutës.

Kërkesat e prokurorisë
Prokuroria kërkoi që gjykata të shprehej mbi dy avokatët Arben Prifti dhe Vadimir Meçi, të cilët mbronin interesat e disa klientëve, që kanë papajtueshmëri interesi midis tyre. konkretisht, prokurori Stojani lexoi kërkesën e prokurorisë ku thuhet se avokati Arben Prifti mbron interesat e Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit. Nga të dhënat që janë administruar në dosje, këta dy të pandehur kanë interesa të ndryshme për ndërtimin e fabrikës në Gërdec dhe kanë përfituar në mënyrë të ndryshme. Për avokatin Vladimir Meçi, prokuroria tha se ky avokat mbron interesat e të pandehurit Ardian Mullai, ish-sekretar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Shpëtim Spahiu, një nga gjeneralët të pandehur. Prokurori tha se edhe në këtë rast kemi papajtueshmëri interesi, pasi nga njëra anë ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes ishte personi që lëshonte urdhra dhe nga ana tjetër zbatuesi ishte gjenerali Shpëtim Spahiu. Pra, sipas prokurorisë, ky avokat nuk mund të mbrojë vetëm njërin prej tyre dhe jo të dy.

Kërkesat e të pandehurve
Pas përfundimit të kërkesave të prokurorisë, radha i ka takuar mbrojtjes. Në fillim u pyet mbrojtësi ligjor i të pandehurit Fatmir Mediu, i cili tha se për momentin nuk ka asnjë kërkesë, por do të shprehet në fund. Më pas u pyet avokati i Ylli Pinarit, i cili deklaroi se nuk ka asnjë kërkesë. E vetmja paqartësi e avokatit Vladimi Bineri ka qenë se klienti i tij nuk është njohur me dosjen. Sipas tij edhe ai nuk ka një kopje dhe do të dëshironte nga gjykata disa akte. Avokati tha se Ylli Pinari, ish-drejtuesi i kompanisë MEICO nuk është njohur me asnjë akt hetimor, por vetëm me një CD. Ndërkohë, avokati i të pandehurit Dashnor Çaushi, tha se kjo gjykatë nuk është kompetente për gjykimin e klientit të tij. "Gjykata e Lartë nuk është kompetente të gjykojë Dashnor Çaushin, pasi bie ndesh me Kushtetutën dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kërkojmë veçimin dhe dërgimin në Gjykatën e Shkallës së Parë, pasi nuk kemi ku të ankohemi", tha avokati Mark pëllumbi, që mbron interesat ligjorë të Çaushit. Më pas radha i ka ardhur mbrojtësit ligjor të të pandehurit Luan Hoxha, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Avokati Ibrahim Lahi kërkoi veçimin e procesit, pasi klienti i tij ka nga atributet që parashtrohen në nenin 141 të Kushtetutës. Ndërkohë, edhe mbrojtësi ligjor i gjeneralit në lirim, Zija Bahja, ka deklaruar se kërkon veçimin e çështjes gjyqësore. "Klienti im shpreh keqardhjen për ngjarjen. Ai dhe vartësit në komandën mbështetëse, nuk kanë pasur lidhje me aktin e rëndë", tha avokati Luan Hasanaj, duke vazhduar se klienti i tij ka tri akademi ushtarake, dy prej të cilave në Angli. I vetmi i pandehur me pranga në sallë, Sokol Gjeçi, tha se nuk ka asnjë kërkesë për trupin gjykues, duke u mjaftuar se këtë gjë ia linte në dorë togave të zeza. Po ashtu edhe avokati i Delijorgjit dhe Pinarit. Edhe një herë, trupi gjykues i dha fjalën avokatit Ardian Visha që mbron interesat e ish-ministrit Fatmir Mediu. Ai tha se Prokuroria e Përgjithshme nuk është shprehur në hetimet paraprake për këto kërkesa dhe i mungon një vlerësim i tyre. Nga ana tjetër kërkoi që seanca gjyqësore të ndahet, duke u gjykuar veçmas klienti i tij dhe veçmas të pandehurit e tjerë. Ndërkohë, prokuroria deklaroi se do të shprehet për kërkesat e mbrojtësve ligjorë atëherë kur të kenë kërkesat në tryezë dhe t‘i verifikojnë.

Të veçanta

Sëmundja e prokurorit dhe telefonata e gjyqtarëve

Pas dhënies së vendimit të ndërmjetëm, ku u rrëzua pretendimi i prokurorisë për përjashtimin e tre gjyqtarëve, trupi i parë gjyqësor, i kryesuar nga Besnik Imeraj, u fut në sallë, ku verifikoi palët në proces. Në apel mungonte avokati i të pandehurit Agim Lala, Artan Kodheli. Trupi gjykues u dha fjalën përfaqësuesve të organit të akuzës, të cilët kërkuan që seanca të shtyhet. Nga ana tjetër, Kolegji Penal u tërhoq për marrjen e një vendimi dhe pas disa minutash u futën në sallë teksa deklaruan se do të vazhdojnë procesin. Mësohet se gjyqtarët kanë komunikuar me telefon me avokatin Kodheli, teksa i kanë kërkuar të kthehet në seancë. Sipas trupit gjykues, avokati do të vinte nga momenti në moment. Nën zë, prokurorët deklaruan se komunikimi me telefon nga gjyqtarët me avokatin është i paligjshëm, pasi në dhomën e këshillimit nuk lejohet që të komunikohet me telefon. Gjithsesi filloi seanca gjyqësore, teksa Kolegji Penal iu drejtua përfaqësuesve të prokurorisë për kërkesat paraprake. Të ndodhur në një situatë që nuk e prisnin, prokurorët kërkuan pesë minuta pushim me arsyetimin se prokurori Arben Dollapi nuk ndihej mirë dhe ishte sëmurë. Në sallë u krijua një ilaritet, teksa drejtuesi i seancës pranoi justifikimin e prokurorisë dhe shtyu seancën për pesë minuta. Gjatë kësaj kohe në sallë mbërriti edhe avokati Artan Kodheli.

"Gërdeci", gjykata rrëzon prokurorinë:
Pesëshja e Kolegjit Penal nuk ndryshon

Kërkesa e akuzës: Vajza e Besnik Imerajt, avokate e ‘Albademil‘. Gjykata, e hedh poshtë.

Seanca e dytë gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit është hapur menjëherë me kërkesën e prokurorëve të çështjes për largimin nga gjykimi të tre gjyqtarëve. Kërkesa ka pasur të bëjë kryesisht me kryetarin e trupës, Besnik Imeraj. Prokurorët në argumentimin e bërë gjatë seancës deklaruan se gjyqtari i Kolegjit Penal ka lidhje me disa prej të akuzuarve dhe se vajza e tij ka qenë avokate e një prej të akuzuarve kryesorë të çështjes, Mihal Delijorgjit. Sipas prokurorisë, vetë gjyqtari ka lidhje shoqërore me një nga avokatet e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, njëkohësisht edhe i afërm i tij. Argumenti tjetër i prokurorëve është se tre gjyqtarët Besnik Imeraj, Imer Bala, Evgjeni Sinoimeri kanë dhënë një vendim kundër prokurorisë në lidhje me një nga procedurat e prokurorisë gjatë hetimit të tragjedisë së Gërdecit.

Largimi i gjyqtarëve
Prokuroria pretendoi dje në seancën e radhës gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit se gjyqtari Besnik Imeraj, që drejton Kolegjin Penal duhet të largohet, pasi vajza e tij ka qenë avokate e një të pandehuri. Një tjetër kërkesë e organit të akuzës ishte edhe largimi nga gjykimi i gjyqtares Evgjeni Sinoimeri, pasi ka marrë pjesë në masën e sigurimit të të pandehurit Mihal Delijorgji. Akuza kërkoi edhe largimin nga gjykimi të gjyqtares Irma Bala, pasi është shprehur për sekuestrot konservative të Delijorgjit. Gjithashtu, kreu i grupit hetimor të Gërdecit, Sokol Stojani, do të deklaronte se avokati i Fatmir Mediut, Ardian Visha, ka lidhje shoqërore me Ilirjan Celibashin, kunatin e të pandehurit Fatmir Mediu. Ndërkohë, ka reaguar edhe mbrojtja e Delijorgjit, nga avokati Arben Prifti. Ai tha se kërkesa është e paligjshme, pasi nuk është e bazuar në ligj. Dy gjyqtarët Irma Bala dhe Evgjeni Sinoimeri, sipas avokatit, nuk janë shprehur për shqyrtime themeli, por për masa sigurimi. Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese ka disa vendime që lejojnë që një gjyqtar i Gjykatës së Lartë të shqyrtojë një kërkesë paraprake dhe një çështje themeli. Avokati Leonard Dingo që mbron të pandehurin Jorgo Mino tha se: Kërkoj që trupi gjykues të përjashtojë dy gjyqtaret Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala, sepse janë shprehur njëherë për këtë proces. Avokati Ardian Visha tha se: Duke marrë shkas nga deklarata e prokurorisë, dua të përmend se unë me dy përfaqësuesit e organit të akuzës Kujtim Luli dhe Arqile Koça kam dhjetë vjet shoqëri. "Kush është dopjo standardi i organit të prokurorisë?", pyeti avokati trupin gjykues.

Vendimi
Trupi gjykues kërkoi nga të pranishmit në sallë që të qëndrojnë për 30 minuta dhe gjatë kësaj kohe do të hidhet një short që do të vendosë nëse kërkesa e prokurorisë është e bazuar apo jo në ligj.
Nga shorti rezultuan se gjyqtarët që shqyrtuan kërkesën e organit të akuzës ishin: Shpresa Beçaj, Gani Dizdari, Aleksandër Muskaj, Spiro Spiro dhe Adriana Fullani. Ky Kolegj Penal u fut në seancë dhe hapi shqyrtimin gjyqësor, bazuar nga kërkesa e organit të akuzës për përjashtimin e tre gjyqtarëve. Duke u bazuar te procesverbali i seancës, Kolegji Penal i kërkoi edhe njëherë organit të prokurorisë të parashtronte kërkesën. Drejtuesi i hetimeve për Gërdecin, Sokol Stojani, krahas kërkesës së mësipërme, parashtroi në seancë se dy gjyqtaret Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala janë shprehur njëherë për këtë proces. Duke përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 23 prill 2008, Stojani tha se në këtë vendim janë të pasqyruar qartë se një gjyqtar që është shprehur njëherë për dosjen nuk mund ta gjykojë përsëri. Pas pretendimeve të prokurorëve, avokati i ish-ministrit Fatmir Mediu, Ardian Visha, deklaroi se kjo gjykatë të marrë në konsideratë edhe miqësinë e tij me dy prokurorët. Edhe avokati i Delijorgjit dhe Minxollit deklaroi se nuk përbën asnjë shkak që gjyqtarët të përjashtohen. Trupi gjykues, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi që të rrëzojë kërkesën e prokurorisë. Edhe në këtë rast, gjykata iu referua një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Pra, të tria palët në proces u janë referuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›